Qindra miliona euro dëm në buxhetin e Maqedonisë V. – Konfiskim minimal i pasurisë
Në dhjetë vjetët e fundit, buxheti i Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për më shumë se 244 milionë euro, tregon analiza e Radios Evropa e Lirë që përfshin 30 raste të profilit të lartë të gjyqësorit. Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata të konfiskojë pronën e dhjetëra të akuzuarve në vlerë prej 62 milionë eurosh, ndërsa […]
Në dhjetë vjetët e fundit, buxheti i Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për më shumë se 244 milionë euro, tregon analiza e Radios Evropa e Lirë që përfshin 30 raste të profilit të lartë të gjyqësorit. Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata të konfiskojë pronën e dhjetëra të akuzuarve në vlerë prej 62 milionë eurosh, ndërsa gjykata ka miratuar konfiskimin në 5 çështje me vlerë 49 milionë euro. Apartamentet e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, ende presin vendimin e Qeverisë.
Gati 62 milionë euro do të mund të “peshojë në letër” Agjencia për Pronën e Konfiskuar, nëse gjykata do t’i pranonte kërkesat e prokurorëve për sekuestrimin e pronës së fituar përmes krimit, për 30 raste gjyqësore me profil të lartë gjatë 10 vjetëve të fundit.
Sipas lëndëve të analizuara, Gjykata në pesë nga 30 rastet gjyqësore ka vendosur që nga 62 milionë euro të kërkuara, të konfiskohen prona me vlerë prej 49 milionë eurosh. Nëse deri tani këto para do të ishin mbledhur, shteti mund t’i përdorte, për shembull, për të paguar interesin e kredisë hungareze për tre vjetët e parë, ose për të ndërtuar të paktën 30 shkolla të reja.
Bëhet fjalë për aktgjykime me konfiskim që, edhe pas disa vjetësh nga hyrja në fuqi, ende nuk janë plotësisht të realizuara dhe të paguara. Këto vendime janë në rastet si “Perandoria” në të cilin janë dënuar ish-shefi i Drejtorisë për Kundërzbulim (DSK) Sasho Mijallkov dhe biznesmeni që është në listën e zezë amerikane Jordan Kamçev, ish-kryeministri Nikolla Gruevski për “Parcelat në Vodno”, biznesmeni Sead Koçan në rastin “Trusti”, ish-agjentët e zbulimit që janë në arrati – Nikolla Boshkoski, Toni Jakomoski dhe Goran Grujevski – si dhe pronarja e kompanisë Vera Ivanova në rastin “Diamed”.
Mirëpo, në realitet, llogaria bankare e Agjencisë është shumë më “e hollë”.
Gjithsej 11.3 milionë euro u depozituan në llogarinë buxhetore nga Mijallkovi dhe Kamçevi në vitin 2022. Më pas duhej të shiteshin pronat e patundshme dhe aksionet bankare që ishin pjesë e konfiskimit. Por, dy vjet më vonë, një pjesë e madhe e tyre ende nuk është shitur. Një pjesë pret vendimin e Qeverisë për realizimin e një ankandi.
Mijallkovit iu konfiskua pasuri me vlerë prej 15 milionë eurosh. Shteti, edhe pse shpresonte se me shitjen e pronës do të mblidhte 21 milionë euro, kjo nuk ndodhi dhe shuma totale e mbledhur është shumë më e ulët se sa pritej.
Agjencia për Konfiskimin e Pronave në vitin 2023 pati ankesa në publik se mbi ta po ushtrohen presione nga Mijallkovët që të mos i shesin apartamentet e konfiskuara. Tri apartamente, të cilat Byroja e Ekspertizës i vlerësoi me 330.200 euro, në ankandin publik u blenë nga kompania “Best Way Investment”, e cila është në pronësi të djalit të tij, Jordan Mijallkov.
Këto apartamente, të cilat ndodhen në Vodno, në rrugën Sllavejko Arsov, pranë shtëpisë së Sasho Mijallkovit, u konfiskuan në rastin “Perandoria”.
Nga e gjithë pasuria e konfiskuar e Mijallkovit, deri më tani janë shitur dy apartamente në Ohër dhe një tokë ndërtimi në fshatin Radnjë (midis Demir Kapisë dhe Kavadarit) me vlerë prej 250 mijë eurosh, tri apartamente dhe një garazh në shumën prej 332 mijë eurosh. Në total, nga shitja në buxhet janë kthyer pothuajse 600 mijë euro.
