Rama: Sfida më e vështirë e procesit të anëtarësimit, siguria ushqimore
Kryeministri Edi Rama, në një takim me operatorët e biznesit ushqimor, deklaroi se siguria ushqimore është sfida më e vështirë e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian. “Ky proces lidhet me sfidën më të vështirë dhe komplekse të të gjithë proceseve të anëtarësimit, sfida e sigurisë ushqimore. Ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm […]
Kryeministri Edi Rama, në një takim me operatorët e biznesit ushqimor, deklaroi se siguria ushqimore është sfida më e vështirë e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
“Ky proces lidhet me sfidën më të vështirë dhe komplekse të të gjithë proceseve të anëtarësimit, sfida e sigurisë ushqimore. Ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje që ne duhet ta importojmë nga BE në Shqipëri për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve, që do ta importojmë në çdo drejtim për të garantuar standardet e BE”, tha Rama, shkruan A2.
“Siguria ushqimore është shumë konkrete. Pa BE, pa gjithë këtë bagazh dijeje, përmes gjithë atyre hapave të parashikuar, masave që i sugjerohen Shqipërisë që t’i marrë përsipër, reformave që i kërkohen, ne do ta kishim të pamundur të arrinim ato standarde sigurie dhe garancie për zhvillim dhe prosperitet. Kur flasim për sigurinë ushqimore nuk kemi si ta realizojmë nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur gjithë atë ngrehinë institucionale, politikëbërjeje që në mungesë na krijon probleme të mëdha që reflektohen te shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve tanë”, shtoi Rama.