Dilema në seancën për vrasjen e dyfishtë, a ka telefonuar dikush në numrin e Vanjës gjatë bastisjes në shtëpinë e vëllait të Palevskit?

Në seancën e sotme në vazhdim të gjykimit për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi, dëshmuan dy inspektorë policorë që ishin pjesë e ekipit që bastisi shtëpinë e Bazhe Palevskit, vëllai i të akuzuarit të parë në këtë rast, Ljupço Palevski – Palço. Pyetja kryesore, së cilës i […]

dhjetor 16, 2024 - 20:00
 0  4
Dilema në seancën për vrasjen e dyfishtë, a ka telefonuar dikush në numrin e Vanjës gjatë bastisjes në shtëpinë e vëllait të Palevskit?
Ljupço Palevski Palço. Foto printscreen nga video e Skopje1.mk

Në seancën e sotme në vazhdim të gjykimit për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi, dëshmuan dy inspektorë policorë që ishin pjesë e ekipit që bastisi shtëpinë e Bazhe Palevskit, vëllai i të akuzuarit të parë në këtë rast, Ljupço Palevski – Palço. Pyetja kryesore, së cilës i janë përgjigjur këta dy dëshmitarë dhe që la një dozë misteri pas përfundimit të seancës, është se kush telefonoi në numrin e vajzës së vrarë gjatë bastisjes, transmeton Portalb.mk.

Çfarë thanë dëshmitarët?

Nga ajo që mund të kuptohej nga konteksti i pyetjeve të bëra dëshmitarëve, është se nga telefoni i vëllait të Palevskit, gjatë bastisjes është thirrur në numrin e Vanjës, por ajo që mbeti pa përgjigje sot ishte se kush thirri.

Nga ana tjetër, inspektorët policorë, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, pohuan se gjatë kohës që kanë qenë të pranishëm, pra gjatë bastisjes, nuk kanë vërejtur një aktivitet të tillë.

Përndryshe, bastisja e diskutuar në seancën e sotme u bë në fshatin Glluvë, mbrëmjen e 3 dhjetorit 2023, po atë ditë kur u gjetën trupat e Vanjës dhe Pançes.

Siç tha në gjykatë dëshmitari i parë, inspektor i lartë i policisë, bastisja zgjati rreth dy orë, nga ora 20:30 deri në 22:30. Sipas dëshmisë së tij, u sekuestruan sende – një laptop, një tablet Samsung dhe një celular iPhone 6S Plus.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e Bazhe Palevskit ishte i pranishëm ai, gruaja dhe nëna e tij.

Në pyetjen e prokurores që përfaqëson rastin, Zhaklina Krstevska-Josifovska, nëse gjatë bastisjes është thirrur në numrin e telefonit të vajzës së vrarë, dëshmitari është përgjigjur:

“Nuk ka pasur një gjë të tillë. Telefonat e të gjithëve (nga familja) ishin në tavolinë para nesh. Nuk kishte asnjë telefonatë. Unë nuk kam vënë re diçka të tillë.”

Pas pyetjeve të drejtpërdrejta të prokurores, pasoi marrja në pyetje e tërthortë, parashtruara kryesisht nga i pandehuri Ljupço Palevski-Palço, i cili e pyeti dëshmitarin nëse ndonjë nga policët e pranishëm kishte telefonuar në numrin e Vanjës gjatë bastisjes.

Përgjigja që mori ishte negative, që do të thotë se dëshmitari pohoi se nuk kishte vërejtur diçka të tillë gjatë bastisjes.

Të njëjta ishin përgjigjet e dëshmitarit të dytë, punonjës i Njësisë për Krimet Kompjuterike, i cili tha se me urdhër të shefit i është drejtuar që t’u jepte asistencë teknike kolegëve të tij për evidentimin e telefonave, leximin e të dhënave teknike lidhur me to, dhe detaje të tjera profesionale.

Thirrja e vetme ishte ajo e Bazhe Palevskit me avokatin e tij, i cili doli në vendngjarje dhe ishte i pranishëm gjatë bastisjes.

“Asgjë e tillë nuk është vënë re nga unë. Nuk e kam vënë re nëse të tjerët kanë telefonuar. Vetëm Bazhe Palevski ka folur me avokatin e tij, nuk kam vërejtur ndonjë bisedë tjetër”, tha dëshmitari duke iu përgjigjur pyetjes së prokurores nëse ndonjë zyrtar i cili ishte pjesë e ekipit që kryente bastisjen i kishte telefonuar të dëmtuarës Vanja Gjorçevska.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të dytë, i pandehuri Palevski pyeti nëse prokuroria i kishte thënë nëse ndonjë nga telefonat e konfiskuar ishte përdorur për t’i telefonuar Vanjës.

