Popullsia në moshë pune në RMV do të ulet për rreth 470 mijë persona deri në 2055

Enti Shtetëror i Revizionit, në përputhje me Programin Vjetor të Punës për vitin 2025, ka kryer revizion të suksesit me temë ,,Plakja e popullsisë”. Me revizionin është përfshirë periudha nga viti 2014 deri në qershor 2024, me qëllim që të jepet përgjigje pyetjes në lidhje me masat dhe aktivitetet që ndërmarrin institucionet kompetente në Republikën […]

Prill 9, 2026 - 10:00
Popullsia në moshë pune në RMV do të ulet për rreth 470 mijë persona deri në 2055

Enti Shtetëror i Revizionit, në përputhje me Programin Vjetor të Punës për vitin 2025, ka kryer revizion të suksesit me temë ,,Plakja e popullsisë”. Me revizionin është përfshirë periudha nga viti 2014 deri në qershor 2024, me qëllim që të jepet përgjigje pyetjes në lidhje me masat dhe aktivitetet që ndërmarrin institucionet kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut për kujdesin ndaj personave të moshuar mbi moshën 65 vjeç dhe qëndrueshmërinë e fondeve pensionale në vend, ndërsa e ndërlidhur me plakjen e përshpejtuar të popullsisë në vend. Revizioni evidenton se në Republika e Maqedonisë së Veriut kujdesi për të moshuarit dhe qëndrueshmëria e sistemit pensional janë të pamjaftueshme, pavarësisht masave të ndërmarra. Shtylla e parë pensionale operon me deficit, ku 32,6%–43,6% e të ardhurave mbulohen nga buxheti, ndërsa vetëm në vitin 2024 transferet arritën rreth 690 milionë euro. Pensioni mesatar ka arritur rreth 27.143 denarë në vitin 2025, por rritja e tij nuk mbështetet në rritje të kontributeve, transmeton Portalb.mk.

“Me revizionin e zbatuar kemi fituar bindje të arsyeshme se edhe pse institucionet kompetente kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete, nuk është siguruar kujdes i plotë dhe adekuat për personat mbi 65 vjeç dhe për menaxhimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit pensional në kushtet e plakjes së përshpejtuar të popullsisë. Masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucionet kompetente nuk janë të mjaftueshme për qëndrueshmëri në afat të mesëm dhe afatgjatë; përkatësisht nuk janë ndërmarrë masat e nevojshme sistemore për të zvogëluar plakjen e shpejtë demografike të popullsisë dhe presionet në rritje mbi financat publike. Edhe pse sistemi pensional i dimensionuar në tre shtylla siguron pagesë të rregullt të pensioneve , qëndrueshmëria e tij faktike është cenuar për shkak të trendeve të pafavorshme demografike, shkallës së ulët të kontributeve, si dhe rritjeve të pensioneve që nuk bazohen në rritjen e pagave, punësimit dhe kontributeve. Edhe pse pensionet paguhen në kohë, kjo arrihet përmes rritjes së transfereve buxhetore dhe me shtyrjen e reformave të nevojshme strukturore”, thuhet në raport.

Portofolat investuese të fondeve të detyrueshme pensionale janë të përqendruara në obligacione shtetërore vendore, që e kufizon kthimin e mjeteve të investuara për shkak të efektit të inflacionit.

Përveç miratimit të disa dokumenteve strategjike, zbatimi i tyre nuk është në nivel të kënaqshëm. Pas skadimit të Strategjisë Kombëtare për të moshuarit në vitin 2020, shteti nuk ka miratuar dokument gjithëpërfshirës strategjik të dedikuar ekskluzivisht për popullsinë e moshuar. Shërbimet për të moshuarit janë të kufizuara, shërbimi i ndihmës në shtëpit e të moshuarve është i disponueshëm për më pak se 1% të personave mbi 65 vjeç dhe nuk është vendosur fare në 31 komuna. Pjesa dominuese e kujdesit vazhdon t’i takojë sektorit informal dhe familjeve.

Projeksionet demografike për vendin tonë janë negative, përkatësisht pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç pritet të arrijë mbi 34% deri në vitin 2055 , numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet më shumë se gjashtë herë krahasuar me gjendjen në vitin 2024, ndërsa popullsia në moshë pune do të ulet me pothuajse gjysmë milioni njerëz, që do të rrisë më tej presionet mbi financat publike.

