Për vetëm tre muaj një shtëpi botuese ka arkëtuar 1,5 milionë euro nga MASH, ndërsa për një vit të tërë ka arkëtuar 2 milionë euro për tekste shkollore!
Ministria e Arsimit dhe Shkencës brenda vetëm tre muajve (nëntor 2025-janar 2026), ka kryer tre pagesa për Shtëpinë botuese “Ars Studio” që arrijnë shumën e përgjithshme prej 1,5 milionë euro. Siç shkruan e përjavshmja “Fokus” pagesat janë ...
Ministria e Arsimit dhe Shkencës brenda vetëm tre muajve (nëntor 2025-janar 2026), ka kryer tre pagesa për Shtëpinë botuese “Ars Studio” që arrijnë shumën e përgjithshme prej 1,5 milionë euro. Siç shkruan e përjavshmja “Fokus” pagesat janë realizuar në përputhje me Marrëveshjen për blerjen dhe distribuimin e teksteve për arsimin fillor për vitin shkollor 2025/2026, në bazë të së cilës kompania ka bërë distribuimin e 102.604 kopjeve në rreth 350 shkolla, kryesisht tekste shkollore për gjuhë të huaja. Gjatë gjithë vitit të kaluar 2025 nga MASH drejtuar kësaj shtëpie botuese janë regjistruar transaksione prej pothuajse 2 milionë euro, sa që janë edhe të ardhurat e përgjithshme të saj në këtë vit, nga të cilat më shumë se gjysma kanë qenë fitim i pastër, transmeton Portalb.mk.
Menjëherë pasi në postin e ministrit të arsimit erdhi Vesna Janevska, pas ndryshimeve politike në vitin 2024, Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhi 16 kontrata për blerjen e teksteve shkollore me vlerë të përgjithshme prej rreth 3,2 milionë euro, përmes negociatave pa shpallje publike.
Sipas të dhënave të Byrosë për Prokurime Publike në vitin e ardhshëm 2025 Ministria ka zbatuar një procedurë të hapur tenderimi për shtypjen dhe distribuimin e teksteve shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, në kuadër të të cilit lidhi një marrëveshje kornizë 2 vjeçare me kompaninë “Branko Gapo” në vlerë prej 6 milionë euro.
Por, një nga pjesëmarrësit në tender – “Polyesterday” e kontestoi procedurën me akuza se ishte zbatuar në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, Komisioni Shtetëror për Ankesat e Prokurimit Publik i shkallës së dytë e hodhi poshtë ankesën, kështu që kontrata u lidh me fituesin “Branko Gapo”, i cili në procedurën e tenderit nuk mori pjesë në mënyrë të pavarur, por në një grup me “Evropa 92”, që lidhet me ish kryetarin e Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski.
Sipas informacioneve nga MASH deri më tani janë paguar rreth 3,7 milionë euro, që do të thotë se janë shteruar më shumë se gjysma e fondeve të parapara me kontratën. Megjithatë, nuk është e qartë se sa prej tyre kanë përfunduar te bartësi i konsorciumit “Branko Gapo”, e sa te anëtari “Evropa 92”, sepse nga MASH thonë se ata kanë punë me bartësin, ndërkohë që dy kompanitë refuzojnë të japin sqarime për ndarjen e fondeve. 
Por, gjatë kontrollit në sistemin “Financat e Hapura” vëmendjen e tërheqin disa transaksione më të larta nga MASH drejt një kompanie e tretë, e cila brenda një periudhe prej vetëm disa muajsh ka pranuar 3 pagesa me vlerë të përgjithshme prej pothuajse 1,5 milion euro. Bëhet fjalë për shtëpinë botuese “Ars Studio Tamara” të themeluar në vitin 2000, pronare e vetme e së cilës është Tamara Jovanoviq–Neshovska, e cila shfaqet edhe si menaxhere e kompanisë me veprimtari botuese.
Përveç se ka lidhur një kontratë relativisht të vogël për tekste shkollore me MASH-in në vitin 2024 në vlerë prej një milion euro, kjo kompani në vitin 2023 ka lidhur kontratë të vlefshme me Ministrinë për redaktim profesional, redaktim grafik dhe teknik dhe përkthim të teksteve shkollore për vitet akademike 2023/24 dhe 2024/25, vlera e së cilës ka qenë 320 milion denarë ose 5,2 milion euro. Edhe këtu bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë, brenda së cilës, sipas të dhënave zyrtare, janë lidhur kontrata me një shumë të përgjithshme prej 78 milion denarë ose 1,2 milion euro.
Duke pasur parasysh që kjo është një kontratë 2vjeçare, ajo ka zgjatur deri në muajin gusht të vitit 2025, që do të thotë se të gjitha pagesat nga MASH për këtë kompani nga ajo kohë e deri më sot janë mbi bazë të një kontrate tjetër midis dy palëve. Gjatë inspektimit që e kryem, në periudhën pas kësaj mund të viheshin re disa transaksione nga MASH-i për “Ars Studio” që dallohen në mënyrë drastike krahasuar me të tjerat.