Apartamentet e ish-kryeministrit Gruevski ende nuk janë ofruar në tregun e pasurive të paluajtshme. As Qeveria e mëparshme, e as aktualja nuk kanë dhënë pëlqimin për shitjen e tyre, ndonëse vendimi është bërë i plotfuqishëm tash e një vit. Vlera e tyre e përllogaritur arrin në 1.9 milion euro.
Një tjetër pronë, të cilën Gruevski e ndante me kushëririn e tij Mijallkov, parcelat në Vodno, ende është në pronësi të shtetit. Sipas hulumtimit të “BIRN Prizma”, Komuna Qendër në Shkup kërkon të fshihen shenjat ndërtimore për haciendat, por Agjencia ka insistuar që ato të mbeten parcela ndërtimore.
Konfiskimi më i madh i parashikuar me vendim gjyqësor prej 17 milionë eurosh në rastin “Trusti” ku u dënua biznesmeni Sead Koçan për tender të paligjshëm për mihjen e qymyrit në “KXE – Manastir” në vitin 2011, mbeti i bllokuar në procedurat ligjore. Procedura e falimentimit ia “shpëtoi” një pjesë të madhe të pronës së Koçanit, që për vite me radhë nuk mund të regjistrohej në pronësi të shtetit. Agjencia atëherë pohonte se ky konfiskim është i pazbatueshëm.
Konfiskimi tjetër për nga madhësia, që pret një vendim të plotfuqishëm është për rastin “Diamed” ku, sipas aktakuzës, qëllimi i Ivanovës ishte të fitonte monopol në treg me një licencë 20-vjeçare dhe rritje të shumëfishtë të vlerës së aksioneve të saj, në vend të kryerjes së dializës.
Vlera e këtij konfiskimi është mbi 11 milionë euro. Sipas vendimit të shkallës së parë, shteti duhet të konfiskojë nga Ivanova 3.2 milionë euro, ndërsa nga një person juridik i përfshirë në rast është caktuar konfiskimi prej 8.2 milionë eurosh.
Vitin e kaluar Agjencia “inkasoi” 1.6 milion euro
Vetëm vitin e kaluar Agjencia ia doli të “inkasojë” vetëm 1.6 milion euro nga shitja e pronës që me vendim të gjyqësorit ishte bërë pronë e shtetit.
Më 13 shkurt 2024 u publikua shpallja e fundit për shitjen e pronës së konfiskuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar. Atëherë për shitje ishin shpallur shtatë automjete. Që nga ajo kohë nuk ka pasur njoftime për ankande dhe shitje të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme të sekuestruara me vendim gjyqësor.
Arsyet pse vjet agjencia nuk zbatoi procedurë për shitje të pronës së paluajtshme janë objektive, thonë në përgjigjet e këtij institucioni për Radion Evropa e Lirë.
“U miratua ligji i ri i Agjencisë, pasoi procesi zgjedhor, nuk kishte këshill funksional drejtues i cili u formua vetëm në tetor të vitit 2024 dhe tani jemi në fazën e miratimit të statutit të agjencisë, si dhe të rregulloreve të punës që janë kusht për fillimin e publikimit të shitjeve të reja, si dhe të menaxhimit të plotë të pasurisë së konfiskuar”, thonë nga Agjencia për Konfiskimin e Pronës.
As Qeveria në gjashtë muajt e fundit nuk ka dhënë pëlqim për shitjen e pronës së konfiskuar me vendim gjyqësor, tregojnë të dhënat nga Gazeta Zyrtare. Sipas këtyre të dhënave, Agjencia u përmend vetëm dy herë në mbledhjet e Qeverisë, një herë gjatë ndërrimit të ish-drejtorit Driton Nebiu dhe herën e dytë gjatë ndryshimit të anëtarëve të bordit drejtues.
Vendimi i fundit për pëlqim për shitjen e pronës së konfiskuar është nënshkruar nga ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi më 13 shkurt të vitit të kaluar. Atëherë në rend dite ishte parcela e Mijallkovit në fshatin Maran, afër Komunës së Studeniçanit, vlera e së cilës u llogarit të jetë 200 mijë euro.
Këto janë vetëm disa pjesë të lëndëve, për të cilat gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurisë, pasi janë fituar nëpërmjet krimit. Sipas të dhënave statistikore të organizatës joqeveritare “Të gjithë për një gjykim të drejtë”, gjykatat në më pak se një të pestën e rasteve të analizuara vendosin për konfiskimin e pasurisë.
Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm në numrin e vogël të vendimeve për konfiskimin e pasurisë. Një pjesë e madhe e rasteve, ku shteti është dëmtuar, nuk kanë marrë epilog gjyqësor.
