Me grant prej 5 milionë eurosh do të ndërtohen elektranat fotovoltaike “Manastir 1” dhe “Osllomej 2”
Elektranat fotovoltaike “Manastir 1” dhe “Osllomej 2” do të ndërtohen me grant prej pesë milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh). Dy projektet për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në pronësi shtetërore, me një vlerë të përgjithshme prej 25,6 milionë eurosh, të siguruara përmes Kornizës […]
Elektranat fotovoltaike “Manastir 1” dhe “Osllomej 2” do të ndërtohen me grant prej pesë milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh). Dy projektet për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në pronësi shtetërore, me një vlerë të përgjithshme prej 25,6 milionë eurosh, të siguruara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), do të duhet të kontribuojnë në tranzicionin energjetik të vendit dhe realizimin e skenarit të gjelbër nga Strategjia për energjetikën, raporton Meta, përcjell Poralb.mk.
Fotovoltaikët do të instalohen në të dy termocentralet deri më 30 shtator të vitit 2025 për të siguruar një kapacitet të kombinuar prej 30 megavatësh, nga të cilat 20 megavat për “Manastir 1”- dhe dhjetë megavat për “Osllomej 2”. Dy elektranat diellore pritet të prodhojnë rreth 50 gigavat/orë energji elektrike, e cila i plotëson nevojat për energji të 8.500 familjeve dhe do të reduktojë emitimet e dioksidit të karbonit me rreth 40.000 ton në vit.
Marrëveshja për grant u nënshkrua sot nga drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Llazo Uzunçev dhe përfaqësuesi i BERZH-it, Fatih Turkmenoglu, në prani të ministres së energjetikës, minierave dhe lëndëve të para minerale Sanja Bozhinovska, euroambasadorit Michalis Rokas dhe udhëheqëses së Departamentit për Koordinim të fondeve të BE-së dhe ndihmave të tjera të jashtme nga Ministria e Çështjeve Evropiane, Evgenija Kirkovska.
“Me nënshkrimin e këtij granti zbatimi i dy projekteve hyn në fazën përfundimtare. “Osllomej 2” me një prodhim mesatar vjetor prej 16 gigavat/orë dhe “Manastir 1” me një prodhim mesatar vjetor prej 30 gigavat/orë do të rrisin portfolion e burimeve të rinovueshme në pronësi shtetërore që do të përfaqësojë edhe një hap tjetër drejt përmbushjes së përcaktimeve strategjike në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër energjetik”, tha Uzunçev.
Ai theksoi se projektet përveç energjetikës do të kenë edhe përfitime socio-ekonomike dhe ekologjike. Në proces do të marrin pjesë kompanitë lokale, ndërsa një pjesë e punëtorëve të REK Manastir dhe REK Osllomej do të angazhohen në proceset e punës në elektro centralet e reja me rikualifikim. Me reduktimin e prodhimit të energjisë nga termocentralet do të reduktohen edhe emitimet e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë për kapacitetin total të instaluar prej 30 megavatësh. Elektranat fotovoltaike do të projektohen dhe ndërtohen në përputhje me standardet evropiane dhe botërore dhe procedura për zgjedhjen e kontraktuesit për projektimin, prokurimin, ndërtimin si dhe vlerësimin e ofertave do të kryhet nga BERZH-i.
Sipas euroambasadorit Rokas, investimi vjen në momentin e duhur sepse siguron energji të pastër dhe të sigurt. Sipas tij, çdo investim në energjinë e gjelbër do të thotë që ne të bëhemi një vend më tërheqës i mundësive.
“Duhet t’i shfrytëzojmë këto mundësi dhe shpresojmë se ky do të jetë vetëm fillimi i më shumë investimeve në këtë fushë. Jam i sigurt se sektori privat tashmë është gati të përfitojë nga këto mundësi dhe të investojë në vend. Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha detyrimet e nevojshme dhe duhet t’i realizojë mundësitë që ka”, tha Rokas.
Përfaqësuesi i BERZH-it, Turkmenoglu, theksoi se granti për elektranat fotovoltaike në Osllomej dhe Manastir financohet nga Fondi i Përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe është dëshmi e mbështetjes së dekarbonizimit në vend.
“BERZH-i paraprakisht ndau 25 milionë euro për zhvillimin dhe ndërtimin e këtij projekti, që është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të dekarbonizimit të sektorit energjetik në vend. Është një shembull i shkëlqyer për të siguruar një përdorim alternativ dhe të qëndrueshëm të vendeve të minierave të qymyrit pranë termocentraleve të vjetra”, konsideron Turkmenoglu.
Ministrja e energjetikës, minierave dhe lëndëve të para minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se tranzicioni energjetik është vizion për një të ardhme në të cilën do të ketë energji të pastër, mjedis jetësor të shëndetshëm dhe prosperitet ekonomik. Realizimi i dy projekteve do të zvogëlojë emitimin e dioksidit të karbonit dhe do të mundësojë rikultivimin e 45 hektarëve tokë në kuadër të REK Manastir dhe REK Osllomej.