Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?

Shtatë vjet pas miratimit të ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji. Problemi nuk qëndron te ligjet që […]

tetor 20, 2024 - 16:01
 0  6
Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?
sheshi, ura e gurit, shkup

Shtatë vjet pas miratimit të ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji. Problemi nuk qëndron te ligjet që janë burim i marrëveshjes së Ohrit, por te “dështimi i politikës që 20 vitet e fundit nuk arriti t’i bëjnë këto ligje imune ndaj mendjeve shoviniste nën petkun e politikanit apo gjykatësit”, thanë ekspertët juridik për Portalb.mk.

Trembëdhjetë iniciativat kundër ligjit të gjuhëve kontestojnë thuajse gjithçka, nga mënyra e sjelljes së ligjit deri te përmbajtja. Nuk dihet zyrtarisht se çka konkretisht do të shqyrtohet. Kontestuesit, për t’ju dalë zot qëndrimeve kundër ligjit thirren në vërrejtjet e Komisionit të Venedikut, edhe pse mendimet e këtij komisioni nuk janë obliguese për shtetet.

Ekspertët Evropian asnjëherë nuk e kanë kontestuar kushtetuetshmërinë e ligjit, vëretjet e tyre kishin të bëjnë me dygjuhësinë në proceset gjyqësore dhe disa pika tjera të cilat nuk e cenojnë kushtetutën e vendit. Asnjë rekomandim i Komisionit të Venedikut deri tani nuk është marrë parasysh nga Gjykata Kushtetuese.

Portalb-i pyeti në Kushtetuese se “prej kur u bënë mendimet e këtij komisioni aq të rëndësishme?”.

“Gjykata deri tani nuk e ka shqyrtuar lëndën aspak për të marrë vendim, që do të thotë se në gjykatë nuk janë prezantuar të dhëna nga Komisioni i Venedikut, as ndonjë e dhënë tjetër që ka të bëje me këtë lëndë, marrë parasysh se diskutimet në seancë janë e vetmja formë për të marrë vendim” thanë nga Gjykata Kushtetuese.

Se sa rëndësi dhe relevancën do i japin mendimit të Komisionit të Venedikut, nga kjo gjykatë thanë se “varet nga bindjet personale të secilit gjykatës, nëse do t’i shfrytëzojë këto mendime si argument përgjatë diskutimit”

Rrezikohen disa nene të ligjit të gjuhëve

Mersim Maksuti, ekspert i të drejtës Kushtetuese për Portalb.mk thotë se jozyrtarisht në tavolinë është heqja e neneve që garanton përdorimin shqipes në gjyqësor, komunikim midis funksionarëve të pushtetit qendror, monedha dhe në uniforma.

“Pres që këto nene të shfuqizoheh.. për fat të keq” tha Maksuti.

Rastësi ose jo, rikujtojmë që këto nene si ‘problematike’ i përmendi edhe kryeministri Hristijan Mickovski në Alsat- M, në një intervistë para një muaji. Maksuti nga ana tjetër, potencoi disa prej argumenteve juridike se pse nuk duhet të bëhet kjo.

Mersim Maksuti, foto nga "Fejsbuk"
Mersim Maksuti, foto nga “Fejsbuk”

“E para, vetë kushtetuta në amandamentin 5 e definon gjuhën e 20%, pra shqipen si zyrtare, në të njëjtin amandament, potencohet se kjo gjuhë është zyrtare në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, pra ka bazë ka kushtetutën. Përpos kësaj, edhe karta evropiane për përdorimin e gjuhëve rajonale njeh të drejtën e pakicave ku ato numerikisht janë në dominancë që të përdorin gjuhën e tyre, madje edhe në gjyqësi” tha Maksuti.  

Mbi të gjitha këto argumente, Maksuti thotë se kjo gjykatë nuk duhet të harrojë faktin demografik në Maqedoninë e Veriut ku shqiptarët numerikisht janë të afërt me popullin maqedonas, “gati në gjysmën e vendit janë dominancë, autokton, që i bën ata të mbështeten në të drejtën natyrore.”

“Qëllimi i kushtetutvënësit ka qenë avancimi i gjuhës shqipe. Për këtë, kjo gjykatë duhet të ketë parasysh edhe pasojat politike që mund të shkaktojë vendimi i tyre, ai vendim nuk mund të dalë jashtë realitetit shoqëror politik, assesi s’duhet ta cënojë frrymën e marrëveshjes së Ohrit” shtoi Maksuti.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, 29,52 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut i takojnë përkatësisë etnike shqiptare, të paktën në 15 komuna janë popull shumicë, ndërsa në shumë komuna tjera shqiptarët janë mbi 20%.

