Reagimet kundër VLEN-it po zgjerohen: Studentë dhe intelektualë kundër qëndrimeve të partisë

Reagimet kundër VLEN-it po zgjerohen: Studentë dhe intelektualë kundër qëndrimeve të partisë Reagimet ndaj VLEN-it po marrin përmasa të reja, pasi edhe shtresa intelektuale, akademike dhe apolitike kanë filluar të ngrenë zërin kundër qëndr...

maj 12, 2026 - 01:01
Reagimet kundër VLEN-it po zgjerohen: Studentë dhe intelektualë kundër qëndrimeve të partisë

Reagimet kundër VLEN-it po zgjerohen: Studentë dhe intelektualë kundër qëndrimeve të partisë

Reagimet ndaj VLEN-it po marrin përmasa të reja, pasi edhe shtresa intelektuale, akademike dhe apolitike kanë filluar të ngrenë zërin kundër qëndrimeve të partisë. Kjo gjë ndodh pas mobilizimit të studentëve shqiptarë për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, një çështje që ka nxitur debate të ashpra në opinionin publik.

Reagime të ashpra nga figura të njohura

Ndërkohë që studentët vazhdojnë protestat e tyre, edhe figura të ndryshme publike kanë shprehur mendime kritike ndaj VLEN-it. Ndër ta është edhe Arta Toçi, e cila ka akuzuar deputeten e partisë, Imerlije Saliu, për kundërthënie në deklaratat e saj lidhur me debatet politike të fundit dhe reagimet nga Shqipëria.

“Vetëm në një postim të shkurtër në Facebook, deputetja e VLEN-it del me dy qëndrime: kërkon nga Shqipëria të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe i quan studentët shqiptarë të manipuluar nga Shqipëria”, shkroi Toçi në një postim të saj.

Ajo ironizoi më tej duke thënë: “Merreni mend çka do kishte thënë kjo nëse do kishte shkruar pak më gjatë!”

Kritika ndaj interpretimeve të Latif Arifit

Një reagim i ashpër erdhi edhe nga intelektualja Lujteta Isaku, vajza e shkrimtarit të njohur Murat Isaku. Ajo iu kundërpërgjigj deklaratave të zyrtarit të VLEN-it, Latif Arifi, i cili kishte akuzuar skeçin e emisionit humoristik “Portokalli” se ishte “propagandë politike e maskuar si humor” dhe se përmes tij po denigrohej elita politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Isaku reagoi ashpër ndaj këtij interpretimi duke thënë: “Portokallia në këtë rast nuk ka fyer shqiptarët. Keni fyer ju, keni denigruar historinë tonë, keni përbaltur dëshmorët dhe keni mbyllur rrugët e ndritura të kombit. Turp për ju!”

Reagime të ndryshme ndaj drejtimit të ri të VLEN-it

Ndërkohë, reagimet kritike ndaj VLEN-it nuk po vijnë vetëm nga studentët dhe figura publike, por edhe nga shtresa intelektuale shqiptare. Vendimi i fundit i koalicionit për të formalizuar drejtimin e përbashkët me dy kryetarë ka nxitur valë ironish dhe komentesh në opinion.

Një nga reagimet më të komentuara ishte ajo e intelektuales Diana Toska, e cila e cilësoi formulën e re drejtuese si produkt të pazareve politike dhe luftës për poste. “VLEN-i më në fund u bashkua. Pesë kryetarë u mblodhën me e ndërtu ‘partinë e madhe’, por i gjithë halli ishte: sa prapanica i nxë një karrige”, shkroi Toska në një postim të saj.

Ajo ironizoi kompromisin e arritur për lidershipin, duke thënë se për shkak të mosmarrëveshjeve për kryesimin, u shpik “zgjidhja historike” me dy kryetarë për një parti. “Dhe në këtë luftë egosh, pasi nuk u morën vesh kush me u ul i pari, shpikën ‘zgjidhjen historike’: dy kryetarë për një karrige”, theksoi ajo.

Sipas saj, ironia bëhet edhe më e madhe për faktin se vendimi u shpall pikërisht më 9 Maj – Ditën e Europës. “Madje këtë farsë e shpallën solemnisht në Ditën e Europës, duke i tregu edhe Europës se deri ku mund të shkojë pazari politik te ne”, u shpreh Toska.

Ajo paralajmëroi se problemet reale për koalicionin ende nuk kanë filluar. “Tash fillon filmi i vërtetë. Kur të fillojë shtyrja mes dy prapanicave kush me mbet më gjatë në karrige… interesant po duket ky unitet”, ironizoi ajo.

Në fund, ajo e mbylli reagimin me një pyetje ironike që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale: “Si urohet një karrige me dy prapanica? ‘U trashëgofshi’… apo ‘mos u rrëzofshi’?”

Studentët vazhdojnë protestat për gjuhën shqipe

Ndërkohë, paralelisht me debatet politike, studentët shqiptarë kanë vazhduar organizimin e tyre për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Pas protestës së mbajtur në Shkup, studentët e universiteteve shqiptare organizuan debate në Kumanovë, ku u diskutua për hapat e ardhshëm dhe koordinimin e protestave.

Organizatori i protestave studentore, Mevlan Ademi, deklaroi se qëllimi është bashkimi i studentëve shqiptarë dhe vazhdimi i kërkesave në mënyrë të koordinuar. “Bashkimi i studentëve shqiptarë është rëndësia jonë dhe që çdo kërkesë e radhës të jetë e njëzëshme”, deklaroi ai.

Studentja Arlinda Emini theksoi se debati kishte për qëllim informimin dhe mobilizimin e studentëve lidhur me çështjen e jurisprudencës dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucione. Ndërsa studenti Jon Selimi u shpreh se interesimi dhe pjesëmarrja e studentëve tregojnë se ata ndihen pjesë e kauzës.

Nga takimi u konstatua se protestat do të vazhdojnë derisa kërkesat të pranohen, ndërsa u paralajmërua organizimi i debateve të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit.


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.