Qytetarët e Shkupit sot sërish do të dalin në marsh protestues kundër ndotjes së ajrit
Nisma qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” dhe Shans për Qendrën sot (28 dhjetor) do të mbajë sërish marsh protestues për ajër të pastër. Protesta do të nisë në orën 12:30 para Ministrisë së Mjedisit, do të vazhdojë përpara Parlamentit, pastaj para Qeverisë dhe do të përfundojë para barakave të Qytetit të Shkupit. Kjo protestë është […]
Nisma qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” dhe Shans për Qendrën sot (28 dhjetor) do të mbajë sërish marsh protestues për ajër të pastër. Protesta do të nisë në orën 12:30 para Ministrisë së Mjedisit, do të vazhdojë përpara Parlamentit, pastaj para Qeverisë dhe do të përfundojë para barakave të Qytetit të Shkupit. Kjo protestë është e dyta që mbahet, pasi siç thonë organizatorët, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet edhe pse kanë kaluar tre javë nga protesta paraprake dhe dy javë nga kërkesat e parashtruara. Arsyet e mbajtjes së protestës, siç thonë ata, janë vdekjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit, të cilat përbëjnë 17.7 përqind të totalit të vdekshmërisë në vend në nivel vjetor, transmeton Portalb.mk.
QGjH kërkon nga Qeveria dhe komunat të marrin masa të menjëhershme dhe afatmesme për përballimin e ndotjes.
Ata kërkojnë nga Qeveria që të obligojë DPHM-në që të fillojë parashikimin e inversioneve të temperaturës në lugina, për të menaxhuar më mirë ndotjen e ajrit, si dhe të publikojë në një regjistër të personave juridikë dhe vendndodhjen e tyre që duhet të kenë leje pune të integruar B, e që nuk i posedojnë.
Nisma kërkon gjithashtu ndalimin e korsive të qarkullimit në bulevardet më të gjera se minimumi 3 metra, si dhe ndalimin e importit në vend të automjeteve të përdorura më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin EURO 5, si dhe importin e automjeteve të reja me standard minimal prej EURO 6.
“Kërkojmë që të hartohet një plan i regjimit të qarkullimit që do të aktivizohet sapo të tejkalohen vlerat kufitare të substancave ndotëse dhe nëse zgjat më shumë se 24 orë. Zbatimi duhet të përfshijë koordinim ndërmjet komunave (Qytetit të Shkupit, Manastirit, Tetovës dhe të tjera) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Plani duhet të përfshijë detyrimisht uljen e çmimit të transportit publik në ditët me rritje alarmante ndotjeje”, thuhet në një nga kërkesat e nismës.
Kërkojnë edhe subvencionimin e sistemet fotovoltaike për familjet individuale, si dhe subvencionimin e fasadave energjetike të ndërtesave për banim individual.
Të gjitha kërkesat ndaj institucioneve mund t’i lexoni KËTU.
Kujtojmë se protesta paraprake për ajër të pastër u mbajt më 10 dhjetor.
Sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.