Për ZNAM-in është e papranueshme që të jetë në të njëjtën qeveri me subjekt që është në marrëveshje me BDI-në

Për Lëvizjen ZNAM është e papranueshme që të qëndrojnë në të njëjtën qeveri me një subjekt që po bën marrëveshje me “një BDI të pareformuar”. Nënkryetarja e partisë, Vesna Bendevska, theksoi sot se ZNAM, në programin e saj zgjedhor, foli për nevojën urgjente për “deDUIzimin” (de-BDI-zimin) e shoqërisë, e cila, sipas saj, përfaqëson një sistem […]

maj 12, 2025 - 20:00
 0  4
Për ZNAM-in është e papranueshme që të jetë në të njëjtën qeveri me subjekt që është në marrëveshje me BDI-në
Arben Taravari, foto nga profili i tij në Facebook

Për Lëvizjen ZNAM është e papranueshme që të qëndrojnë në të njëjtën qeveri me një subjekt që po bën marrëveshje me “një BDI të pareformuar”. Nënkryetarja e partisë, Vesna Bendevska, theksoi sot se ZNAM, në programin e saj zgjedhor, foli për nevojën urgjente për “deDUIzimin” (de-BDI-zimin) e shoqërisë, e cila, sipas saj, përfaqëson një sistem qeverisjeje të korruptuar dhe kriminale që ka shkatërruar sistemin institucional, transmeton Portalb.mk.

“Me ‘duizim’ nuk nënkuptojmë albanofobinë, por përkundrazi, ‘duizim’ nënkupton një sistem qeverisjeje e korruptuar dhe kriminale. Një sistem që shkatërroi sistemin institucional”, tha Bendevska.

Bendevska komentoi edhe koalicionin aktual qeveritar pas njoftimit të kryeministrit Hristijan Mickoski për largimin e Arben Taravarit nga Qeveria. Ajo tha se kryeministri e kishte deklaruar qëndrimin e tij dhe kujtoi se qëndrimi i ZNAM-it ishte deklaruar publikisht në disa raste.

Kur u pyet për komunikimin me deputetët e krahut të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Taravari dhe mundësinë që disa prej tyre të mbeten në shumicë, Bendevska tha se anëtarët e ASH-së nuk morën pjesë në koordinim dhe se është e papërgjegjshme të spekulohet për hapat e tyre të ardhshëm.

Lidhur me deklaratën e kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, se Qeveria nuk ka legjitimitet etnik për shkak të numrit të vogël të deputetëve shqiptarë në shumicë, Bendevska theksoi se “kjo Qeveri është gjithçka përveçse monoetnike”.

Ajo theksoi se pavarësisht largimit të njërit prej katër subjekteve që formuan koalicionin VLEN, tre parti mbeten të bashkuara në një subjekt politik, gjë që mohon tezën e një përbërjeje monoetnike të qeverisë.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Inxhikovë të Shkupit, tha se nuk mund ta kuptojë kalimin e Taravarit nga qeveria në opozitë, aq më tepër që ai po largohet, siç tha ai, në krahët e Ali Ahmetit dhe BDI-së.

Mickoski tha se ky ishte megjithatë vendim i Taravarit dhe disa njerëzve përreth tij, dhe jo një vendim i anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët dhe një pjese të madhe të njerëzve që janë pjesë e qeverisë.

Ai njoftoi se këtë javë do të ketë takim përfundimtar me Taravarin, ose, siç tha ai, kafe të fundit, në të cilin do të përmbledhin atë që është bërë deri më tani dhe do t’i urojnë shëndet të mirë.

Ndryshe, vetëm nëntë deputetë shqiptarë do të mbeten në shumicën parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse Aleanca për Shqiptarët të Arben Taravarit del nga Qeveria, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e përfaqësuesve të shqiptarëve në qeveri, koalicionin VLEN. Me daljen e pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët në opozitë, së bashku me 16 deputetët shqiptarë të Frontit Evropian, në opozitë do të jenë 21 deputetë shqiptarë. Daljen e Taravarit, nga qeveria e kanë komentuar krerë të qeverisë, por edhe njohës të çështjeve politike.