RMV-ja pret që BE-ja t’ia transferojë në tremujorin e parë të këtij viti paratë nga Agjenda Reformuese
Për marrjen e mbi 17 milionë eurove për vitin 2024 të destinuara nga Agjenda e Reformave, vendit i duhej të miratonte disa reforma dhe ligje deri në fund të dhjetorit 2024, që ishte kohë e shkurtër, pasi deri në mesin e dhjetorit shumicat prej tyre nuk ishin zbatuar. Në pyetjen drejtuar Ministrisë për Çështje Evropiane […]
Për marrjen e mbi 17 milionë eurove për vitin 2024 të destinuara nga Agjenda e Reformave, vendit i duhej të miratonte disa reforma dhe ligje deri në fund të dhjetorit 2024, që ishte kohë e shkurtër, pasi deri në mesin e dhjetorit shumicat prej tyre nuk ishin zbatuar. Në pyetjen drejtuar Ministrisë për Çështje Evropiane (MÇE) dhe Qeverisë, se a janë zbatuar të gjitha këto reforma pa hyrë viti 2025, ashtu sikurse e kërkon Agjenda e Reformave, nga këto institucione për Portalb.mk, njoftuan se reformat janë bërë dhe se nuk ka vonesa, ndërsa paratë pritet të merren ne tremujorin e parë të këtij viti.
“Maqedonia e Veriut nuk i ka tejkaluar afatet, zbatimi i reformave është në vazhdimësi të duhur dhe presim që këto mjete të transferohen në tremujorin e parë të këtij viti, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat juridike për harmonizim me BE-në. Pas miratimit formal të Agjendës reformuese 2024-2027, Maqedonia e Veriut filloi menjëherë zbatimin e hapave që rezultojnë nga kjo agjendë, duke u fokusuar në ato me afate më të shkurtra”, thuhet në përgjigjen e dy institucioneve.
Nga hapat e kërkuar, Qeveria dhe MÇE thonë se u miratua Ligji i Sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar në Sektorin Publik, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Shoqërive Tregtare dhe aktet nënligjore të Ligjit të Buxheteve.
“Të gjitha këto reforma rezultojnë si detyrime nga fushat reformuese – Menaxhimi, përkatësisht menaxhimi i financave publike dhe fusha reformuese – Mjedisi afarist”, thuhet në përgjigje.
Gjithashtu, nga Qeveria dhe MÇE, shtojnë më tej se në fazë të avancuar të realizimit janë edhe hapat që lidhen me funksionalizimin e strukturave drejtuese të parashikuara në indikacionin për tranzicion të drejtë dhe miratimin e planit vjetor për vitin 2025, si dhe hapi për plotësimin e vendeve vakante në gjyqësor dhe prokurori.
Për të mundësuar tërheqjen e mjeteve për zbatimin e këtyre reformave, thuhet se nevojitet përmbyllja e kornizës juridike me ratifikimin e marrëveshjes së grantit, e cila është në procedurë parlamentare, dhe nënshkrimi i marrëveshjes së huasë që u miratua së fundmi në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Reformat që kërkoheshin
Kërkohej Miratimi i të paktën 17 akteve nënligjore të parashikuara në Ligji për Buxhetet, duke përfshirë krijimin e regjistrit të subjekteve publike, rishikimin e klasifikimit buxhetor dhe zvogëlimin e numrit të shfrytëzuesve primar buxhetor me të paktën 40% në klasifikimin administrativ dhe Dekreti për menaxhimin e investimeve publike. Për zbatimin e kësaj reforme, vendit i premtohen 4,281,623 euro.
Reformë tjetër që vendi duhet ta bëjë pa hyrë në vitin e ardhshëm është ndryshimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare për të futur rregulla të reja për emërimin e anëtarëve të pavarur të bordit të shoqërive tregtare shtetërore. Ndryshimi i këtij ligji i sjell vendit 4.281.623 euro.
Gjatë vitit që lam pas, u kërkua që vendet e zbrazura për gjyqtarë dhe prokurorë plotësohen rregullisht në bazë të projeksioneve të Këshillit Gjyqësor/Këshillit të Prokurorëve Publikë pas zbatimit të strategjive për menaxhimin e burimeve njerëzore në gjykata. Kjo sjellë për vendin 2,140,811 euro.
Përmbledhur të gjitha këto shuma, me reformat e parapara që duhej të kryheshin deri në dhjetor 2024, vendi do të marrë gjithsej 17,126,494 euro.
Qeveria ose institucionet përgjegjëse duhet të dokumentojnë çdo progres për të përmbushur kushtet dhe të sigurojnë raportim të saktë për të justifikuar fondet e kërkuara.
Burimet për verifikimin e zbatimit të këtyre reformave do të jenë dokumente të hartuara nga institucionet përkatëse, raportet e dorëzuara në Qeveri, dhe publikimet zyrtare (p.sh., në Gazetën Zyrtare).
Ndryshe, Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut është e ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përcaktuar qëllimet dhe koherenca e Agjendës Reformuese, ndërsa në pjesën e dytë janë përshkruar fushat e politikave dhe reformave të ngjashme. Me këtë agjendë, pritet promovimi i një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe të besueshëm, i aftë ta mbështesë drejtësinë dhe garantimin e shtetit të së drejtës.
Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.
Ministria për Çështje Evropiane po zhvillon një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk është përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani siguroi se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të jetë e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
- LEXO: Agjenda reformuese e RMV-së identifikon një sërë sfidash, BE-ja do ta monitorojë zbatimin dhe do të vendosë për parat
- LEXO: Brukseli pret që me Agjendën reformuese RMV-ja të miratojë Kod të ri Penal dhe ligj për Prokurorinë
- LEXO: Mickoski dhe Murtezani prezantuan “Agjendën e reformave 2024-2027”, e cila pritet të miratohet nga KE