Qyteti i Gjelbër Human – Siljanovskës: Mos i nënshkruani ndryshimet në Ligjin për planifikim urbanistik
Aktivistët e Iniciativës Qytetare Qyteti i Gjelbër Human i kanë dërguar apel presidentes Gordana Siljanovska Davkova që të mos i nënshkruajë, siç thonë ata, ndryshimet e diskutueshme të Ligjit për planifikim urbanistik që lejojnë shkatërrimin e tokës pjellore bujqësore duke instaluar termocentrale fotovoltaike dhe mullinj me erë, transmeton Portalb.mk. “Ne ju bëjmë thirrje që të […]


Aktivistët e Iniciativës Qytetare Qyteti i Gjelbër Human i kanë dërguar apel presidentes Gordana Siljanovska Davkova që të mos i nënshkruajë, siç thonë ata, ndryshimet e diskutueshme të Ligjit për planifikim urbanistik që lejojnë shkatërrimin e tokës pjellore bujqësore duke instaluar termocentrale fotovoltaike dhe mullinj me erë, transmeton Portalb.mk.
“Ne ju bëjmë thirrje që të tregoni se jeni me të vërtetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe të veproni në interes të qytetarëve – shkatërrimi i tokës bujqësore pjellore në një epokë të krizës klimatike është katastrofike për Maqedoninë, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se bujqësia maqedonase është duke u përballur me një sërë goditjesh për dekada të tëra të shkaktuara nga politikat e këqija qeverisëse, prandaj kemi rënie të paprecedentë të prodhimit vendas dhe të lartë të importit”, thanë nga Qyteti i Gjelbër Human.
Nga atje, ata ripërsëritën kërkesat e tyre që sistemet fotovoltaike (PV) të instalohen fillimisht në të gjitha sipërfaqet e disponueshme të çatisve “me prioritet institucionet publike që ngrohen me burime ndotëse të energjisë”.
“Për më tepër, ndryshimet në ligje dhe akte nënligjore duhet të heqin kufizimin në fuqinë e instaluar në mënyrë që çdo familje, çdo komunitet qiramarrësish, çdo objekt biznesi të mund të instalojë sisteme PV në çatinë e ndërtesave të tyre të banimit/biznesit dhe energjia e tepërt e prodhuar të kthehet në rrjet me një çmim të drejtë, duke reduktuar kështu barrën e tyre financiare të shtuar të energjisë elektrike nga astronomia e qytetit”, thanë nga kjo nismë.
Sipas kësaj iniciative qytetare, qëllimi i investimit në energjinë diellore është që të ketë ndikim negativ sa më pak në mjedis, e me këtë edhe në jetë njerëzore, por edhe të çlirojë qytetarët nga varfëria energjetike dhe monopolet energjetike.
Aktivistët theksojnë se ndryshimet e diskutueshme ligjore përfaqësojnë keqpërdorim të energjisë së rinovueshme si një justifikim për shkatërrimin e një burimi të çmuar.
“Me nënshkrimin e dekretit për këto ndryshime ligjore do të mundësoni pikërisht të kundërtën – pra vazhdimin e robërisë së borxhit të shumë bashkëqytetarëve tanë, zëvendësimin e thjeshtë të një monopoli me një tjetër!”, thanë nga Qyteti i Gjelbër Human.
Ata gjithashtu shtojnë se nga ndryshimet e ligjeve që miratohen me procedura të shkurtuara me dyer të mbyllura nuk mund të përfitojnë qytetarët.
Kujtojmë që ndryshimet në Ligjin për planifikimin urbanistik të cilat u miratuan pa debat dhe me procedurë të shkurtuar më 13 gusht 2024, nxitën reagime të mëdha nga organizatat e mjedisit.
Ata edhe para se të miratoheshin ndryshimet kishin kritika për ligjin, ndërsa pas miratimit i kërkuan presidentes që mos e nënshkruajë ligjin.
Një nga vërejtjet që kishin organizatat e mjedisit ishte pikërisht se gjelbërimi dhe parqet do ishin viktima e parë.
Ndryshe, sipas një ankete të Institutit të Gjelbër të vitit 2023, nga 150 të anketuar për qasjen e hapësirave të gjelbra publike, 37 përqind janë përgjigjur se jetojnë me më pak se 50 metra katrorë gjelbërim.