Rita Ora: Jam krenare që jam emigrante, historia e familjes sime më ka bërë më të fortë
Rita Ora ka folur hapur për rrënjët e saj dhe rrugëtimin drejt suksesit, duke u shprehur se ndihet krenare për faktin që është emigrante dhe se historia e familjes së saj ka ndikuar në formimin e saj si artiste dhe si njeri. Këngëtarja shqi...
Rita Ora ka folur hapur për rrënjët e saj dhe rrugëtimin drejt suksesit, duke u shprehur se ndihet krenare për faktin që është emigrante dhe se historia e familjes së saj ka ndikuar në formimin e saj si artiste dhe si njeri.
Këngëtarja shqiptaro-britanike, e cila aktualisht është duke punuar në albumin e saj të katërt dhe së fundmi është rikthyer në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në filmin “Descendants”, rrëfeu se fëmijëria e saj ka qenë shumë ndryshe nga jeta që bën sot si një prej yjeve më të njohura të muzikës pop.
Rita ka lindur në Prishtinë, ndërsa familja e saj u detyrua të largohej nga Kosova në fillim të viteve ’90, gjatë përndjekjes së shqiptarëve etnikë, shkruan DailyMail.
Në atë kohë, nëna e saj Vera punonte si mjeke, ndërsa babai Besnik ishte ekonomist. Pas vendosjes në Mbretërinë e Bashkuar, ata mësuan gjuhën angleze dhe nisën jetën nga e para. Babai i saj la profesionin për të menaxhuar një pub në Londër, ndërsa nëna u rikualifikua dhe u bë psikiatre.
Në një intervistë për The Times, Rita tha se nuk është ndier kurrë në siklet për mënyrën se si diskutohet emigracioni në Britaninë e Madhe.
“Gjithçka që di është se do të jem gjithmonë mirënjohëse për arsimimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, u shpreh ajo.
Artistja beson se shumë emigrantë ndajnë të njëjtën dëshirë për të ecur përpara.
“Mendoj se shumë emigrantë kanë një energji të veçantë. Ndoshta edhe një ndjenjë se duhet të dëshmojnë veten, që i shtyn të përmirësohen vazhdimisht. Edhe nëse nuk janë brezi i parë i emigrantëve, nëse shikon historinë e shumë artistëve të mëdhenj, gjen gjithmonë një histori emigrimi në familjen e tyre”, tha Rita.
Përveç muzikës, këngëtarja zbuloi se dëshiron të bashkëpunojë edhe me bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi, në një prej filmave të tij.
“Absolutisht. Çuditem që ende nuk ka ndodhur. Gjithçka varet nga skenari dhe historia, por është një nga ëndrrat tona”, u shpreh ajo.
Rita dhe Taika janë të martuar prej gati katër vitesh dhe në muajin gusht do të festojnë përvjetorin e martesës.
Sa i përket planeve për festimin, këngëtarja tha se asnjëri prej tyre nuk është tip që planifikon shumë përpara.
“Ne i bëjmë gjërat në momentin e fundit. Të dy i përkasim shenjave të zjarrit – ai është Luan, ndërsa unë Shigjetare – ndaj nuk planifikojmë pothuajse asgjë”, tha ajo me humor.
Në intervistë, Rita foli edhe për kujdesin ndaj shëndetit. Ajo zbuloi se po përgatitet për ndryshimet që sjell menopauza, duke u informuar dhe duke u kujdesur më shumë për trupin e saj.
Artistja tregoi se në të njëzetat ngriti dy herë vezët e saj, fillimisht në moshën 24-vjeçare dhe më pas në moshën 27-vjeçare, me rekomandimin e mjekëve.
“Atëherë mjeku më tha se ishte momenti ideal për të ruajtur vezët me cilësinë më të mirë. Tani e kuptoj se ishte një nga këshillat më të mira që kam marrë ndonjëherë”, u shpreh ajo.
Rita shtoi se përvoja e nënës së saj, e cila iu nënshtrua trajtimit për kancerin e gjirit që shkaktoi menopauzë të hershme, e ka motivuar të mësojë më shumë për këtë fazë të jetës dhe të kujdeset që tani për shëndetin e saj afatgjatë.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.