Pse fajet i kanë shqiptarët?

Shkruan: Ramadan Ramadani Ndjekësit e rregullt të LajmAnalizës dhe opinionit besoj se e kanë vërejtur se prej dallim nga analizat e mëhershme tani tre muaj me rradhë analiza e javës së kaluar ishte përkthyer pjesërisht dhe dhënë edhe në gjuhën maqedone në disa media periferike në atë gjuhë. Sigurisht që jemi falenderues për prezencën dhe […]

shkurt 25, 2025 - 03:00
 0  3
Pse fajet i kanë shqiptarët?

Shkruan: Ramadan Ramadani

Ndjekësit e rregullt të LajmAnalizës dhe opinionit besoj se e kanë vërejtur se prej dallim nga analizat e mëhershme tani tre muaj me rradhë analiza e javës së kaluar ishte përkthyer pjesërisht dhe dhënë edhe në gjuhën maqedone në disa media periferike në atë gjuhë. Sigurisht që jemi falenderues për prezencën dhe hapësirën e dhënë edhe në atë pjesë të opinionit të përgjithshëm në vend, por për hir të saktësisë na u desht ta përkthejmë të plotë dhe publikojmë në media korekte sepse shumë e kishin deformuar dhe dhënë me shtrembërime në atë njërën gjuhë zyrtare në shtet. Por, deformimet e shtrembërimet na ndihmuan të detektojmë se cilat pjesë ju kishte djegur më së shumti qarqeve dashakeqe të Maqedonisë; kjo sepse çdokush që merret me rrena dhe montime ia do të keqen këtij vendi dhe nuk duron as analiza të vërteta dhe as diagnoza. Pjesa e parë e demontuar ishin shifrat bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve dhe fakti se shumica nuk është shumicë dominante, por vetëm një mezi shumicë prej 53-54 % dhe e dyta ishin shtetësitë bullgare që në analizën në fjalë u cekën vetëm për ilustrim se si tentim dominimi përcillet në opinion dhe jo si temë në vete; që gjithsesi meritojnë të trajtohen veçmas pasi shfaqin shumë paqartësi dhe frika të cilat qytetarët i vërejnë si sjellje dhe simptoma të, prapë ta përsëris, shumicës së vetshpallur të opinionit në këtë vend.

Të kthehemi në këtë LajmAnalizë për të cilën paralajmëruam se do jet vazhdim i asaj paraprake ku mendojmë se gjetëm, diagnostifikuam dhe argumentuam njërën nga sëmundjet e këtij shteti: tentimin për dominim etnik në një shtet multietnik! Në fund patëm cekë se për këtë i kanë fajet shqiptarët dhe më poshtë do sjellim disa pika për të argumentuar këtë faj:

  1. Sistemi zgjedhor dhe njësitë zgjedhore që kështu si janë në gjashtë njësi zgjedhore dhe me këtë model kryesisht janë të padrejtë ndaj votës shqiptare. Argument për këtë është se asgjë tjetër në sistemin shtetëror nuk është e ndarë kështu në gjashtë dhe me këta kufij, as rajonet e zhvillimit as ato të policisë. Vetëm njësitë zgjedhore janë në gjashtë. Që qartë dëshmon se nuk ka ndonjë logjikë gjeografike ose sociale tjetër, pos të jet në dëm të votës dhe përfaqësimit politik shqiptar. Për çdo ndryshim dhe reformë shqiptarët politikisht duhet të kërkojnë edhe rindarje të këtyre njësive pasi sipas analizave krejt modelet tjera edhe tre, katër e edhe tetë më shumë do ishin të drejta ndaj votës shqiptare. E jo aspak të mos trajtojnë këtë çështje sikur ishte rasti në dy palë zgjedhje parlamentare kur edhe margina e lejuar me ligj prej minus plus 3 përqind u tejkalua në njësinë numër 6 dhe askush nuk e kontestoi këtë gjë. Kjo ndarje e padrejtë është edhe arsyeja kryesore që prodhon kësi disproporcionaliteti në përfaqësimin në deputetë ku shqiptarët duken të gëzuar nëse dhe kur arrijnë të kenë 30 deputet që është vetëm 25 përqindëshi i kuvendit ndonëse do duhej gjithnjë të jenë më afër numrit prej 40 deputet pasi ajo është më e afërt e përqindjes prej një të tretës së popullatës dhe votës së përgjithshme në shtet.
  2. Dalja në votime dhe numri i votave shqiptare kur çdo analizë me numra të saktë na nxjer se numri i përgjithshëm i votave të artikuluara në subjekte shqiptare nuk e kalon 230 mijëshin në numrin e përgjithshëm të votave në ndonjë palë zgjedhje kur edhe numri total i votave shkon edhe deri mbi një milion e sipas përqindjes gjithnjë do duhej të ishte diku ka 300 mijëshi! Sigurisht se për këtë punën kryesore duhet të bëjnë subjektet politike që të ndjellin më shumë dalje në votimë nga ana e shqiptarëve, por edhe vet votuesit në këtë sistem aktual zgjedhor kur bojkoti nuk funksionon, kjo pasi në një njësi zgjedhore edhe 20 vota të dalin do dalin 20 deputet, duhet të jenë më të dishëm dhe vigjilent se me mosdaljen e tyre vetëm e shtojnë disproporcionalitetin evident në përfaqësim politik; edhe në deputetë e edhe mandej në qeveri ku shohim se popullata mezi shumicë, prej 53-54 përqindve, ka deri edhe 90 përqind të pushtetit dhe qeverisë?! Ama del kështu se vota dhe dalje ka pasë në përqindje më të madhe, mandej deputetë ka marrë me më shumë përqind e si rrjedhojë do ket edhe përfaqësim ende më të madh në ekzekutiv.
  3. Shqiptarët nuk e folin dhe nuk e trajtojnë konstituencën e këtij shteti. Ashtu që edhe sipas kushtetutës dhe ligjeve e edhe sipas realitetit aktual dhe historisë ky shtet është i krejt qytetarëve të saj dhe shqiptarët e këtuhit e kanë vetëm këtë shtet. Dmth Shqiptarët e Maqedonisë e kanë shtet këtë Maqedoni të veriut ku jetojnë e zhvillojnë, paguajnë tatim dhe edhe e mbrojnë. As nuk marrin shtetësi të Shqipërisë e as nuk i paguajnë tatime Kosovës! Këto fjali gati gjithnjë nënkuptohen, por rrallë herë thuhen dhë përsëriten që të dihen nga gjithë. Edhe sa i përket konstituencës historike të këtij shteti duhet vazhdimisht theksuar se paraqitja e parë me status politik e këtij kombi si entitet politik në histori ka ndodhë vetëm si republikë në suaza të SFRJ-së dhe ate si shtet i kombit maqedonas dhe atëherë të emëruara si kombësi shqiptarët dhe turqit. Pra edhe konstituenca e këtij shteti as tani e as në histori asnjëherë nuk është dhe nuk ka qenë ekskluzive vetëm e të vetidentifikuarve si maqedonas.

Përmbledhur shkurt fajet për tentim dominim etnik në këtë shtet multietnik i kanë edhe shqiptarët, sigurisht në masë dhe sipas proporcionit të tyre e kjo duhet të jet ndjellje që të përmirësojmë; kjo sepse ne e kemi bë këtë shtet, ne e mbajmë me tatime dhe e mbrojmë, e pse të mos e udhëheqim e votojmë?!