Badinter, edhe në Gjykatën Kushtetuese, ose rrezikohet çdo e arritur deri tani

Portalb.mk mëson se tre gjyqtarët shqiptarë dhe turk në Gjykatën Kushtetuese kanë përgatitur një mendim të ndarë ku kundërshtojnë heqjen e instrumentit balancues, në të cilin gjithashtu përmendet mbivotimi në këtë gjykatë, për çështje që i prekin pakicat.

Ligjet për të cilat në Kuvend kërkohet votim i dyfishtë dhe të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, në të njëjtën formë duhet të kalojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese nëse bëhen objekt vlerësimi. Në të kundërtën, Maksuti thotë se rrezikojmë shumë.

“Nëse kjo nuk bëhet, krejt marrëveshja e Ohrit është e rrezikuar që një ditë të zbehet tërësisht, të gjitha ato të arritura, ato ligje të cilat kanë kaluar me votim të dyfishtë, në një moment të caktuar, të përshtatshëm politk kërcënohen të hiqen si antikushtetuese.” potencoi profesori i Kushtetueses, Mersim Maksuti.

Maksuti kritikon politikën e deritanishme që nuk ka arritur ta instalojë badinterin edhe në Gjykatën Kushtetuese, thotë se ky dështim i tyre cili mund të sjellë shumë pasoja në të ardhmen.

“Merreni shembull Kushtetutën e 74-tës, të drejtat e shqiptarëve asokohe ishin shumë të avancuara, por më vonë pësuan ndryshime kushtetuese ndërsa në vitin 1991 ato të drejta i rimorën, nuk guxojmë që përsëri të vijmë në një situatë të tillë” shtoi Maksuti.

Deri tani, shqiptarët në Kushtetuese janë mbivotuar për heqjen e instrumentit balancues ndërsa rrezikojnë të mbivotohen edhe më 11 dhjetor, kur pritet të vendoset për fatin e ligjit të gjuhëve.

Gjykata Kushtetuese me vendime të koordinuara me VMRO DPMNE-në

Pesë vite në sirtaret e gjykatës por që edhe shqipja, edhe balancuesi u vendosën në rend të ditës së kësaj gjykate pak muaj pasi drejtimin e qeverisë e mori një parti politike që edhe më herët i kishte kontestuar të dy këto çështje.

Rastësi, thonë nga Gjykata Kushtetuese për këtë fakt – ndërkaq mbrohen me atë se vitet e fundit nuk kanë pasur mjaftueshëm gjykatës, për Portalb.mk thanë se “kemi funksionuar pa përbërje të plotë nga qershori i vitit 2021 deri në shkurt 2024.”

Sigurojnë që presioni publik dhe politik “nuk do të ndikojë në vendimet tona”

Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook
Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook

Opinioni publik megjithatë vështirë e beson këtë, Besim Nebiu, analist politik për Portalb.mk thotë se nëse analizohet koha e hapjes së këtyre temave, forma dhe mënyra e veprimit të kësaj gjykate, shihet qartë ndikimi politik.

“Nuk ka si mos të komentohet si veprim të ndikuar nga politika vendimi i gjykatës kushtetuese. Tajmingu, forma dhe kadenca e veprimit të gjykatës vetëm se na vërteton se pa gjykatë të pavarur nga ndikimet politike, nuk mund të arrihen standardet e shtetit ligjor dhe përmirësimi i performancave të përgjithshme të këtij shteti” tha Nebiu.

Ai thotë se vendimin për heqjen e balancuesit, Kushtetuesja i ndihmoi VMRO-së që të realizojë premtimin parazgjedhor, nuk beson që kjo qeveri “e ka hallin tek profesionalizmi i administratës, por thjeshtë e ka etnizuar çështjen, për të ndërtuar narrativ polarizues etnik dhe për t’ia rritur rejtingung vetes te votuesit etnik maqedonas.”

Që Kostadinovski të bëhet gjykatës në Kushtetuese, kishin votuar shumica e deputetëve shqiptar

Darko Kostadinovski nga qershori i këtij viti është në krye të Gjykatës Kushtetuese ndërsa gjykatës ishte zgjedhur me propozim të ish-presidentit Gjorge Ivanov dhe 69 vota në Kuvend në janar të vitit 2018.

Për të, asokohe kishin votuar pjesa më e madhe e deputetëve shqiptar, në mesin e të cilëve Аli Ahmeti, Ziadin Sela, Artan Grubi dhe Afrim Gashi. Portalb-i siguroi dokument që e vërteton këtë. Deputetët që votuan për zgjedhjen e Darko kostadinovskit gjykatës në Kushtetuese. Deputetët që votuan për zgjedhjen e Darko kostadinovskit gjykatës në Kushtetuese.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. Seanca për vlerësimin e kushtetuetshmërisë të këtij ligji fillimisht ishte caktuar për me 5 tetor por për shkak të ndjeshmërisë së situatës, u shty për më 11 dhjetor.