Paraburgim për dilerin e marijuanës në Tetovë

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka sjellë urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj një personi për veprën penale Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në kuadër të një aksioni operativ policor, janë […]

shkurt 23, 2025 - 17:00
 0  8
Paraburgim për dilerin e marijuanës në Tetovë
Marijuanë dhe para (denarë). Foto: SPB Tetovë

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka sjellë urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj një personi për veprën penale Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në kuadër të një aksioni operativ policor, janë gjetur 126,95 gramë marijuanë e ndarë në 85 qese, të përgatitura dhe të destinuara për shitje të mëtejshme të paligjshme. Po ashtu, nga i dyshuari 37 vjeçar janë konfiskuar para të gatshme në vlerë të përgjithshme prej 71.700 denarë, për të cilat dyshohet se vijnë nga shitja e paligjshme e drogës.

“Meqenëse ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit te dëshmitarët dhe rreziku që i dyshuari ta përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit”, informoi Prokuroria.

Vendimi i Prokurorisë vjen një ditë pasi SPB Tetovë e privoi nga liria personin M.M. 37 vjeçar nga Tetova gjatë bastisjes në shtëpinë e tij.

Kujtojmë se përdorimi i lëndëve narkotike, sidomos i marijuanës është alarmant edhe në mesin e të rinjve dhe të miturve në Tetovë.