Për ndryshimet kushtetuese në RMV ndryshe flet Mickoski dhe ndryshe Mexhiti

Kryetema e subjekteve politike të Maqedonisë së Veriut që janë në pushtet është hapja e Kushtetutës. Bashkimi Evropian pret ndryshimet kushtetuese për të ecur vendi lirshëm pa pengesa drejt aderimit në familjen europiane. Partitë shqiptare në pushtet përveç eurointegrimit thonë se e presin me padurim hapjen e Kushtetutës për zgjidhjet ligjore në lidhje me zyrtarizimin […]

shkurt 23, 2025 - 17:00
 0  5
Për ndryshimet kushtetuese në RMV ndryshe flet Mickoski dhe ndryshe Mexhiti
Izet Mexhiti dhe Hristijan Mickoski. Foto nga profili i Mexhitit në Facebook

Kryetema e subjekteve politike të Maqedonisë së Veriut që janë në pushtet është hapja e Kushtetutës. Bashkimi Evropian pret ndryshimet kushtetuese për të ecur vendi lirshëm pa pengesa drejt aderimit në familjen europiane. Partitë shqiptare në pushtet përveç eurointegrimit thonë se e presin me padurim hapjen e Kushtetutës për zgjidhjet ligjore në lidhje me zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Por, partneri i tyre, kryeministri Hristijan Mickoski, nuk ngutet, dhe nuk jep asnjë garancë, përkundrazi madje ka disa kushte për BE-në rreth ndryshimeve të mundshme kushtetuese, shkruan Portalb.mk.

Në Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, kuadër i VLEN, Izet Mexhiti në një fjalim përcolli dy mesazhe që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe zyrtarizimin e saj në Kushtetutën e vendit.

“Do të doja të përcjell dy mesazhe. I pari, ndërkohë që po bëhet shumë zhurmë për hapjen e Kushtetutës, e vërteta është se ndryshimet kushtetuese janë çështje e ditur dhe e pritur. Ne besojmë se Kushtetuta duhet të prodhojë zgjidhje dhe jo të krijojë probleme apo frustracione. Qëllimi ynë është forcimi i themeleve të shtetit, përmes një Kushtetute gjithëpërfshirëse, e cila ofron qartësi dhe drejtësi. Formulimi i të papërshtatmes si 20 përqindëshi i popullsisë duhet të zëvendësohen me terma politikisht dhe etnikisht të pranueshme. Kuotat nuk mund të jenë zëvendësim për gjuhën amtare, dhe kjo sidomos është e vërtetë për shqiptarët, të cilët nuk janë thjesht përqindje, por janë një realitet.Mesazhi i dytë që dua të përcjell është se rregullimi kushtetues nuk duhet të parë si krizë, por si mundësi për të adresuar çështjet problematike dhe për të garantuar një shtet më funksional dhe gjithëpërfshirës. Për në Kushtetuta nuk duhet të jetë burim konfuzioni e burim krizash, por instrument që forcon themelet e shtetit. Prandaj, formulime si 20 përqindëshi duhet të mbeten në të kaluarën dhe të zëvendësohen me tema të drejtë dhe të pranueshëm politikisht. Shqiptarët nuk janë statistikë, por janë pjesë e pandashme e këtij shteti”, tha zëvendëskryeministri Mexhiti.

Nga ana tjetër, brenga tjera e preokupojnë të parin e ekzekutivit, kryeministrin Hristijan Mickoski. Mickoski, i cili për momentin po qëndron për vizitë në Uashington, në fjalimin e tij në Këshillin Atlantik ka theksuar se kërkesa e re në adresë të Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese nuk garanton siguri në rrugën drejt BE-së.

“Frustrimet mes qytetarëve të vendit tim janë jashtëzakonisht të mëdha. Dëshmoj se në një kohë kur ishim në opozitë në 2018-ën, shumë njerëz nga e gjithë bota, zyrtarë të lartë të BE-së, kryeministra nga shumë vende të fuqishme të NATO-s, presidentë, anëtarë të Komisionit Evropian, na vizituan dhe thanë, thjesht ndryshoni emrin, këtë herë do të bëheni menjëherë anëtar i NATO-s, do të filloni negociatat me BE-në dhe do t’i përfundoni brenda një periudhe 4-5 vjeçare dhe do të bëheni pjesë e BE-së. Ato 4-5 vite kanë kaluar para 2 vitesh dhe ne jemi në të njëjtën situatë si para 20 vitesh, por në ndërkohë kemi ndërruar flamurin, monedhën, emrin dhe gjithçka”, tha Mickoski.

Kujtojmë se, nga formimi i Qeverisë aktuale, nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, partitë shqiptare të përfshira në qeverisje kanë paralajmëruar ndryshime kushtetuese, fillimisht për t’u pozicionuar pro Bashkimit Europian, që si kusht kanë vendosur përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Vendit, e së fundmi edhe për zbatimin e politikave të VLEN dhe realizimin e zotimeve para elektoratit shqiptar.

Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me faktin se negociatat me BE-në do të fillojnë kur të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.