Si rezultat i lartë theksuarës nevojitet një angazhim gjithëpërfshirës dhe ndërsektorial, me afate të qarta, financim të siguruar dhe ndarje të saktë të përgjegjësive për veprim.

Reformat strukturore të ndërmarra në kohë dhe të koordinuara do të kontribuonin në uljen e rreziqeve, përkatësisht sistemi i mbrojtjes pensionale dhe sociale të mund të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj plakjes së përshpejtuar të popullsisë.

Raporti i kryer i revizionit nga Enti Shtetëror i Revizionit, i cili analizon në detaje gjendjet në sistemin pensional, trendet demografike dhe kapacitetet për kujdes afatgjatë për personat mbi 65 vjeç, tregon se sistemi pensional në Republikën e Maqedonisë së Veriut përballet me sfida serioze për qëndrueshmëri, ndërsa kujdesi për të moshuarit mbetet i pamjaftueshëm dhe jofunksional në kushtet e plakjes së shpejtë demografike.

Shtylla e parë e sistemit pensional e cila është organizuar mbi bazë solidariteti, vazhdimisht operon me bilanc financiar negativ. Shpenzimet për pensione i tejkalojnë të ardhurat nga kontributet, ndërsa diferenca mbulohet me transfere nga Buxheti Qendror i shtetit.

Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesëmarrja e mjeteve buxhetore në të ardhurat totale të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor varion nga 32,6% dhe 43,6%. Në vitin 2024, transferet nga Buxheti Qendror arrijnë në 42.474 milionë denarë (afërsisht 690,6 milionë euro). Projeksionet për fundin e vitit 2025 tregojnë për rritje të mëtejshme të transfereve, që paraqet një rrezik të konsiderueshëm fiskal për buxhetin e shtetit.

Harmonizimi i pensioneve bëhet sipas modelit zviceran, që mundëson rritje të vazhdueshme të pensionit mesatar për periudhën e analizuar 2015–2025. Gjatë viteve 2024 dhe 2025, niveli i pensioneve është rritur në mënyrë lineare disa herë, pa u shoqëruar me rritje të pagave të të siguruarve dhe me rritje të numrit të kontribuuesve që paguajnë kontribute. Pensioni mesatar shënon rritje gjatë gjithë periudhës dhe në tetor 2025 arrin rreth 27.143 denarë, por kjo rritje financohet edhe me transfere buxhetore.

Portofolat e shoqërive të detyrueshme pensionale (shtylla e dytë) janë shumë të përqendruara në obligacione shtetërore, që siguron stabilitet, por kufizon mbrojtjen nga inflacioni dhe potencialin për kthim real më të lartë.

“Trendet demografike janë shqetësuese. Mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 32,3 vjet në vitin 2000 në 41,8 vjet në vitin 2024. Pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç po rritet, ndërsa pjesa e brezave më të rinj po bie. Arsye kryesor i rënies demografike nuk është vetëm nataliteti i ulët, por edhe emigrimi i popullsisë. Në vitet e fundit janë regjistruar ulje drastike: te fëmijët në klasën e parë, krahasuar me numrin e të lindurve gjashtë vite më parë, numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor është më i ulët për 2.774 nxënës, ndërsa te maturantët kjo diferencë është edhe më e lartë dhe arrin 34,6% (nga 22.585 të lindur gjallë / 14.771 maturantë)”, thuhet në raport.

Sipas projeksioneve të Entit Shtetëror të Statistikës, pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç do të rritet nga 19,1% në vitin 2025 në 32,6% në vitin 2050 dhe në 34,2% në vitin 2055. Numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet nga rreth 22.000 në vitin 2024 në mbi 144.000 në vitin 2055, ndërsa popullsia në moshë pune (15–64 vjeç) do të zvogëlohet për afërsisht 470.000 persona. Në mungesë të reformave në kohë dhe efektive, transferet nga buxheti për shtyllën e parë pensionale mund të arrijnë në 7,4% të BPV në vitin 2057, që do të sjellë ngarkesë serioze për Buxhetin Qendror .