Për një dekadë, arka shtetërore është dëmtuar për 244 milionë euro
Të dhënat për 30 rastet gjyqësore me profil të lartë që Radio Evropa e Lirë i ka analizuar tregojnë se gjatë dhjetë viteve të fundit, nga buxheti i Maqedonisë së Veriut në “xhepa privatë” kanë përfunduar të paktën 244 milionë euro.
Këto para, nuk do të kthehen në buxhet, për shkak se gjysma e këtyre lëndëve janë vjetruar si vepra penale “bashkim kriminal” dhe “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.
Për një pjesë të rasteve që nuk janë vjetruar, si pengesë dolën dy prokurorë nga Prokuroria e Lartë, duke i bllokuar procedurat.
Sipas hetimit të deritashëm, siç thotë prokurori republikan Ljupço Kocevski, katër raste në të cilat dëmi për buxhetin është rreth 10 milionë euro, janë bllokuar në “sirtar” pas procedurës së ankimimit.
Kundër prokurorit në Prokurorinë e Lartë, Jovan Cvetanoski, dhe shefit të tij Mustafa Hajrullahu, janë ngritur procedura disiplinore, por edhe hetim pasi nuk kanë ushtruar ankesë nga aktgjykimi ose kanë hequr dorë nga aktakuza.
“Bëhet fjalë për lëndë që në të vërtetë përbëjnë shuma të mëdha. Njëri rast është për rreth 840.000 euro, dhe ankesa është tërhequr. Rasti i dytë është për një shumë-shumë më të madhe, bëhet fjalë për rreth tetë milionë euro. Rasti i tretë dhe i katërt, nëse mblidhen bashkë, mbase mund të kenë gjithsej rreth dhjetë milionë euro për të katërtat, ku ankesa është tërhequr ose padia është tërhequr. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për shuma shumë-shumë të larta, do të thotë se këtë e kanë bërë vetëm prokurori që është përpunuesi i rastit dhe prokurori i Lartë Publik”, deklaroi Kocevski në një intervistë për emisionin “360 gradë”.
Kjo nuk është procedura e parë disiplinore kundër Jovan Cvetanovskit. Në vitin 2017, ndaj tij, si zëvendësprokuror i ish-shefes së Prokurorisë së Shkupit Gordana Geshkovska, u nis një tjetër procedurë disiplinore, për mosmarrjen e masave pas së “enjtes së përgjakshme” të 27 prillit, kur ndodhi sulmi i dhunshëm në Kuvend. Këshilli i Prokurorëve Publikë, pas pesë vjetësh “shqyrtimi të procedurës disiplinore” konstatoi se ajo ishte e vonuar.
Lënda e madhe për të cilin flet Kocevski është “Banka Postare” në të cilën biznesmenët Tome Gllavçev dhe Ratko Dimitrovski u akuzuan për pastrim parash dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Goditjen e parë në këtë rast e dha Kodi Penal i ndryshuar, duke bërë që vepra penale e shpërdorimit të detyrës zyrtare të skadojë. Prokurori e ndryshoi akuzën vetëm në pastrim parash, por gjykatësja e vlerësoi se meqë është përfshirë shpërdorimi, nuk mund të ndiqet për veprën penale “pastrim parash”.
Dënimin me vdekje të kësaj lënde ia përshkroi prokurorit të Prokurorisë së Lartë, i cili e tërhoqi ankesën ndaj aktvendimit gjyqësor.
Ky është një nga rastet e hapura nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), dhe më pas e mori Prokuroria Publike.
Lënda e dytë e madhe për të cilën po zhvillohet procedurë disiplinore kundër Cvetkoskit është “Talir 2” ku është ngrirë prona e VMRO DPMNE-së, përfshirë edhe selinë në Pallatin e Bardhë në Shkup, si dhe rreth tridhjetë shtabe partiake të blera me fonde të ndaluara financiare.
Nga Gjykata e Apelit, si organ gjyqësor i shkallës së dytë ku prokurorët e lartë marrin masa, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, në lidhje me numrin e rasteve të tjera kur është tërhequr ankesa ose është ndërprerë procedura me vendim të prokurorit të Lartë.
“Gjykata e Apelit në Shkup nuk mban evidencë të veçantë dhe as nuk disponon të dhëna statistikore për rastet që kanë dalë nga afera e përgjimit të jashtëligjshëm dhe që kanë kaluar në prokuroritë e rregullta”, thonë nga Gjykata e Apelit.