Konkretisht, në një periudhë prej vetëm 3 muajsh në kalimin nga viti 2025 në vitin 2026 MASH ka kryer 3 pagesa për këtë kompani dhe atë: 45.331.143 denarë (nëntor), 19.726.680 denarë (dhjetor) dhe 26.354.040 denarë (janar), që gjithsej janë 91.411.863 denarë ose pothuajse 1,5 milion euro. Në bazë të cilës kontratë janë kryer këto transaksione?
Siç informuan nga MASH, shumat në fjalë burojnë nga Marrëveshja për blerjen dhe distribuimin e teksteve shkollore për arsimin fillor për vitin shkollor 2025/2026, që është kryer çdo vit “në përputhje me kërkesat e shkollave, me një çmim katalogu dhe tirazh nga të gjitha shkollat”.
Nga atje shtojnë edhe se procedura për blerjen kryhet me të gjithë botuesit që kanë një vendim për miratimin dhe përdorimin e një teksti shkollor, në mesin e të cilëve është edhe botuesi Ars Studio”. 
Fokus iu drejtua edhe kësaj kompanie nga ku thanë se pagesat janë bërë në bazë të Kontratës nr. 10-10464/63 nga data 27.08.2025, e cila ka të bëjë me tekstet shkollore për gjuhën angleze për klasat 6, 7, 8 dhe 9, tekstet shkollore për gjuhën italiane për klasën e 6, tekstet shkollore për gjuhën ruse për klasat 6, 7, 8 dhe 9 dhe një tekst shkollor për lëndën e fizikës për klasën e 7.
“Këto tekste shkollore u shpërndanë në rreth 350 shkolla në të gjithë vendin me gjithsej 102.604 kopje. Tekstet shkollore u blenë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me vlerën e katalogut në përputhje me Dekretin e miratuar nga Qeveria”, thanë nga shtëpia botuese.
Por, nëse shihen raportet financiare ato tregojnë për një rritje të ndjeshme të “Ars Studio” në vitet e fundit. Kështu, nëse në vitin 2024 kompania ka realizuar të ardhura prej 67 milion denarë (mbi 1 milion euro) dhe fitim prej 41 milion denarë (rreth 666 mijë euro), në vitin 2025 të ardhurat e tyre janë rritur për 134 milion denarë (mbi 2,1 milion euro), ndërsa fitimet u kanë arritur në 75 milion denarë (mbi 1,2 milion euro).
Pa dyshim që në këtë rritje pothuajse dy herë më të madhe një rol të madh kanë luajtur edhe pagesat buxhetore nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilat gjatë gjithë vitit 2025, sipas përllogaritjeve tona, i kanë tejkaluar 121 milionë denarë, ose kanë arritur në pothuajse 2 milionë euro, gjë që tregon se vitin e kaluar fondet publike kanë përfaqësuar pjesën më të madhe në strukturën e të ardhurave të kompanisë me një pjesëmarrje prej mbi 90 përqind. Në fakt, nga 2,1 milionë euro të ardhura të përgjithshme 2 milionë euro kanë qenë fonde publike, ndërsa fitimi ka qenë 1,2 milionë euro, që është më shumë se gjysma e të ardhurave.
Përndryshe MASH nuk i blen të drejtat për tekstet shkollore përmes tenderit, ashtu siç angazhon operator ekonomik për shtypjen e teksteve shkollore, por këtë e bën me një procedurë tjetër, e cila parasheh publikimin e shpalljes pas së cilës konkurrojnë botuesit, ndërsa ofertat e tyre i vlerëson një komision ekspertësh, i cili jep miratim ose pëlqim, pas çka MASH lidh kontratë me botuesin e përzgjedhur.
Përkujtojmë se ministrja Janevska vitin e kaluar deklaroi se për herë të parë pas 7 vjetësh nxënësit do të marrin edhe tekste shkollore për gjuhët e huaja (angleze, franceze, gjermane dhe italiane), ndërsa njeriu i parë i Shërbimit Pedagogjik, Robert Axhipetrov, theksoi se me dhjetëra vendime për miratimin e teksteve shkollore për gjuhët e huaja po tejkalohet situata me mungesën e këtyre teksteve shkollore. 
Konkretisht, për një pjesë të konsiderueshme të këtyre teksteve të reja shkollore, pra për tekstet shkollore për gjuhën angleze dhe gjuhën italiane, është lidhur kontratë me kompaninë “Ars Studio”, e cila, krahas tyre, për gjuhën ruse dhe fizikën ka dorëzuar 102.604 kopje, për të cilat siç përmendëm tashmë se vetëm përmes 3 transaksioneve ka marrë pothuajse 1,5 milion euro nga MASH, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ka arkëtuar 2 milion euro, që i paraqet pothuajse të gjitha të ardhurat që kjo kompani i ka gjeneruar gjatë vitit.
Siç dihet, në fund të vitit 2024 u miratua edhe një Ligj i ri për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm, qëllimi i të cilit, siç u njoftua, ishte zgjidhja e problemeve shumëvjeçare me mungesën, vonesën dhe cilësinë e dobët të materialeve mësimore… Ndërkohë, vetëm në vitin e fundit akademik 2025-2026 u mbyllën 124 objekte shkollore rajonale.
“Nuk po mbyllen shkollat si subjekte juridikë, por bëhet fjalë për mbylljen e përkohshme të objekteve shkollore rajonale, nëse në vendet ku ndodhen nuk ka fëmijë të moshave shkollore”, shpjegojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.