Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të padisin për ndotjen e ajrit, por vështirë se do fitojnë

Pas vendimit të Gjykatës Supreme qytetarët mund ta padisin shtetin dhe të kërkojnë dëmshpërblim nëse vuajnë si pasojë e ndotjes, por nuk kanë besim tek gjyqësori. Për Radion Evropa e Lirë juristët shpjegojnë se edhe sikur të ngrihet padi kundër, shteti fillimisht duhet t’i miratojë strategjitë e nevojshme, ndërsa për dëmshpërblim duhet të krijohet praktikë […]

Nëntor 7, 2024 - 09:00
 0  10
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të padisin për ndotjen e ajrit, por vështirë se do fitojnë
Ajri i ndotur, banesa, ndërtimtari, urbanizëm, leje, urbanistik, cair, analiza ekonomike

Pas vendimit të Gjykatës Supreme qytetarët mund ta padisin shtetin dhe të kërkojnë dëmshpërblim nëse vuajnë si pasojë e ndotjes, por nuk kanë besim tek gjyqësori. Për Radion Evropa e Lirë juristët shpjegojnë se edhe sikur të ngrihet padi kundër, shteti fillimisht duhet t’i miratojë strategjitë e nevojshme, ndërsa për dëmshpërblim duhet të krijohet praktikë gjyqësore, transmeton Portalb.mk.

Sipas AirVisual, uebfaqes botërore e cila bën matjen e cilësisë së ajrit, më 5 nëntor Shkupi ndodhej në vendin e 22-të në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Në këtë listë famëkeqe kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar disa herë ndodhej në krye.

Por gjendja nuk është e tillë vetëm në Shkup. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor gjatë ditës së djeshme kanë regjistruar tejkalim të vlerave kufitare të grimcave PM10 në pikat matëse edhe në Kërçovë, Gostivar dhe Ohër.

Me ardhjen e dimrit qytetarët druajnë se situata do të përkeqësohet.

“Pres që këtë vit të ketë ndotje më të lartë se vitet e kaluara, me qenë se lejohet djegia e çdo lloj mbeturine. Çdo vit të ardhshëm situata do të jetë gjithnjë e më e keqe. Zgjidhje ka, por korrupsioni e bën të vetën”, thotë 23-vjeçari Damjan nga Shkupi.

“Kam shumë frikë se do të kemi ndotje edhe këtë dimër. Tashmë po e ndjejmë se qyteti është i ndotur, e sezoni i ngrohjes ende nuk ka filluar plotësisht. E pastaj, kur të vijë dimri, do të mbytemi dhe do të jetë katastrofë”, thotë pensionistja Ollga nga Shkupi.

Ajo që është ndryshe nga vitet e kaluara është se qytetarët tani e kanë rrugën e hapur për ta paditur shtetin në gjykatë dhe për të kërkuar dëmshpërblim.

Kjo u bë e mundur me vendimin, gjegjësisht qëndrimin parimor të Gjykatës Supreme, me të cilin qytetarët në procedurë para Gjykatës Administrative do të mund të kërkojnë që të obligohen organet kompetente shtetërore që t’i miratojnë të gjitha dokumentet e nevojshme të Ligjit për Cilësinë e Ajrit Ambiental, por edhe për të inicuar kontest kundër shtetit në një procedurë administrative, nëse është rrezikuar shëndeti i tyre. Iniciativa është dorëzuar në Gjykatën Supreme nga OJQ “Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike” dhe shoqata e avokatëve “Goxho, Kiçeec dhe Novakovski”.

Një pjesë e qytetarëve nuk e dinë se mund ta padisin shtetin për shkak të ajrit të ndotur, të tjerë nuk kanë besim tek gjyqësori.

“Nuk e dija se mund të ngrej padi, por do ta kisha shfrytëzuar atë mundësi nëse bashkoheshim në një numër më të madh, ndërsa si individ nuk mendoj se padia do të kishte ndonjë efekt”, thotë Ana nga Manastiri.

Pensionistja Ollga ka dëgjuar se mund të paditet shteti, por nuk do kishte marrë guximin për shkak të shpenzimeve të larta gjyqësore.

“Pak kohë më parë mësova nga mediat se mund të ngrihet padi. Por nuk mendoj se do kisha bërë një gjë të tillë sepse në vendin tonë proceset gjyqësore nuk përfundojnë në favor të qytetarëve dhe do të ishte e kotë”, shpjegon Stefan Jakimovski nga Shtipi.

Topin e ka shteti

Edhe organizata joqeveritare “Qendra për Hulumtime dhe Analiza Ligjore” nuk ngjall shpresë për një rezultat pozitiv në gjykatë për qytetarët. Në periudhën e kaluar ata kanë ngritur padi individuale për shtatë komuna ku ka pasur përqindje më të lartë të ndotjes sipas stacioneve matëse për më shumë se 35 ditë, gjë që bie ndesh me Ligjin për Cilësinë e Ajrit Ambiental.

Prandaj, siç thotë menaxheri i programeve të shoqatës, Nikolla Jovanovski, shteti duhet ta miratojë Planin Nacional për Zvogëlimin e Pasojave nga Ajri i Ndotur, sepse i fundit është miratuar tetë vjet më parë.

