Qytetarët e RMV-së dhe Kosovës do vazhdojnë të presin radhë të gjata në kufi, zvarritet “One Stop Shop”

Kolonat e gjata në dy anët e pikës kufitare “Bllacë-Hani i Elezit”, në mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, vështirësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke krijuar revoltë dhe reagime të shumta. Radhët e gjata e arrijnë kulmin zakonisht gjatë fundjavës, shkruan Portalb.mk. Edhe pse në qershor të vitit të kaluar […]

shkurt 3, 2025 - 15:00
 0  5
Qytetarët e RMV-së dhe Kosovës do vazhdojnë të presin radhë të gjata në kufi, zvarritet “One Stop Shop”
Kufiri ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në Bllacë. Foto nga Portalb.mk

Kolonat e gjata në dy anët e pikës kufitare “Bllacë-Hani i Elezit”, në mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, vështirësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke krijuar revoltë dhe reagime të shumta. Radhët e gjata e arrijnë kulmin zakonisht gjatë fundjavës, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse në qershor të vitit të kaluar (2024) filluan punimet për finalizimin e procesit të krijimit të pikave të përbashkëta kufitare në dy pikat kufitare, kjo nismë ende nuk e ka parë fundin.

Ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshovski, më 4 dhjetor 2024 tha se midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut projekti për një pikë kufitare po avancon me qëllim që të ketë qarkullim të përshpejtuar të udhëtarëve.

“Sistemi tashmë është në një fazë të avancuar të zbatimit me Republikën e Serbisë, si dhe me Republikën e Kosovës, me qëllim të përshpejtimit të qarkullimit të udhëtarëve në këto pika kufitare, me uljen maksimale të kohës së lëvizjes së udhëtarëve nga këto vende”, pati deklaruar Toshkovski.

I pyetur me 9 janar të këtij viti (2025) rreth çështjes në fjalë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti tha se grupet e punës në të dy shtetet po punojnë në sinkronizimin e sistemeve.

“Domethënë punohet, ditët janë në pyetje. Dy grupet punuese të Kosovës dhe RMV-së po punojnë në detajet e fundit. Sinkronizim të programeve, dhe jo vetëm në “Bllacë”, edhe në “Jazhincë”, “Tabanoc” së shpejti do të implementimet projekti one stop shop, që do të jetë lehtësim për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave”, tha Mexhiti.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk nuk u përgjigjen se deri ku është procedura për “one stop shop” me Republikën e Kosovës.

Ndryshe, ministri për Transport, Aleksandar Nikollovski në deklaratë për media, në fillim të muajit janar, duke folur për mënyrat e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, ku pohoi se po punohet intenzivisht.

“Kemi komunikim intensiv me Serbinë për të krijuar funksionalitet të plotë me One Stop Shop. Pres që deri në prill të kemi një One Stop Shop me Kosovën dhe sa i përket pikave kufitare Qafë Thanë dhe Deve Bair po punohet intensivisht në zgjerimin dhe modernizimin e tyre”, deklaroi Nikollovski.

Kujtojmë se, më 22 dhjetor të vitit 2023, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për marrëveshjen kufitare ndërmjet këtyre dy shteteve. Në muajin shkurt të vitit 2024 u formua Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje mundëson një pikë kufitare. Ky vendim përfshin kalimin kufitar “Bllacë-Hani i Elezit” dhe “Jazhincë-Glloboçicë”.

Ndërkaq, Maqedonia e Veriut më 31 korrik të vitit 2023 ka filluar zbatimin e pikës së përbashkët kufitare në pikën kufitare Qafë Thanë me Republikën e Shqipërisë.