Prokuroria e Shkupit ngriti aktakuzë kundër një 59 vjeçari, sulmoi seksualisht një të mitur

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, pas kryerjes së një procedure paraprake, ngriti aktakuzë kundër një 59-vjeçari i cili akuzohet për sulm seksual ndaj një të mituri, në përputhje me nenin 186, paragrafi 7, në lidhje me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk. Më 24 gusht 2024, në një park në lagjen […]

maj 6, 2025 - 13:00
 0  5
Prokuroria e Shkupit ngriti aktakuzë kundër një 59 vjeçari, sulmoi seksualisht një të mitur
Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, pas kryerjes së një procedure paraprake, ngriti aktakuzë kundër një 59-vjeçari i cili akuzohet për sulm seksual ndaj një të mituri, në përputhje me nenin 186, paragrafi 7, në lidhje me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Më 24 gusht 2024, në një park në lagjen Çair, i pandehuri kreu akte të tjera seksuale ndaj një fëmije që në atë kohë ishte 15 vjeç. Ai filloi ta prekte fëmijën, por fëmija i kapi dorën dhe e kërcënoi se do të telefononte policinë. Në atë moment, i pandehuri u përpoq të arratisej dhe të fshihej në hyrjen e një ndërtese. Fëmija mbylli derën e hyrjes dhe thirri policinë, e cila e arrestoi të pandehurin.

Për sigurimin e të pandehurit gjatë procedurës, janë në fuqi masat paraprake të përcaktuara nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, të cilat përfshijnë ndalim për largim nga vendi i banimit/vendbanimit, detyrim për t’u paraqitur te një autoritet shtetëror kompetent, konfiskim të dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror dhe ndalim për të vendosur kontakt me të dëmtuarin.