RMV, mungesa e mbështetjes financiare detyron gratë e dhunuara të rikthehen te dhunuesit

Gratë e dhunuara të cilat qëndrojnë në strehimoret e Maqedonisë së Veriut detyrohen të kthehen te dhunuesi për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë financiare. Atyre u nevojitet strehim më afatgjatë pas lëshimit të strehimores dhe të kenë mbështetje financiare nga institucionet përkatëse. Sipas koordinatoreve të Qendrave për Dhunë Familjare, është rritur numri i të rinjve […]

dhjetor 1, 2024 - 14:00
 0  5
RMV, mungesa e mbështetjes financiare detyron gratë e dhunuara të rikthehen te dhunuesit
Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Anđela/novinarkeprotivnasilja.org

Gratë e dhunuara të cilat qëndrojnë në strehimoret e Maqedonisë së Veriut detyrohen të kthehen te dhunuesi për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë financiare. Atyre u nevojitet strehim më afatgjatë pas lëshimit të strehimores dhe të kenë mbështetje financiare nga institucionet përkatëse. Sipas koordinatoreve të Qendrave për Dhunë Familjare, është rritur numri i të rinjve që përdorin dhunë, ndërkaq ka dhe raste kur vajzat e dhunuara që paraqiten në strehimore janë nën moshën 18 vjeçare. Aktivistet për të drejtat e grave kritikojnë ministritë për mosdhënie të ndihmës së mjaftueshme dhe kërkojnë t’u ndahet buxhet më i madh për shërbimet sociale, si dhe të hapen më shumë strehimore në vend, shkruan Portalb.mk.

Maqedoninë e Veriut janë katër strehimore shtetërore që ofrojnë strehim deri në gjashtë muaj. Po ashtu, funksionojnë dy qendra krize, njëra është qendër krize për qëndrim, 24 deri në 48 orë dhe tjetra është qendër për përkujdesjen e viktimave të dhunës në familje deri në një vit.

Portalb.mk bisedoi me vajzën 25 vjeçare e cila kishte qëndruar tre muaj në një strehimore në Maqedoninë e Veriut, ajo tregoi se ishte e dhunuar fizikisht nga ish burri i saj. Ajo rrëfeu rastin e saj.

“U martova në moshën 20 vjeçare” tha ajo në një bisedë emocionale me gazetaren tonë.  “Ish burri im filloi të përdorë dhunë ndaj meje nga momenti kur filloi të shkojë në kazino. Ai më sulmoi me thikë, dhe për të katërtën herë më shpëtoi nëna”, u shpreh ajo. “Rastin e lajmërova në polici dhe më besoni se policia në fillim nuk më merrte për seriozisht deri sa ia tregova shenjat nëpër trup.”

Në strehimore më ofuan kurs

Pas rastit të paraqitur në polici, ajo vendosi të shkojë në strehimore ku ka qëndruar tre muaj.

“Vendosa të ndahem nga ai dhe u drejtova në një strehimore, aty qëndrova për tre muaj pastaj u shpërngula me një banesë me qira dhe për momentin jetoj vetëm me fëmijët. Në strehimoren ku isha unë kishte vajza edhe nën moshën 18 vjeçare. Ka shumë gra që nuk e dinë se ekzistojnë këto strehimore që na mbrojnë neve, dhe ata detyrohen të durojnë dhunën. Nga organizata “Qendra e grave për përkrahje” më dërguan ta bëj një kurs për të mësuar se si të kujdesem për të moshuarit. Mësova shumë gjëra aty dhe e kreva kursin me sukses. Për këtë gjë jam shumë mirënjohëse dhe tash pres të marr diplomën dhe të punësohem në ndonjë shtëpi të pleqve. Qendrat na ndihmojnë edhe me gjetjen e banesave dhe deri në 12 mijë denarë e paguajnë ato. Mirëpo, problemi qëndron në atë se nuk mund të gjej banesë me çmime të lira, dhe pronarët e banesave nuk pranojnë të japin banesat e tyre, dhe për këtë arsye tash në banesën ku qëndroj më ndihmojnë familjarët dhe shoqëria ime. Nga shteti nuk marrë asnjë ndihmë, ndërsa për momentin i marr 9.500 denarë vetëm për fëmijën e tretë, dhe këto të holla nuk më mjaftojnë të kujdesem as për fëmijët”, tha 25 vjeçarja.

Ajo kërkoi nga institucionet përkatëse që të ndërtojnë më shumë strehimore në RMV që gratë të rikuperohen të kenë mundësi të vazhdojnë jetën e tyre larg dhunuesit.

Disa prej grave e lëshojnë qendrën dhe kthehen

Qefsere Limaj, koordinatore në Qendrën për Dhunë Familjare në Maqedoninë e Veriut thotë se strehimoret u ndihmojnë grave të traumatizuara të rimarrin veten.

