Qoku: VLEN-i ka 9 deputetë, të mirëseardhur janë edhe deputetët e ASH-së
Shefi i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku për Televizionin 21 tha se si parti kanë 9 deputetë në Kuvend dhe se janë të mirëseardhur të gjithë deputetët e ASH-së, që duan ta vazhdojnë betejën që e nisën si koalicion, transmeton Portalb.mk. “Ky subjekt politik, aktualisht tani i ka 9 deputetë, por natyrisht që mendohet […]


Shefi i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku për Televizionin 21 tha se si parti kanë 9 deputetë në Kuvend dhe se janë të mirëseardhur të gjithë deputetët e ASH-së, që duan ta vazhdojnë betejën që e nisën si koalicion, transmeton Portalb.mk.
“Ky subjekt politik, aktualisht tani i ka 9 deputetë, por natyrisht që mendohet se mund të vijnë edhe deputetë të tjerë, të gjithë ata deputetë janë të mirëseardhur, që janë rreshtuar për ndryshime në skenën politike shqiptare, për përmirësim të gjendjes së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Qoku.
I pyetur se a janë në komunikim me ndonjërin nga 5 deputetët e grupit parlamentar të ASH-së dhe a pretendoni që ndonjëri prej tyre t’ju bashkohet, ai tha se vazhdojnë të kenë raporte shumë të mira, pasi kanë kemi qenë brenda një grupi dhe se kanë bërë betejën bashkë deri tani.
Pra jemi të një, pra deputetët në vetvete janë të një mendimi që të mbesin si anti-korrupsion, anti-krim, anti-lista të zeza, dhe janë të mirëseardhur ata deputetë ta vazhdojnë këtë betejë”, tha Qoku.
Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.
Tani për tani, pikëpyetje mbetet fati i dy subjekteve politike për qëndrim më tej në qeveri. Muajin e fundit në disa paraqitje Mexhiti dhe Kasami ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, por kjo e fundit thotë se gjithçka varet nga vendimi i Mickoskit.
Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.