Universiteti i Tetovës e shënoi 30-vjetorin e ligjëratave të para 

Universiteti i Tetovës sot e shënoi një nga datat më të rëndësishme në historinë e tij – 17 Shkurtin, ditën kur në vitin 1995 u mbajtën ligjëratat e para në këtë institucion të arsimit të lartë, transmeton Portalb.mk.  Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, për të nderuar […]

shkurt 17, 2025 - 18:00
 0  5
Universiteti i Tetovës e shënoi 30-vjetorin e ligjëratave të para 
Universiteti i Tetovës shënoi 30-vjetorin e ligjëratave të para . Foto: UT

Universiteti i Tetovës sot e shënoi një nga datat më të rëndësishme në historinë e tij – 17 Shkurtin, ditën kur në vitin 1995 u mbajtën ligjëratat e para në këtë institucion të arsimit të lartë, transmeton Portalb.mk. 

Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, për të nderuar sakrificën e tij për arsimin në gjuhën shqipe. 

Më pas, udhëheqësit e universitetit e vizituan varrin e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, duke vlerësuar kontributin e tij jetik në themelimin dhe zhvillimin e këtij universiteti, më pas e vizituan edhe muzeun historik në fshatin Poroj, ku u zhvilluan ligjëratat e para në vitin akademik 1994/95. 

Në ceremoninë solemne që u mbajt në rektorat, Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës u ngrit mbi idealin e lirisë dhe barazisë, duke u bërë një vatër e fuqishme e dijes, kulturës dhe zhvillimit shoqëror.

“Ky universitet nuk është vetëm një institucion arsimor, por edhe një simbol i qëndresës dhe vullnetit tonë për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ishte fryt i përpjekjeve të vazhdueshme të intelektualëve, profesorëve dhe studentëve që nuk u dorëzuan para sfidave dhe pengesave, por vazhduan rrugën e tyre me bindjen se e ardhmja e ndritur e kombit tonë do të vinte përmes dijes dhe arsimit”, tha Jusuf Zejneli. 

Dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani në referatin e tij theksoi rëndësinë e kësaj date si një simbol i rezistencës dhe përkushtimit për arsimin në gjuhën shqipe, duke vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan për themelimin e UT-së. 

 “Sot, jemi mbledhur për të përkujtuar jo vetëm një ngjarje, por një vizion që u bë realitet, një rrugëtim që sfidoi kohën dhe një mision që mbijetoi për të ndriçuar brezat e ardhshëm. Arsimi nuk është thjesht një përpjekje për dije, por një gurthemel i lirisë, i përparimit dhe i dinjitetit kombëtar. Universiteti i Tetovës nuk është vetëm një institucion akademik; ai është një dëshmi e palëkundshme e një populli që kurrë nuk hoqi dorë nga e drejta për të mësuar dhe për të ëndërruar”, tha Berton Sulejmani. 

Për kontributin e dhënë në kohë shumë të vështira, Universiteti i Tetovës i nderoi me pllakate mirënjohjeje gjashtë dekanët e parë të Universitetit të Tetovës: Abdulla Aliu – dekan i parë i Fakultetit Juridik, PMixhait Reçi – dekan i parë i Fakultetit Ekonomik, Hisen Reçi – dekan i parë i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Rahmi Tuda – dekan i parë i Fakultetit Filologjik, Ismail Hoxha – dekani i parë i Fakultetit të Arteve dhe Masar Kodra – dekan i parë i Fakultetit Filozofik. 

Po ashtu, pllakate u ndanë edhe për nikoqirin e shtëpisë ku u nënshkrua akti i themelimit të Universiteti të Tetovës, për të ndjerin Haxhi Bari Ganiu si dhe për imamin e atëhershëm të xhamisë së fshatit Poroj, hoxhën e ndjerë Elmaz Qamili. 

Aktiviteti u përmbyll me një pikë artistike nga Florentina Abazi dhe Abdulla Xhaferi.