“Në strehimoren tonë gratë e dhunuara mund të qëndrojnë nga tre muaj, gjashtë muaj dhe deri në një vit. Gratë të cilat drejtohen te qendra jonë dhe ato janë të traumatizuara prej dhunës fizike, psikike dhe rrallë herë edhe prej dhunës seksuale. Ditën e parë që vijnë gratë te ne së pari i qetësojmë dhe i trajtojmë, më pas ditët tjera bisedojmë dhe punojmë me to 24 orë deri sa ata të jenë mirë dhe mund të shprehen. Një ndër problemet kryesore pse djemtë fillojnë të bëhen dhunues është se shumica prej tyre janë të varur nga droga, alkooli, dhe lojërave të fatit prej këtyre dhunuesve nuk ka shpëtim në qoftë se nuk marrin masa për t’u shëruar. Disa prej grave e lëshojnë qendrën dhe vendosin të kthehen, dhe për fat të keq nga mos-përkrahja e familjarëve të tyre ato janë të detyruara prapë të kthehen te dhunuesi, dhe arsyeja e vetme është se kanë fëmijë. Shumica e grave të dhunuara që vijnë këtu vijnë nga familje disfunksionale”, tha Limaj.

Numri i strehimoreve është shumë i vogël

Sebajete Zenku kryetare e qendrës për të drejtat e grave “Etika” në Gostivar thotë se në RMV numri i strehimoreve është shumë i vogël.

Sebajete Zenku, kryetare e qendrës për të drejtat e grave “Etika” në Gostivar. Foto: Portalb.mk
Sebajete Zenku, kryetare e qendrës për të drejtat e grave “Etika” në Gostivar. Foto: Portalb.mk

Numri i strehimore në RMV është shumë i vogël. Duhet të ketë më shumë strehimore dhe jo siç janë qendrat intervente që i kanë ministritë. Në Ministrinë e Politikës sociale thonë se i vlerësojnë shumë strehimoret, por në fakt ekzistojnë disa qendra intervente që janë nëpër qytetet e Maqedonisë në të cilën viktimat mund të strehohen vetëm 24 orë pa pasur ndonjë ekip të specializuar që punon me to. Domethënë ato strehohen në një shtëpi që janë qendra intervente jo strehimore.” tha ajo, duke kërkuar nga Ministria e Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë t’i qaset më seriozisht problemit të mospasjes së buxhetit për mbrojte të grave si dhe të mospasjes së strehimoreve të mjaftueshme.

“Institucionet përkatëse deri tani nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet dhe nuk janë seriozë në qasjen ndaj kësaj problematike. Ministritë duhet të ndajnë një buxhet të përshtatshëm për shërbimet sociale që mund t’u ofrohen atyre viktima. Të mos bëjnë vetëm plane strategjike por edhe t’i implementojnë ato, dhe në bazë të nevojës të insistohet më shumë në hapjen e strehimoreve.” tha Zenku.

Ajo tregoi se të rejat madje hezitojnë ta pranojnë dhunën sepse ka raste kur atë e shohin si një lloj dashurie dhe xhelozie.

“Prandaj mendoj se duhet më shumë punë me të rinjtë, që të rejat mos të shohin qasjen e ashpër të partnerit si dashuri, por, ta shohin si dhunë, ashtu siç është”, tha Zenku.

Saliu: Policia nuk i merr seriozisht kallëzimet e viktimës

Suzana Saliu ish zëvendëse së Avokatit të Popullit e cila mbron liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, thotë se në këtë institucion ka shumë pak ankesa për dhunën familjare.

Suzana Saliu ish zëvendëse së Avokatit të Popullit. Foto nga arkivi i saj personal
Suzana Saliu ish zëvendëse së Avokatit të Popullit. Foto nga arkivi i saj personal

“Ky fakt, jo për arsye se nuk ka raste të dhunës familjare, por, për shkak se dhuna familjare akoma nuk denoncohet dhe raportohet para organeve kompetente. Vlerësoj, se sistemi i mbrojtjes së viktimës nga dhuna familjare në Maqedoninë e Veriut është shumë i komplikuar, mbase, do të thosha edhe joefikas. Nëse jemi viktimë e dhunës familjare, puna e parë që na bie ndërmend, është paraqitja e rastit në polici. Shpesh viktimat në polici nuk e gjejnë trajtimin adekuat. Ose policia nuk përgjigjet, ose nuk i merr seriozisht kallëzimet e viktimës. Do të thosha rol më efikas dhe më të rëndësishëm në mbrojtjen e viktimave të dhunës familjare luajnë organizatat joqeveritare të cilat viktimave ju ofrojnë ndihmë konkrete – strehim nëpër qendrat strehuese. Por, duhet ta kemi parasysh se strehimi nëpër këto qendra është i përkohshëm, dhe nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme. Këto organizata qytetare kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje nga buxheti shtetëror. Shteti duhet të kujdeset edhe për pavarësinë financiare të viktimave, sepse pikërisht varësia financiare e kthen viktimën në “gojën e ujkut”, tha Saliu.

Për atë se çfarë parasheh Strategjia e re për luftën kundër dhunës me bazë gjinore, a do të ketë rritjte të buxhetit dhe a do të ketë strehimore të reja,  kontaktuam Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, por, edhe pse nga atje konfirmuan se do të përgjigjen në pyetjet tona gazetareske, deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Kujtojmë se më 6 qershor 2024 është hapur strehimorja e parë në Gostivar për gratë e dhunuara, e cila menaxhohet nga qendra për të drejtat e grave “Etika” në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë e Gostivarit.