Revoltë në Pellagoni: Banorët kundër deponisë me standarde evropiane
Në Rajonin e Pellagonisë sërish u mbajt protestë kundër ndërtimit të deponisë rajonale, pjesë e projektit evropian për menaxhimin e integruar të mbeturinave. Banorët e Manastirit dhe Novacit, të organizuar përmes iniciativës “Kundër një deponie në Pellagoni”, shprehën revoltën e tyre në një protestë në afërsi të fshatit Meglenci, ku është paraparë të ndërtohet një […]


Në Rajonin e Pellagonisë sërish u mbajt protestë kundër ndërtimit të deponisë rajonale, pjesë e projektit evropian për menaxhimin e integruar të mbeturinave. Banorët e Manastirit dhe Novacit, të organizuar përmes iniciativës “Kundër një deponie në Pellagoni”, shprehën revoltën e tyre në një protestë në afërsi të fshatit Meglenci, ku është paraparë të ndërtohet një qendër moderne për trajtimin dhe grumbullimin e mbeturinave jo të rrezikshme nga 18 komuna në Pellagoni dhe Rajonin Jugperëndimor, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Sipas kërkesave të organizatorëve deponia nuk duhet të ndërtohet “në zemër të Pellagonisë”, por në një lokacion tjetër, siç është Krivollaku, i cili, sipas tyre, është më larg vendbanimeve dhe zonave bujqësore. Ata gjithashtu propozojnë bashkimin e një maksimumi prej tre komunash fqinje në vend të tetëmbëdhjetë komunave të planifikuara, me qëllim zvogëlimin e kapaciteteve dhe vëllimeve të deponuara të mbeturinave.
Përveç mospajtimit për lokacionin, disa qytetarë shprehin hapur mosbesimin se projekti do të zbatohet sipas standardeve më të larta ekologjike, edhe pse kjo gjë është njoftuar publikisht nga institucionet kompetente. Disa nga pjesëmarrësit në protestë shprehën gjithashtu dyshime se në deponinë rajonale do të importohen dhe grumbullohen mbeturina të rrezikshme – një narrativ që nuk bazohet në asnjë dokument zyrtar, por që vazhdon të qarkullojë si pjesë e rezistencës.
Nga ana tjetër nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor sigurojnë se projekti po zbatohet në përputhje me standardet evropiane dhe financohet përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Po vijojnë procedurat për prokurimin e automjeteve dhe kontejnerëve, si dhe për themelimin e një kompanie komunale rajonale dhe trajnimet për funksionimin e saj.
“Pushtetet lokale janë të përkushtuara ndaj projektit, pasi janë të vetëdijshme se situata aktuale me mbeturinat përbën një kërcënim real për shëndetin dhe mjedisin jetësor. Të gjitha kërkesat për informacion shtesë nga qytetarët janë duke u përpunuar dhe prezantimi i radhës publik do të mbahet përsëri në Manastir javën që vjen”, informuan nga ministria.
Përfaqësuesit e iniciativës, në mesin e të cilëve është edhe Toni Apostollovski, paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë dhe njoftojnë për një iniciativë për referendum në Komunën e Novacit për ta ndaluar ndërtimin e deponisë rajonale të mbeturinave. Apostollovski në deklaratat e tij e thekson pakënaqësinë politike dhe spekulimet rreth importit të mundshëm të “mbeturinave bërthamore”, pretendime që ende nuk janë konfirmuar me prova dhe që bazohen në një mosbesim më të gjerë ndaj institucioneve.
Sfidë kronike për reforma ekologjike
Rasti në Novaci nuk është përjashtim. Viteve të fundit me rezistencë janë përballur projekte të shumta të ngjashme për menaxhimin modern të mbeturinave në rajone të ndryshme të vendit.
Në Debërcë në vitin 2019, qytetarët organizuan protesta dhe një referendum të suksesshëm kundër deponisë së planifikuar në Godivje, në afërsi të Liqenit të Ohrit. Projekti u tërhoq nga Qeveria pas reagimeve dhe presionit të shumtë nga popullata.
Rezistencë të ngjashme kishte edhe në Maqedoninë qendrore. Gjatë shqyrtimit të lokacioneve për një deponi rajonale në Rajonin e Vardarit, banorët dhe pushteti lokal i Komunës së Rosomanit nuk u dakorduan që deponia të ndërtohej në zonën e tyre. Këshilli komunal i Rosomanit votoi unanimisht kundër këtij propozimi, edhe pse komunat e tjera në rajon kishin rënë dakord më parë që lokacioni të ishte pikërisht atje.
Në Rajonin Planor të Pollogut problem ishin kushtet e këqija të deponisë rajonale ekzistuese Rusino në afërsi të Gostivarit. Vitet e fundit banorët e këtij rajoni kanë organizuar vazhdimisht protesta dhe bllokada, duke kërkuar zhvendosjen ose sanimin e plotë të Rusinos për shkak të erës së keqe, djegies së mbeturinave dhe rrezikut të ndotjes së ujit dhe tokës. Qeveria e atëhershme nëpërmjet donatorëve siguroi fonde për rehabilitimin e lokacionit Rusino (tamponim, mbulim të mbeturinave) dhe blerjen e pajisjeve (kontejnerë, kamionë) për një menaxhim më të mirë të mbeturinave në komunat e Pollogut. Qeveria e re, e udhëhequr nga Ministri i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, njoftoi se për momentin janë duke u zhvilluar aktivitetet për përzgjedhjen e kompanive që do ta zbatojnë projektin për ndërtimin e deponisë rajonale të mbeturinave, ndërsa zbatimi në terren pritet të fillojë më së voni deri në muajin qershor të vitit 2025.
