Revizioni në Regjistrin Qendror të RMV-së zbuloi një sërë parregullsi, janë shitur vetura pa pëlqimin e Qeverisë
Gjatë revizionit të funksionimit të Regjistrit Qëndror të Maqedonisë së Veriut, revizorët kanë identifikuar disa parregullsi, si shitja e automjeteve për pasagjerë pa pëlqimin e Qeverisë, mospërputhje në evidentimin e të ardhurave dhe mosfunksionimi i disa regjistrave të caktuar, njofton Portalb.mk. Nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) mëngjesin e sotëm kanë njoftuar se kanë kryer […]
![Revizioni në Regjistrin Qendror të RMV-së zbuloi një sërë parregullsi, janë shitur vetura pa pëlqimin e Qeverisë](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/10/Regjistri-Qendror-F1C.jpg?fit=1024%2C669&quality=89&ssl=1)
![Regjistri Qendror RMV, foto nga Faton Curri, Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/10/Regjistri-Qendror-F1C.jpg)
Gjatë revizionit të funksionimit të Regjistrit Qëndror të Maqedonisë së Veriut, revizorët kanë identifikuar disa parregullsi, si shitja e automjeteve për pasagjerë pa pëlqimin e Qeverisë, mospërputhje në evidentimin e të ardhurave dhe mosfunksionimi i disa regjistrave të caktuar, njofton Portalb.mk.
Nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) mëngjesin e sotëm kanë njoftuar se kanë kryer revizion të raporteve financiare, bashkë me revizionin e përputhshmërisë së Regjistrit Qëndror për vitin 2023, me ç’rast kanë dhënë një mendim të pafavorshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe një mendim të rezervuar për përputhshmërinë e transaksioneve financiare me dispozitat relevante ligjore.
Revizioni ka konstatuar se disa objekte ndërtimore me vlerë të blerjes prej 186.635 mijë denarësh, të cilat i janë dhënë Regjistrit Qendror me transformimin e ish-Entit për qarkullimin pagesor, janë regjistruar në mënyrë jo të rregullt në evidencat kontabiliste. Shkak për këtë situatë, sipas revizorëve, është trajtimi i papërshtatshëm i objekteve ndërtimore si mbështetje shtetërore, gjë që ndikon në të dhënat e paraqitura në pasqyrat financiare.
“Evidentim joadekuat është konstatuar edhe për investimet e kryera në ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve ndërtimore në vlerë prej 15.185 mijë denarësh për të cilat nuk janë ndërmarrë aktivitete për vënien në shfrytëzim, edhe pse Regjistri Qendror i ka objektet në posedim dhe posedon certifikatë pronësie”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Revizorët kanë konstatuar se toka në të cilën është ndërtuar ndërtesa administrative “Pallati Llazar Pop Trajkov” dhe e cila me Vendim të Qeverisë në vitin 2013 u është dhënë në shfrytëzim të përhershëm gjashtë institucioneve shtetërore, nuk është regjistruar në librat afaristë. Për këtë truall, pas përfundimit të revizionit, përfaqësuesi ligjor ka ndërmarrë aktivitete dhe është regjistruar në evidencën e Regjistrit Qendror.
Revizorët kanë konstatuar edhe mobilje të blera në vlerë prej 1,36 milionë denarësh, të cilat nuk janë vënë në përdorim, për çka ekziston rreziku që të dëmtohen dhe të humbasin cilësinë e tyre.
“Shitja e automjeteve për pasagjerë është kryer pa marrë pëlqimin e Qeverisë, duke përdorur një Rregullore të brendshme, e cila nuk është në përputhje me procedurën e tjetërsimit të paraparë me Ligjin për Shfrytëzimin dhe Disponimin e Pasurisë në Pronësi Shtetërore dhe Komunale”, theksojnë revizorët.
Në vitin 2023, Regjistri Qendror ka realizuar të hyra mbi 367 milionë denarë për shërbimet e kryera lidhur me regjistrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave, duke arkëtuar kompenzimin adekuat për këto shërbime, të përcaktuar me Tarifë nga Këshilli Drejtues me pëlqim nga Qeveria.
Megjithatë, revizioni ka konstatuar se të dhënat për numrin dhe llojin e shërbimeve të ofruara nuk janë në përputhje me të hyrat e raportuara në evidencën kontabël, gjë që vë në pikëpyetje saktësinë dhe plotësinë e të hyrave të raportuara.
Sipas ESHR-së arsyet kryesore për këtë janë mungesa e një zgjidhjeje softuerike për lidhjen e shërbimeve të kryera me kompenzimin e arkëtuar, mungesa e kontrolleve në regjistrimin e të hyrave dhe aplikimi i zbritjeve apo shërbimeve falas në raste të caktuara.
Gjithashtu, janë evidentuar mospërputhje ndërmjet dispozitave të Ligjit për Regjistrin Qendror dhe Ligjit për Nëpunësit Administrativë në fushën e përllogaritjes së pagave të nëpunësve administrativë të punësuar. Parregullsi janë evidentuar edhe në zbatimin e procedurave për punësimin e nëpunësve administrativë.
“Ka paqartësi ligjore lidhur me definimin e statusit të Regjistrit Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcaktimin e vlerës së kapitalit themelor, përcaktimin e saktë të bartësit të së drejtës së pronësisë (themeluesit) dhe mënyrën e raportimit financiar, të cilat ndikojnë në mënyrën e kryerjes së veprimtarisë”, theksojnë revizorët.
Në raport theksohet se tre nga regjistrat e krijuar, përkatësisht: regjistri i kambialeve, regjistri fiduciar dhe regjistri i shitjes së gjësendeve të luajtshme me ruajtjen e të drejtës së pronësisë, nuk funksionojnë në praktikë dhe prej tyre nuk gjenerohen të ardhura, pavarësisht se janë krijuar mundësitë teknike dhe kushtet për përdorimin e tyre.
“Janë konstatuar edhe gjendje të tjera, parregullsi dhe mospërputhje të natyrave të ndryshme, që kanë të bëjnë me: inventarizimin jo të plotë të mjeteve dhe detyrimeve, llogaritjen e gabuar të amortizimit të mjeteve, mosndërmarrjen e veprimeve për asgjësimin ligjor të mjeteve të çregjistruara, edhe pse janë hequr nga evidenca kontabël nuk është vendosur monitorimi i realizimit të projekteve në përputhje me Strategjinë Zhvillimore të miratuar për vitet 2023-2027”, konstatojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.