Për borën dhe akullin nëpër rrugët e RMV-së janë shpenzuar 3,5 milionë euro, pa tender për mirëmbajtjen e rrugëve
Për këtë dimër institucionet shtetërore në vend kanë lidhur kontrata për prokurime publike për mirëmbajtje dimërore të rrugëve dhe rrugicave në vlerë prej 219 milionë denarë, ose 3.569.106 euro, njoftojnë nga Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ), transmeton Portalb.mk. “Janë lidhur gjithsej 49 kontrata individuale, të cilat përveç dhënies me qira të automjeteve dhe punëtorëve për […]
Për këtë dimër institucionet shtetërore në vend kanë lidhur kontrata për prokurime publike për mirëmbajtje dimërore të rrugëve dhe rrugicave në vlerë prej 219 milionë denarë, ose 3.569.106 euro, njoftojnë nga Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ), transmeton Portalb.mk.
“Janë lidhur gjithsej 49 kontrata individuale, të cilat përveç dhënies me qira të automjeteve dhe punëtorëve për mirëmbajtje dimërore, përfshijnë edhe blerjen e kripës dhe rërës për rrugët. Tenderë të këtillë kanë: Ndërmarrja Publike për Mirëmbajtje dhe Mbrojtje të Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale, 38 komuna, Qyteti i Shkupit dhe Termocentralet e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga QKQ.
Ndërmarrja publike shtetërore nuk ka tender për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit
Analiza ka nxjerrë në pah se tenderët më të mëdhenj janë ato të Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen e Rrugëve, e cila deri më tani ka lidhur tre kontrata dyvjeçare në vlerë prej 1,3 milionë euro në vit. Por që të tre kontratat janë për blerjen e kripës industriale dhe rërës për rrugët.
“Ndërmarrja publike ende nuk ka lidhur kontratë me asnjë kompani për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, që do të thotë se rrugët duhet t’i mirëmbajë me makineritë e veta”, thonë nga QKQ.
Nga atje shtojnë se procedura për “angazhimin e palëve të treta” për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit në të gjithë vendin është anuluar në dhjetor dhe menjëherë është shpallur një e re me afat për dorëzimin e ofertave deri më 10 janar të këtij viti.
Pushteti lokal do të shpenzojë 2,3 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit
Hulumtimi i QKQ nxori në pah se 39 njësi të vetëqeverisjes lokale kanë lidhur kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve, pra për blerjen e makinerive, kripës dhe rërës për rrugët dhe rrugicat.
Nga të gjithë tenderët, më i madh është tenderi i Qytetit të Shkupit, i cili çdo vit shpenzon më shumë se gjysmë milioni euro për këtë qëllim.
Nga komunat e tjera, tenderë me vlera më të larta për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit kanë Manastiri me rreth 250 mijë euro, Kërçova – 134 mijë euro, Komuna Qendër – 116 mijë euro, Gazi Baba – 113 mijë euro, Gostivari – 96 mijë euro dhe Struga – 92 mijë euro.
Vetëm për Shkupin ndahen më shumë se një milion euro për pastrimin e borës dhe akullit
Përndryshe, për kryeqytetin e Shkupit, përveç tenderit të Qytetit të Shkupit, tenderë për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit kanë edhe tetë komuna të tjera të Shkupit. Tender;t më të mëdhenj janë ato të Komunës Qendër – 116 mijë euro dhe Komunës së Gazi Babës – 113 mijë euro. Gjithsej, këto tetë komuna, kanë më shumë se gjysmë milioni euro për pastrimin e borës dhe akullit.
Kjo do të thotë se për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve gjatë dimrit për territorin e qytetit të Shkupit janë ndarë më shumë se një milion euro.
Kontrata me vlerë më të lartë deri më tani është ajo për furnizimin me kripë industriale
Kur bëhet fjalë për kompanitë, kontrata me vlerë më të lartë është ajo me kompaninë Lugos LC nga Shkupi, e cila me Ndërmarrjen Publike për Mirëmbajtje dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale ka lidhur kontratë dyvjeçare për furnizim me kripë industriale për rrugët me një vlerë të përgjithshme prej 2 milionë e 300 mijë euro.
E dyta me radhë është kompania Neksos Engineering nga Shkupi me kontratë prej 1 milion e 55 mijë eurosh të nënshkruar me Qytetin e Shkupit për një angazhim dyvjeçar të automjeteve speciale për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit.
E treta është kompania Anizor Drashko nga fshati Shishevë e Shkupit, e cila ka nënshkruar kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit me pesë komuna të Shkupit në vlerë prej 342 mijë euro.
Shuma e përgjithshme e shpenzimeve për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit sigurisht që do të jetë më e lartë, duke pasur parasysh se për këtë qëllim në vijim e sipër janë edhe 13 tenderë, rezultati i të cilëve ende nuk është bërë i ditur.
Konkurrencë e dobët në tenderë
Numri mesatar i ofertave për kontratat e lidhura për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit është 1.4 për tender, që është një nivel jashtëzakonisht i ulët i konkurrencës.
Këtë e dëshmon edhe fakti se në 71% të tenderëve ka pasur vetëm një ofertues.
Konkurrencë reale prej 6 ofertash kishte vetëm në një tender, dhe ky ishte më i madhi – për kripë industriale për rrugët.