Rajoni Planor Lindor dhe Verilindor ishin të parët që filluan një projekt për një Qendër rajonale moderne për mbeturinat të financuar nga BE-ja, e planifikuar të ndërtohet në zonën e fshatrave Meçkuevci–Arbashanci (Komuna e Sveti Nikoles). Por edhe pas një dekade ndërtimi saj ende nuk ka filluar – pjesërisht për shkak të rezistencës së vazhdueshme nga popullata lokale. Ndikimet politike dhe përhapja e dezinformatave (p.sh. se do të importohen mbeturina të huaja ose se deponia do të jetë një “Çernobil i ri”) kanë shkaktuar konfuzion dhe mosbesim tek qytetarët. Në vend që ta njohin përfitimin e mbylljes së qindra deponive të egra në rajon, shumë banorë të Sveti Nikoles kanë frikë nga “deponia evropiane” dhe vazhdojnë të jenë kundër ndërtimit të saj. Kështu, tenderi i parë për zgjedhjen e kontraktorit dështoi disa herë dhe projekti po zvarritet. Pushteti lokal në Sveti Nikole gjithashtu e kundërshtoi projektin, duke e ngadalësuar realizimin e tij edhe më shumë. Kjo ngecje mbart rrezikun që vendi t’i humbasë fondet e dhëna – grantet dhe kreditë e BE-së nuk do të jenë në ofertë pafundësisht për t’u përdorur. Rasti i Sveti Nikoles është një ilustrim se si një fushatë negative dhe mungesa e komunikimit transparent nga institucionet mund ta pengojnë një projekt strategjik ekologjik.
I fundit në këtë varg është shembulli me Pellagoninë. Pas anulimit të planeve për ndërtimin e një deponie në Debërcë, autoritetet vendosën të ndërtojnë një deponi të përbashkët rajonale për rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor në një pjesë të minierës së vjetër “Suvodoll“ në Komunën e Novacit. Lokacioni Suvodoll në një distancë prej 2,4 km nga fshati Meglenci i Manastirit – u vlerësua nga ekspertët si më i përshtatshmi për këtë megaprojekt, ndërsa në vitet 2021-2022 u krye një studim ekologjik dhe për zbatim u siguruan kredi nga BERZH-i.
Megjithatë, kur projekti hyri në fazën e zbatimit konkret, në Manastir u shfaq pakënaqësi e mospajtim. Nga fundi i vitit 2023 një grup qytetarësh mbajtën protesta të rregullta çdo të mërkurë nën moton “STOP për deponinë në Pellagoni”, duke kërkuar që ndërtimi të ndalohet ose ajo të zhvendoset në një lokacion larg zonave të banuara dhe tokës bujqësore. Protestat po kulmojnë këtë pranverë. Edhe pse autoritetet sigurojnë se deponia rajonale në Suvodoll do t’i përmbushë standardet evropiane, mosbesimi tek një pjesë e popullatës nga Pellagonia ende mbetet i lartë dhe e ardhmja e projektit mbetet e pasigurt. Edhe këtë herë protestat janë të ndërthurura me përhapjen e dezinformatave dhe manipulimin e publikut në lidhje me atë që do të ndodhte në të vërtetë pasi të ndërtohej qendra rajonale e menaxhimit të mbeturinave. Përmendet importi i mbeturinave të rrezikshme dhe madje edhe bërthamore dhe asgjësimi i tyre në këtë qendër. Në mediat sociale shpesh postohen foto të gjeneruara me inteligjencë artificiale në të cilat përshkruhen skena apokaliptike ku Manastiri është i përmbytur nga mbeturinat.
Qëllim strategjik me pengesa lokale
Pothuajse çdo iniciativë për të krijuar një sistem të shëndoshë ekologjik dhe strategjik mbeturinash përballet me rezistencë kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një lokacioni konkret. Një pjesë e rezistencës buron nga shqetësimet e arsyeshme ekologjike, por pjesa më e madhe e saj është rezultat i përhapjes së informacionit të paverifikuar dhe politizimit të projekteve, sidomos gjatë periudhave parazgjedhore.
Projekti rajonal për menaxhimin e mbeturinave është pjesë e një strategjie kombëtare për të mbyllur qindra deponi të egra, për të krijuar një sistem për selektimin, riciklimin dhe asgjësimin e sigurt. Pa kapacitete rajonale këto qëllime mbeten të paarritshme.
Institucionet kompetente përsërisin se mbeten të hapura për dialog, se reagimet e qytetarëve janë të rëndësishme, por edhe se interesi afatgjatë është mbrojtja e shëndetit, natyrës dhe hapësirës publike, gjë që është e pamundur pa kapacitete moderne dhe të kontrolluara për trajtimin e mbeturinave.