Jovanovski thotë se sa i përket procedurës qytetarët do të mund të ngrejnë edhe padi individuale edhe kolektive. Megjithatë, ai është skeptik për atë se si do të vendosin gjykatat, sepse Gjykata Supreme i urdhëroi gjykatat që të veprojnë në përputhje me qëndrimin parimor, ndërsa ato nga ana e tyre duhet ta urdhërojnë shtetin që të miratojë një Plan Kombëtar.

“Gjykata duhet ta urdhërojë shtetin të miratojë një Plan Kombëtar sepse shteti duke ndërmarrë ose duke mos ndërmarrë hapa mund ta cenojë të drejtën për një mjedis jetësor të shëndetshëm. Në këtë rast duke mos e zbatuar Planin Kombëtar shteti cenon të drejtën për një mjedis jetësor të shëndetshëm. Në periudhën që vjen mund të arrihet vetëm një epilog gjyqësor se shteti duhet të marrë masa”, sqaron Jovanovski.

Ai shton edhe se gjasat për të marrë dëmshpërblim për shkak të rrezikimit të shëndetit janë edhe më të vogla.

“Mendoj se do të duhet të kalojë pak kohë për ta diskutuar këtë çështje, sepse është e nevojshme të krijohet një praktikë gjyqësore në fushën e vendimeve që merren për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ajrit”, shpjegon Nikollovski.

Sipas tij kjo paraqet vetëm një hapje e derës nëpër të cilën duhet të lëvizë praktika gjyqësore për mbrojtjen e mjedisit jetësor, në një fushë ku gjërat po ecin shumë ngadalë.

“Çfarë ka bërë shteti këto vitet e fundit në lidhje me ndotjen e ajrit? Apo, ta parashtrojmë ndryshe pyetjen – a e kanë ulur nivelin e ndotjes panelet apo kondicionerët që i morëm me subvencione? Ajo që është sekret publik është se ndotja e ajrit në radhë të parë vjen nga djegia e mazutit, konsumatorët e mëdhenj dhe djegia e drunjve për ngrohje”, thotë Jovanovski.

Plani i fundit Kombëtar për Mbrojtjen e Ajrit Ambiental i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është për periudhën 2013-2018.

Ministria e Mjedisit Jetësor e “zënë ngusht”

Një projekt për realizimin e një projekti tjetër. Kështu mund të përshkruhet me një fjali plani i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilin do të miratohet Plani Nacional për Mbrojtjen e Ajrit Ambiental.

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë nga atje thonë se me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes programit IPA 2, projekti “Mbështetje për zbatimin e direktivave për cilësinë e ajrit” do të fillojë në nëntor të vitit 2024. Ata thonë se qëllimi i këtij projekti është mbështetja për përgatitjen e kornizës së re ligjore për cilësinë e ajrit dhe përgatitjen e dokumenteve nacionale për planifikim, përfshirë këtu edhe Planin Nacional për Mbrojtjen e Ajrit Ambiental.

“Duke pasur parasysh kompleksitetin e dokumenteve të planifikimit gjatë përgatitjeve, krahas ekspertëve teknikë ky projekt do të përfshijë edhe përfaqësues nga ministritë përkatëse dhe institucionet e tjera kompetente, të cilët i zbatojnë dhe do t’i zbatojnë në të ardhmen masat në sektorët për të cilët janë përgjegjës, si transporti, energjia, industria dhe bujqësia”.

Në prag të sezonit të ngrohjes nga Ministria thonë se po punohet vazhdimisht për zbatimin e kompetencave të tyre si monitorimi i cilësisë së ajrit, zbatimi i projekteve të BE-së, përgatitja e dokumenteve nacionale dhe mbështetja e NJVL-ve për përgatitjen e planeve lokale. Për momentin në funksion janë 21 stacione monitorimi statike dhe 1 mobil.

Dëmshpërblim në procedurë gjyqësore edhe në vendet e BE-së

Sipas statistikave nga gjykatat në të cilat janë zhvilluar procedura për krime kundër mjedisit jetësor, në katër vitet e fundit gjykatat kanë sjellë 242 aktgjykime të plotfuqishme. Në to janë dënuan 280 persona. Dënimet kanë qenë në formë të gjobave, burgimit ose sanksioneve alternative. Pjesa më e madhe e krimeve janë kryer me dashje, ndërsa disa prej tyre nga pakujdesia.

Nga aspekti shëndetësor në fillim të vitit 2024 Instituti i Shëndetit Publik publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5.

Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit Jetësor (EEA) tregojnë se ajri i ndotur është shkaktar i mbi 5000 vdekjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.

Një javë pas qëndrimit parimor të Gjykatës Supreme me të cilin e obligon shtetin të marrë masa kundër ndotjes, më 14 tetor Këshilli i Bashkimit Evropian mori një vendim të njëjtë, duke miratuar një direktivë që prezanton standarde të reja të cilësisë së ajrit dhe kufizime më rigoroze për ndotësit më të mëdhenj.

Rregullat e reja duhet të kontribuojnë për synimin e Bashkimit Evropian për zero ndotje deri në vitin 2050 dhe të ndihmojnë në parandalimin e vdekjeve të parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit.

Direktiva e ndryshuar gjithashtu parasheh që qytetarët të mund të kërkojnë dëmshpërblim në rastet kur mosrespektimi i rregullave të BE-së për cilësinë e ajrit dëmton shëndetin e tyre.

Vlerësohet se çdo vit në Evropë si rezultat i ndotjes së ajrit vdesin rreth 300.000 njerëz.