Sistemi i kujdesit për të moshuarit është i pamjaftueshëm i zhvilluar. Pas skadimit të Strategjisë Kombëtare për të Moshuarit në vitin 2020, shteti prej shtatë vitesh nuk ka miratuar një dokument gjithëpërfshirës strategjik aktiv për kujdesin ndaj personave mbi 65 vjeç. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit 2024–2044 për herë të parë e trajton plakjen demografike si çështje ekzistenciale, por strategjitë e mëparshme të lidhura me këtë temë tregojnë dobësi sistemore: objektiva tepër të gjera, afate të paqarta, mungesë vlerësimesh financiare dhe koordinim joefikas.

Buxheti për mbrojtje sociale nga viti 2019 deri në vitin 2025 është rritur për 68,8%, por rritja është kryesisht e orientuar për pagesën e përfitimeve monetare (kompensim për ndihmë dhe kujdes nga person tjetër, pension social). Kompensimin për kujdes në vitin 2024 e kanë shfrytëzuar mbi 33.600 persona mbi 65 vjeç (60,2% e përfituesve) dhe në praktikë ai shërben si zëvendësim për një sistem formal të kujdesit afatgjatë, kryesisht përmes kujdestarëve që janë anëtarë të familjes së personit që ka nevojë për kujdes.

Pensioni social përfshin 13.230 përfitues, por shuma është dy herë më e ulët se pensioni minimal dhe nuk e ul varfërinë. Shërbimet formale për të moshuarit janë të kufizuara: shërbimi i ndihmës dhe kujdesit në shtëpi përfshin rreth 3.000 përfitues (më pak se 1% nga 315.000 persona mbi 65 vjeç) dhe nuk është i disponueshëm në 31 komuna në vend. Qendrat ditore kanë kapacitet prej vetëm 200 personash, ndërsa shtëpitë për të moshuarit disponojnë me 2.378 shtretër (7 shtretër për 1.000 banorë mbi 65 vjeç).

“Ndërkohë ekzistojnë lista pritjeje dhe shpërndarje e pabarabartë gjeografike (kryesisht në rajonin e Shkupit), çka është një tregues tjetër i kapaciteteve të pamjaftueshme të këtyre shërbimeve. Sipas projeksioneve të realizuara përfundim me vitin 2024 rreth 63.000 persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për kujdes afatgjatë, ndërsa deri në vitin 2050 ky numër pritet të rritet në 108.000 persona (rritje prej 70%). Për shkak të kësaj, pa një rritje të ndjeshme të kapacitetit, barra do të bjerë mbi familjet dhe sektorin joformal”, thuhet në raport.

Republika e Maqedonisë së Veriut ndodhet në një nga proceset më të shpejta të plakjes demografike në Evropë. Gjendja e përshkruar tregon nevojën për reforma urgjente sistemore – përfshirë rritjen e moshës së pensionimit, përshtatjen e normave të kontributeve, rishikimin e modelit të harmonizimit të pensioneve, diversifikimin e investimeve në shtyllën e dytë, si dhe rritjen e kapaciteteve të shërbimeve për të moshuarit.

Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për tejkalimin e dobësive të konstatuara, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e koordinimit, monitorimin dhe qëndrueshmërinë financiare të sistemit të kujdesit për të moshuarit, të cilat duhet t’u përgjigjen sfidave demografike në dekadat e ardhshme.

Kujtojmë se revizioni paraprak i performancës mbi programet e skriningut për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje tregon se, megjithëse këto programe zbatohen vazhdimisht, ato nuk arrijnë të sigurojnë mbulim adekuat të popullatës së synuar, diagnostikim cilësor dhe në kohë, apo ndikim të dukshëm në zbulimin e hershëm dhe uljen e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit dhe ai i qafës së mitrës. Problemet kryesore lidhen me mungesën e një strategjie afatgjatë, mbulim shumë të ulët të popullatës (nën standardet evropiane), dobësi në planifikimin financiar, mungesë të të dhënave të plota dhe sistemeve efektive të monitorimit, si dhe vonesa në diagnostikim. Për më tepër, mungesa e koordinimit institucional, kapacitetet e kufizuara njerëzore dhe infrastrukturore, si dhe gjurmueshmëria e pamjaftueshme e pacientëve, kufizojnë ndjeshëm efektivitetin e këtyre programeve.