“Për ty kam numrin 0900”,PD kërkon përjashtimin me 60 ditë të Ballës:Ofendoi Vokshin

Demokratët janë vënë në lëvizje pas sherrit dhe ofendimeve që dominuan dje sallën e Kuvendit dhe kanë kërkuar përjashtimin me 60 ditë të kreut të grupit të PS, Taulant Balla. Në kërkesën e tyre drejtuar Sekretariatit të Etikës, Partia Demokratike thotë se Balla përdori gjuhë fyese, ofenduese dhe seksiste ndaj deputetes Albana Vokshi, së cilës iu drejtua […]

Mars 6, 2026 - 16:00
 0
“Për ty kam numrin 0900”,PD kërkon përjashtimin me 60 ditë të Ballës:Ofendoi Vokshin

Demokratët janë vënë në lëvizje pas sherrit dhe ofendimeve që dominuan dje sallën e Kuvendit dhe kanë kërkuar përjashtimin me 60 ditë të kreut të grupit të PS, Taulant Balla. Në kërkesën e tyre drejtuar Sekretariatit të Etikës, Partia Demokratike thotë se Balla përdori gjuhë fyese, ofenduese dhe seksiste ndaj deputetes Albana Vokshi, së cilës iu drejtua me frazën “për ty kemi numrin 0900”.

 “Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pа pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi”, tha Balla në Kuvend.

PD thotë se kjo gjuhë nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore dhe kërkesa e tyre nuk ka si qëllim vetëm ndëshkimin e Ballës, por edhe të përçojë mesazhin se për Kuvendin çdo formë diskriminimi mbi baza gjinore është e papranueshme.

“Rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Znj. Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave. Në këtë kuptim, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, thuhet në kërkesën e PD.

Ndëshkime për demokratët pritet të kërkojë edhe grupi i PS, për shkak se pas deklaratës së Ballës, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi iu kundërpërgjigj duke i thënë se “është mësuar me kur*vat në partinë e tij”. Përplasja shkoi edhe më tej, ku Klevis Balliu u filmua në një përplasje me Ballën. Seanca u ndërpre pasi PS kaloi direkt në votim, ndërsa opozita braktisi sallën.