A u godit Frosina për vdekje me qëllim apo nga pakujdesia?

Prokuroria Publike po heton nëse 22-vjeçarja Frosina Kulakova është goditur me dashje apo nga pakujdesia në bulevardin “Aradhat Partizane” në Shkup. “Prokurori publik do të hetojë nëse ka mundësi të bëhet fjalë për dashje, duke pasur parasysh se nëse ka qenë nën ndikimin e alkoolit, nuk ka pasur patentë shofer, ka vozitur me shpejtësi shumë […]

shkurt 3, 2025 - 15:00
 0  5
A u godit Frosina për vdekje me qëllim apo nga pakujdesia?
Protesta për vdekjen e Frosina Kulakovës në aksident. Foto: Portalb.mk

Prokuroria Publike po heton nëse 22-vjeçarja Frosina Kulakova është goditur me dashje apo nga pakujdesia në bulevardin “Aradhat Partizane” në Shkup. “Prokurori publik do të hetojë nëse ka mundësi të bëhet fjalë për dashje, duke pasur parasysh se nëse ka qenë nën ndikimin e alkoolit, nuk ka pasur patentë shofer, ka vozitur me shpejtësi shumë shumë më të madhe se shpejtësia e lejuar dhe ka kaluar në dritë të kuqe. Do të shohim gjatë procedurës nëse ka vend për këtë, nëse veprën e ka kryer me dashje”, tha prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski në emisionin “DailyClick” në TV21. Sipas tij, shumica e krimeve në trafik kryhen nga pakujdesia, transmeton Portalb.mk.

Ai është i vendosur se Prokuroria do të veprojë profesionalisht në rastin e studentes tashmë të ndjerë nga Negotina.

“Bëhet fjalë për një jetë të re të humbur që nuk kompensohet me asnjë dënim. Prokuroria Publike do të veprojë në përputhje me dispozitat ligjore, do të jetë transparente në këtë procedurë, qytetarët do të dinë se si do të veprohet dhe në cilin drejtim do të shkojnë provat”, thotë Kocevski.

Në ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut njoftoi se po ndjek nga afër zhvillimet rreth rastit të shoferit 20-vjeçar nga Shkupi, i cili nën efektin e alkoolit ka goditur në me shpejtësi të lartë vajzën 22-vjeçare.

“Të gjitha rastet kur ka dyshime për lëshime nga ana e gjyqtarëve për aktgjykimet e shqiptuara do të shqyrtohen dhe politika penale e gjykatave duhet t’i nënshtrohet një analize gjithëpërfshirëse”, tha ai. “Por, për momentin është e pasigurt nëse do të hapin procedurë për të kontrolluar veprimet e gjykatësit kompetent që e ka trajtuar rastin për shoferin e ri Vasil Jovanov, i cili ndaj tij ka shqiptuar vetëm masë edukative për dy vepra”.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski nuk dëshiron të komentojë derisa ta shohë të gjithë rastin.

“Ne të gjithë jemi për shtetin e së drejtës. Nuk njoh njeri që është dakord që situata të tilla të na ndodhin”, thotë ai.
Sipas Kocevskit, qytetarët kanë pjesërisht të drejtë kur thonë se fajin e ka sistemi.

“Pjesërisht keni të drejtë sepse një pjesë e dispozitave ligjore janë të tilla që vetëm Prokuroria Publike dhe gjykata mund ta zbatojnë ligjin ashtu siç ekziston. Me ndryshimet në Kodin Penal është futur një vepër e re, ngasja e pakujdesshme, por nuk është fshirë dispozita e procedurës së kundërvajtjes, ku disa nga veprimet e përfshira në atë vepër janë përfshirë edhe në Ligjin për kundërvajtje. Në rast të tejkalimit të shpejtësisë së vozitjes, policia mund të paraqesë procedurë kundërvajtëse dhe ajo shkon drejtpërdrejt në gjykatë, që do të thotë se në këtë përfshihen edhe elementet e veprës penale dhe këtu duhet të unifikohet praktika”, shton Kocevski.

Në tubime masive qytetarët kërkuan dënime më të larta dhe përgjegjësi për rastin, duke thënë se vdekja e Frosina Kulakova nga Negotina ishte “vrasje nga mosndëshkimi i organeve të drejtësisë”. Në listën e fajtorëve për aksidentin vunë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët lejuan që 20-vjeçari nga Shkupi, i cili në të kaluarën kishte një listë të gjatë veprash, të kalonte me masa më të buta edukative dhe ndëshkuese.

Është një rast që ka tronditur opinionin dhe ka shkaktuar pakënaqësi të madhe. Por, sipas Kambovskit, në momente të tilla sensitive nuk duhet të merren vendime të nxituara apo të nxirren përfundime.

“Nuk është mirë të bëhen ndryshime të shpejta në ligj”, thotë Kambovski, pas kërkesave të publikut që për krime të tilla të parashikohen dënime më të larta.

Ndryshe, Frosina Kulakova ka ndërruar jetë më 29 janar pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor nga 20-vjeçari . Prokuroria kishte sqaruar që  paraprakisht është bërë kallëzim edhe për një aksident tjetër të ndodhur më 04.11.2022 nga po i njëjti person, pas së cilës një person ka mbetur i lënduar.

Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.