Projektligji për çmimet tavan: Qeveria synon stabilitet, opozita kërkon sqarime
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka kërkuar sqarime nga ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila lidhur me pavarësinë e bordit i cili do të emërohet nga Kuvendi i Kosovës dhe do t’i raportojë këtij të fundit lidhur me projektligjin për çmimet tavan. Ajo i bëri disa pyetje ministres rreth pavarësisë së bordit dhe


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka kërkuar sqarime nga ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila lidhur me pavarësinë e bordit i cili do të emërohet nga Kuvendi i Kosovës dhe do t’i raportojë këtij të fundit lidhur me projektligjin për çmimet tavan.
Ajo i bëri disa pyetje ministres rreth pavarësisë së bordit dhe caktimit të marzhës.
“E para që shqetëson lidhur me këtë ligj: ashtu siç ministre e përmendët, ju keni mbajtur konsultime publike për këtë projektligj dhe konsultime në tryeza publike, që të dyja këto kanë qenë për tjetër ligj. Unë e kam parë ligjin që e keni dërguar herën e parë në Gjykatën Kushtetuese: aty flitet për sasi, këtu nuk flitet për sasi; aty flitet pa autoritet, këtu flitet për bordin. Pra, në masë të konsiderueshme dy ligjet dallojnë. Nëse thoni se jeni konsultuar njëherë për këtë ligj, kjo nuk qëndron sepse ai ka qenë tjetër ligj, edhe tani keni sjellë një ligj të ri në seancë. Po i përmbledh tri pyetje:
Konsultimet: Përveç kësaj, doja të më njoftoni për të gjitha kuotat që nuk kanë qenë në konsultim publik për këtë ligj.
Pavarësia e Bordit: Si e parashihni pavarësinë e këtij bordi, kur keni paraparë emërimin, procedurën e rekrutimit, përzgjedhjes dhe idenë për pesë kandidatë për monitorimin e vendeve të bordit, zbatimin e këtyre vendeve dhe udhëheqjen e tyre? Çfarë pavarësie ka ky bord kur gjithçka varet nga këta pesë-gjashtë njerëz që i zgjidhni ju dhe kur sekretariati është pjesë e bordit?
Përcaktimi i Marzhës: Si e përcaktoni marzhën, kur vetë ministrja flet për marzhë por në ligj nuk flitet për të? Unë kam një tjetër brengë: si keni menduar t’i përcaktoni çmimet dhe sa mbrohet konsumatori vërtet me këto çmime?
Për ta përmbledhur: pse nuk keni bërë konsultime publike të duhura për këtë ligj specifik (duke qenë se keni dërguar tjetër projektligj në Kushtetuese), pse kjo pavarësi e bordit është kaq e diskutueshme dhe si do të përcaktohet marzha?”, tha Ymeri.
Kusari – Lila përmendi vullnetin e Qeverisë dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të mbrojtur konsumatorin.
“Sot para nesh kemi një projektligj që synon të adresojë një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve tanë: koston e jetesës dhe sigurinë e furnizimit me produkte bazë në kohë krizash.
Siç u përmend edhe nga ish- ministrja Hajdari, ky nuk është një tentim i parë. Ne kemi pasur një ligj paraprak i cili, për fat të keq, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita dhe u kthye mbrapsht për shkak të disa vërejtjeve procedurale dhe teknike. Megjithatë, vullneti i kësaj qeverie dhe i këtij grupi parlamentar për të mbrojtur konsumatorin nuk është lëkundur.
Ky draft i ri që kemi sot, ka integruar të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Ai përcakton qartë se kur dhe si mund të ndërhyjë shteti në treg. Nuk bëhet fjalë për ekonomi të kontrolluar apo për goditje ndaj biznesit të lirë, siç po tentohet të propagandohet nga ana tjetër e sallës. Përkundrazi, bëhet fjalë për një mekanizëm mbrojtës që aktivizohet vetëm në raste të destabilizimit të theksuar të tregut. Pikë e rëndësishme e këtij projektligji është themelimi i bordit, i cili do të ketë një rol monitorues dhe vendimmarrës për kufizimin e marzhës tregtare. Ky bord do të jetë llogaridhënës para Kuvendit, duke siguruar kështu që çdo vendim të jetë i bazuar në fakte dhe të jetë transparent. Ne nuk mund të lejojmë që në emër të ‘tregut të lirë’, qytetarët tanë të përballen me rritje artificiale të çmimeve për produktet më elementare si buka, vaji apo sheqeri. Andaj, i nderuar komision, ky projektligj nuk është vetëm një vullnet politik, por është një domosdoshmëri për të mbrojtur qytetarin nga spekulimet e mundshme në treg. Ne kemi parë që në mungesë të një kornize të tillë ligjore, çmimet e produkteve bazë si mielli, vaji dhe sheqeri kanë pasur luhatje që nuk arsyetohen me koston e importit apo me trendet globale.
Ky projektligj i jep qeverisë dhe bordit kompetencën që në situata të jashtëzakonshme, të intervenojë me masa të përkohshme. Këto masa janë proporcionale dhe kanë një afat të caktuar kohor. Ne nuk dëshirojmë të dëmtojmë bizneset që operojnë ndershëm, por jemi këtu për të parandaluar ata që tentojnë të përfitojnë nga krizat në kurriz të familjeve tona.
I ftoj të gjithë anëtarët e komisionit që ta mbështesin këtë nismë, sepse stabiliteti i çmimeve për produktet elementare është garanci për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ky është mandati ynë dhe kjo është përgjegjësia që kemi marrë para tyre”, tha Kusari Lila.
Për caktimin e marzhës, e para e MINT-it tha se ndryshojnë kriteret për produktet vendore dhe të importuara.
“Për produktet e importuara që janë në analizë të çmimit të blerjes, investimit apo masave, përcaktimi i marzhës apo përcaktimi i çmimit maksimal përfshin: çmimin e blerjes së produktit, koston e transportit të llogaritur sipas legjislacionit në fuqi, detyrimet doganore, koston e zhdoganimit që përfshin kostot terminale doganore, ekspedicionin, kostot e ngarkesës, sigurisë së produktit, si dhe kosto tjetër të faturuar lidhur me zhdoganimin e produktit. Ndërsa për produktet vendore, gjithashtu është e paraparë që për qëllim të analizës, vlerësimit të marzhës së përkohshme, vendoset kostoja e prodhimit, kostoja e shpenzimeve të llogaritur sipas legjislacionit në fuqi për të. Në kuadër të kësaj, merren parasysh gjithashtu shpenzimet dhe shkalla e një përllogaritjeje e cila siguron që nuk e dëmton ose nuk e shtyn operatorin në punë me humbje, por parandalon disproporcionalisht rritjen e çmimit cilët do qofshin faktorët e jashtëm në situatat e destabilizimit të tregut”, tha Kusari Lila.
