Edhe një aktakuzë ndaj Ramis Merkos, gjykata ia mori pasaportën

Gjykata ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike Strugë për caktimin e masave të kujdesit për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko, përkatësisht për marrjen e dokumentit të udhëtimin dhe dokumenteve të tejra për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrim që të paraqitet herë pas here në gjykatë, transmeton Portalb.mk. Masat u kërkuan për […]

dhjetor 28, 2024 - 14:00
 0  6
Edhe një aktakuzë ndaj Ramis Merkos, gjykata ia mori pasaportën
Ramiz Merko, kryetari i Komunës së Strugës. Foto nga Ramiz Merko (Facebook)

Gjykata ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike Strugë për caktimin e masave të kujdesit për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko, përkatësisht për marrjen e dokumentit të udhëtimin dhe dokumenteve të tejra për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrim që të paraqitet herë pas here në gjykatë, transmeton Portalb.mk.

Masat u kërkuan për shkak të rrezikut për arratisje, duke pasur parasysh se gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore Publike  Strugë ka ngritur një tjetër kallëzim ndaj Merkos.

“Prokurori publik kompetent pas kryerjes së procedurës paraprake ka paraqitur aktakuzë për shkak se i pandehuri si kryetar i Komunës së Strugës në mars të këtij viti ka vendosur një shenjë përkujtimore – pllakë në hyrje të objektit të komunës, me të cilën ka nxitur urrejtje dhe përçarje etnike në mesin e banorëve të Strugës, duke kryer veprën penale nga neni 27 i Ligjit për Memorialet dhe Monumentet”, njoftoi Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, duke pasur parasysh se i akuzuari është funskionar publik prej shumë kohësh, ndaj të cilit Prokuroria Publike e Strugës në një periudhë të shkurtër kohore gjatë këtij viti ka ngritur disa kallëzime dhe tashmë janë duke zhvilluar tetë procedura gjyqësore për veprat penale – keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe puna e papërgjegjshme në detyrë, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se ekziston rreziku real që i akuzuari të përpiqet t’i shmanget ndjekjes penale.

“Përkatësisht, me aktakuzën e fundit të ngritur dje, në gjykatat themelore në Strugë dhe Manastir, ndaj të akuzuarve do të zhvillohen gjithsej nëntë procedura aktive gjyqësore dhe në secilën prej tyre i kërcënohet  dënimi me burgim”, thonë nga prokuroria.

Gjykata themelore Strugë solli vendim me të cilin i merret pasaporta të akuzuarit dhe obligohet që një herë në javë të paraqitet në gjykatë.

Kujtojmë se, më 20 qershor 2023 Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos dhe familjes së tij, në listën e zezë të SHBA-ve së fundmi është futur edhe një zyrtar tjetër i BDI-së, Artan Grubi, i cili ndiqet penalisht dhe mu për këtë, ai është arratisur nga vendi.