Arsyet kur shteti mund të konfiskojë pasurinë
Në raportin e Bashkimit Evropian (BE) për përparimin e vendit, theksohet se mekanizmi – konfiskimi i pasurisë së arritur përmes aktiviteteve kriminale, shumë pak zbatohet në praktikë.
Sipas ligjeve maqedonase, shteti mund të konfiskojë pasuri për katër arsye:
– Konfiskimi në procedurë penale
– Konfiskim i zgjeruar
– Në procedurë tatimore
– Në procedurë civile.
Procedura e fundit është sipas ligjit të ri që është në fuqi që nga shtatori i vitit të kaluar. Për zbatimin e tij, pra për prejardhjen e pasurisë, është përgjegjëse Drejtoria e Policisë Financiare. Drejtori i saj, Slobodan Ivanovski, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë tha se planifikon këtë vit krijimin e ekipeve në dy departamente të specializuara që do të punojnë për këtë problematikë.
“Na kanë mbërritur dy nisma nga Prokuroria e Lartë Teknike. Ne po veprojmë sipas tyre, kryejmë kontrollet e para dhe përcaktojmë shumën neto të asaj prone që nuk mund të vërtetohet se është nga burime ligjore”, deklaroi ai.
Nga katër llojet e konfiskimit, më së shumti aplikohet ai në procedurë penale, pra, kur shteti bëhet pronar i pronës së të dënuarit, për të cilën është vërtetuar se është fituar përmes veprës penale. Megjithatë, partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat joqeveritare vendase janë të pakënaqura me zbatimin praktik të konfiskimit të pronës.
Drejtori Ekzekutiv i Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Darko Avramovski, thotë se dy faktorë kyç ndikojnë në rezultatet e dobëta gjatë konfiskimit të pronës në procedurën penale. I pari është korniza ligjore së bashku me të gjitha pasaktësitë dhe paqartësitë e saj, dhe kapaciteti i institucioneve për të kryer me kohë dhe në mënyrë efektive konfiskimin e më pas edhe shitjen e pronës së fituar përmes krimit.
Ai shpjegon se, mungesa e definicionit të qartë në ligj se kush është përgjegjës për të kërkuar konfiskimin, lë hapësirë për “interpretim të lirë dhe hedhjen e topit” mes gjykatësve dhe prokurorëve.
Kur është fjala për faktorin e dytë, kapacitetet institucionale, thotë ai, mungojnë para, aftësi dhe njerëz që mund ta kryejnë punën.
“Prokuroritë publike kanë shumë pak hetues financiarë në dispozicion për të kryer hetime të pavarura. Njëherësh,në shtet nuk ka ekspertë që merren me të ashtuquajturin “kontabilitet forenzik”, të cilët mund të ndjekin rrjedhën e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë edhe shumëfishimin e saj ligjshëm”, thotë Avramovski.
Në listën e problemeve gjatë konfiskimit të pronës mund të shtohen dhe lëshimet në aktakuzë dhe mosshfrytëzimi i teknologjive moderne për qasje të shpejtë në informacion dhe reagim.
“Shumë shpesh ndodh që prokurori publik në aktakuzë ose në kërkesën për konfiskim të mos e specifikojë pronën e saktë që korrespondon me vlerën e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme për t’u sekuestruar. Si rezultat i kësaj, në vetë vendimin është e shënuar vetëm që duhet të konfiskohet pronë në një vlerë të caktuar, pa e specifikuar se cila është ajo pronë”, shpjegon Avramovski.
Gjatë aktgjykimit të tillë, siç ishte edhe shembulli me lëndën “Trust” dhe kamionët e kompanisë Transmet, Agjencia për Konfiskimin e Pasurisë nuk mundi të kryente një hetim për të gjetur pronën e luajtshme të të dënuarit Koçan. Më pas, problemi u shfaq edhe me procedurën e falimentimit, kur prona u kërkua nga persona të tjerë privatë, për shkak të borxheve.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se Kodi i ri Penal ka përfunduar dhe pret mendimin e Komisionit Evropian (KE), pas së cilës do të dorëzohet në procedurën qeveritare dhe parlamentare.
Me të, siç është parashikuar, duhet të rikthehen ndryshimet në nenet e shfuqizuara, që hap mundësinë për hetime proaktive, vendime përfundimtare dhe kthimin e mjeteve, përfshirë konfiskimin e pasurisë së fituar përmes krimit, bazuar në një vlerë të saktë të caktuar, konfiskim të zgjeruar dhe konfiskim nga persona të tretë./REL