Qeveria e RMV-së po shpejton ta ndryshojë Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik për të ndryshuar dhe udhëheqësinë
Në seancën plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që po vazhdon ende, si plotësim i rendit të ditës e pa asnjë paralajmërim, me procedurë të përshpejtuar janë dorëzuar amendamente për Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karater Publik. Drejtoresha aktuale e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në […]
![Qeveria e RMV-së po shpejton ta ndryshojë Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik për të ndryshuar dhe udhëheqësinë](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/09/Qeveria-e-Maqedonise.jpg?fit=960%2C640&quality=89&ssl=1)
![Qeveria e Maqedonisë së Veriut 2024. Foto: Qeveria](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/09/Qeveria-e-Maqedonise.jpg)
Në seancën plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që po vazhdon ende, si plotësim i rendit të ditës e pa asnjë paralajmërim, me procedurë të përshpejtuar janë dorëzuar amendamente për Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karater Publik. Drejtoresha aktuale e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, Pllamenka Bojçeva thotë se këto ndryshime kanë për qëllim largimin e saj nga kjo pozitë, njofton Portalb.mk.
Kjo po ndodh ndërkohë që po vazhdon puna e grupit të punës për ndryshimin e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, që u formua në shtator të vitit të kaluar në Ministrinë e Drejtësisë.
Ndryshimet e propozuara kryesisht kanë të bëjnë me kushtet për shkarkimin e drejtorit të organit të pavarur – Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, pozitë në të cilën për momentin ndodhet Pllamenka Bojçeva. Në amendamentet e propozuara, për të cilat po diskutohet për momentin në Kuvend, thuhet se drejtori do të shkarkohet “nëse nuk i dorëzon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut raport vjetor për punën e Agjencisë në pajtim me këtë ligj”.
“Agjencia për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik është e obliguar që në afat prej 15 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, të dorëzojë pranë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut raport vjetor për punën për vitin paraprak”, thuhet në ndryshimet e këtij Ligji.
Pikërisht ky afat kohor prej 15 ditësh është shkak për dyshime për tendenciozitet, thotë drejtoresha Bojçeva, e cila për Meta.mk thotë se ndryshimi është legjitim, por qëllimi i të gjithë kësaj është largimi i saj nga detyra.
“Ndryshimi i propozuar është legjitim, por po bëhet për të më shkarkuar mua. Ky është qëllimi dhe tendencioziteti reflektohet në pjesën ku thuhet se nëse drejtori i Agjencisë nuk dorëzon raport vjetor për punën brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ndryshimi ligjor, do të shkarkohet. Më parë ky afat ishte data 31 mars. Edhe sikur të bëhet gati për 15 ditë, atë nuk do ta miratojnë në Kuvend, gjë që në ndryshimet e reja gjithashtu është edhe kusht për shkarkimin e drejtorit”, thotë Bojçeva.
Ajo tashmë për pesë vjet është drejtoreshë e këtij organi. Ajo thotë se çdo vit, në pajtim me rregullin paraprak, raporti vjetor përgatitej dhe dorëzohej jo më vonë se në 31 mars.
“Deri atëherë, ne e kemi përgatitur raportin tonë ngadalë, me kujdes. Mandati im përfundon në fund të vitit 2025, e gjithë kjo gjë për largimin tim po bëhet për vetëm disa muaj”, shton Bojçeva.
Në Ligjin e ndryshuar është theksuar se në cilat raste shkarkohet drejtori dhe zëvendësi i tij.
“Drejtori i Agjencisë, ose zëvendësi i tij mund të shkarkohet para përfundimit të mandatit për të cilin është emëruar nëse nuk dorëzon raport vjetor për punën e Agjencisë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në pajtim me këtë ligj, nëse Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e miraton raportin vjetor për punën e Agjencisë, nëse ai në mënyrë të qartë i shkel rregullat për konflikt të interesit, ose për përjashtim në situata në të cilat drejtori ose zëvendësi i tij kanë qenë në dijeni ose është dashur të jenë në dijeni për ekzistimin e ndonjërës nga bazat për konflikt të interesit, ose përjashtim të paraparë me ligj, ose nëse pa shkaqe të arsyeshme nuk i respekton afatet për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara në pajtim me këtë ligj”, thuhet në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik.
Përndryshe, e drejta për qasje të lirë në informacion me karakter publik është përfitim themelor demokratik dhe një mjet për gazetarët, e sidomos për gazetarët investigativë, gjatë punës së tyre për zbulimin e keqpërdorimit me pushtetin.
- Sa rrogë merr një ministër, drejtor apo funksionar i caktuar?
- Sa para kanë shpenzuar deputetët për shpenzimet e udhëtimit?
- Sa vendime gjyqësore janë marrë për dhunë në familje?
- Sa kushtojnë dekorimet e Vitit të Ri për çdo qytet të vendit?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet që qytetarët mund t’i përdorin dhe të marrin përgjigje duke e përdorur Ligjin për Qasja të Lirë në Informatat me Karakter publik. Çdo institucion që disponon me para publike, sipas ligjit, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të parashtruara të qytetarëve, organizatave joqeveritare, gazetarëve dhe të gjithë personave fizikë dhe juridikë brenda 20 ditëve.
- LEXO: Sa rrogë merr një ministër, drejtor apo funksionar? Qasja në informata e penguar me padi gjyqësore, jotransparencë dhe heshtje
Kujtоjmë se në nëntor të vitit të kaluar (2024), Regjistri Qendror për disa muaj e ndaloi praktikën e qasjes së lirë të gazetarëve.