Përgjigjja përsëri ishte mohuese, ndërsa dëshmitari duke iu përgjigjur pyetjeve shtesë të Palevskit dhe mbrojtjes tha se telefonat që ishin në tavolinë nuk i ishin konfiskuar.

I pandehuri Palevski dhe mbrojtja e tij kundërshtuan dëshmitë e dy policëve, me arsyetimin se ato janë të pavërteta, gjegjësisht në kundërshtim me dokumentacionin e siguruar.

Palevski në këtë drejtim tha se as vëllai i tij dhe as nëna e tij nuk e dinin numrin e vajzës dhe teza e tij ishte se ishte më logjike që njëri nga policët të kishte thirrur në numrin e vajzës së vrarë për të verifikuar nëse ajo mund të gjendej në afërsi të vendit ku kryhej bastisja.

“Fëmija i dëmtuar Vanja Gjorçevska ishte vrarë tash e pesë ditë në momentin e bastisjes. As vëllai dhe as nëna ime nuk e kishin dhe nuk e dinin numrin e fëmijës. Është e pamundur që ata të bënin telefonata në momentin që u morën telefonat dhe i njëjti informacion thuhet në analizën telefonike. Një person me intelegjencë mesatare e di se kur policia hyn për të bërë bastisje, telefonon numrin e personit të zhdukur që të mos bjerë rastësisht numri. Prokuroria asnjëherë nuk e ka pyetur vëllain tim pse është thirrur në numrin e Vanjës nga nurmi i tij, e as nuk e kanë thirrur si dëshmitar”, tha Palevski.

Dëshmitari Goce Trajkovski mbetet i padisponueshëm

Para deklaratave të dy policëve, prokurorja zyrtarisht e informoi gjyqtarin Ivica Stefanovski, i cili e udhëheq gjykimin, se nuk mund ta sigurojë dëshmitarin Goce Trajkovski.

“Lidhur me dëshmitarin Goce Trajkovski, prokuroria nuk mund ta sigurojë. Nga Ministria e Brendshme na njoftuan se ai nuk banon në adresën e tij sipas dokumentit të udhëtimit, i cili nuk është ndryshuar dhe nuk është në dispozicion të organeve të rendit”, tha prokurorja.

Ndryshe, Goce Trajkovski, i cili është një nga dëshmitarët kryesorë në rastin e kidnapimit të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, dyshohet se i ka vënë flakën një objekti hotelik në Kisella Vodë të Shkupit dhe ndodhet në arrati. Kështu u bë e ditur javën e kaluar në një brifing në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Trajkovski, i cili së bashku me babain e Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, udhëhoqi hetim paralel për zhdukjen e vajzës, duke mbledhur dhe rishikuar pamjet e kamerave, fillimisht ishte planifikuar të dëshmonte për këto aktivitete në seancën për rastin e mbajtur më 15 nëntor.

Por ai nuk u shfaq atëherë dhe arsyetimi ishte se kishte sulm paniku dhe presion të lartë të gjakut.

Dy ditë para kësaj date, Trajkovski, sipas Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, ka marrë pjesë në djegien e objektit të hotelierik që ndodhej në një objekt banesor.

Trajkovski është djali i ish-drejtoreshës së “Fershpedit”, Kiraca Trajkovska, e cila dëshmoi në gjykatë më 15 dhjetor për të njëjtin rast. Trajkovska i tha gjykatës se familja e saj kishte një lidhje të vjetër kumbarie me familjen e Aleksandër Gjorçevskit dhe për këtë arsye i kërkoi djalit të saj që të ndihmonte në kërkimin e vajzës.

Lidhur me njoftimin e prokurorisë për padisponueshmërinë e Trajkovskit, avokati mbrojtës i babait të Vanjës, avokati Vladimir Tufegxhiq, kërkoi nga prokuroria që të vendosë nëse do të kërkojë që të lexohet deklarata e tij e dhënë gjatë hetimeve.

Për këtë, gjyqtari Ivica Stefanovski tha se do të tentojë ta sigurojë dëshmitarin dhe nëse nuk ndodh, do të vendosë se çfarë do të bëjë.

Për rrëmbimin dhe vrasjen e vajzës së mitur dhe Zhezhovskit, përveç Ljupço Palevski-Palço, të akuzuar si bashkëkryerës janë Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, ndërsa babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski akuzohet për ndihm. Të pestë u deklaruan të pafajshëm për akuzat në seancën e parë.

Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovski nga Velesi u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa pak ditë më vonë, më 3 dhjetor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.

Seanca e radhës në gjykim është caktuar për të premten, më 20 dhjetor, kur siç njoftoi sot gjyqtari Stefanovski do të prezantohen provat materiale.

Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.