Punimet për rrugën Tetovë-Prizren në RMV nuk kanë filluar ende kurse ministrat shkuan në Kosovë t’i inspektojnë punët

Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski së bashku me zëvendësministren Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovski dhe zëvendësi Nazim Taipi kanë qëndruar në Kosovë me ftesë Ministrit të transportit të Kosovës Liburn Aliju. Ata kanë inspektuar edhe punimet në rrugën Prizren – Tetovë, shkruan Portalb.mk.  Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit […]

Jan 29, 2025 - 15:00
 0  5
Punimet për rrugën Tetovë-Prizren në RMV nuk kanë filluar ende kurse ministrat shkuan në Kosovë t’i inspektojnë punët
Inspektimi i punëve në Kosovë për rrugën Prizren - Tetovë. Foto: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (RMV)

Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski së bashku me zëvendësministren Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovski dhe zëvendësi Nazim Taipi kanë qëndruar në Kosovë me ftesë Ministrit të transportit të Kosovës Liburn Aliju. Ata kanë inspektuar edhe punimet në rrugën Prizren – Tetovë, shkruan Portalb.mk

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski tha se rruga Tetovë-Prizren është e rëndësishme për gjithë rajonin. 

“Qëllimi jonë është të punojmë në përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërtimit të infrastrukturës së re, definitivisht kjo rrugë do të jetë lidhje më e shkurtër me të gjitha pjesët e Maqedonisë Perëndimore. Do të jetë një lidhje alternative me Shqipërinë Veriore dhe Malin e Zi. Kjo rrugë do të hapë shumë mundësi. Ne kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët dhe sipas saj ne jemi duke e filluar pjesën tonë të punës. Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore po shpall tenderin për projektimin e pjesës sonë të rrugës dhe së bashku duhet të projektojmë tunelin që duhet të lidhë të dyja anët”, tha Nikolloski. 

Ai tha se do të diskutohet se ku do të vendoset kufiri sepse nuk mund të jetë në tunel, por që do të dakordësohet, por ai theksoi se do të jetë një pikë-kalim kufitar.

“Jo vetëm si ministër i Transportit por edhe si zëvendëskryeministër dua ta mbështes këtë projekt. Projektimi do na jep përgjigjen e saktë se sa do të jetë shuma e projektit”, tha Nikolloski. 

Nga ana tjetër, ministri i Transportit i Kosovës Liburn Aliu tha se ky projekt jo vetëm që lehtësojë lidhjen ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës, gjithashtu krijon kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe lidhje të korridoreve. 

Aliu tha se i gjithë ky projekt do të vazhdojë në ndërtimin e dizajnit të tunelit ku të dyja vendet kanë ndarë buxhet.

“Marrëveshjet e nënshkruara janë duke u zbatuar”, tha Aliu. 

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së Kaltrina Zekolli Shaqiri theksoi se Qeveria e ka ndarë buxhetin për vitin 2025 sa i përket fazës së projektimit. 

“Jemi këtu për të treguar se si Qeveri kemi ndarë buxhetin për vitin 2025 sa i përket fazës së projektimit, buxhet ky që ndahet nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”. Në bazë të një memorandumi që është nënshkruar në vitin 2021, tani në vitin 2025 menjëherë po fillojmë të punojmë për të filluar me fazën e parë të projektimit të pjesës së 13 kilometërshit, rrugës në territorin e RMV-së”, tha Zekolli Shaqiri. 

23 janar 2025 zëvendësdrejtori i Rrugëve Shtetërore Nazim Taipi përmes një njoftimi tha se “Ndërmarrja Publike për Rrugë shtetërore ka përfshirë në programin e vitit 2025 Rrugën Tetovë – Prizren (fillimi i procedurave për projektin). 

Kujtojmë që më 9 janar 2025 edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se në vitin 2025 do të shpallet tenderi për projektimin e tunelit. 

“Veç më janë formuar grupet e punës të cilët punojnë në drejtim të shpalljes të tenderit për projektimin e tunelit dhe në bashkëbisedim me drejtorinë e Rrugëve Shtetërore, jemi dakorduar që edhe projektimi i segmentit nga Tetova deri në hyrje të tunelit të futet në Programin e Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore. Besoj se në 2025 do të shpallet edhe tenderi për projektimin e tunelit, por edhe do të nisë projektimi i segmentit nga Tetova deri në hyrje të tunelit ”, tha Kasami. 

Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.