RMV, Inspektorati ka mbyllur 13 diskoteka për mosplotësimin e kushteve minimale, edhe pse kishin licencë

Në diskoteka dhe kabare janë kryer gjithsej 82 kontrolle me procesverbal. Siç njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, nga 23 objekte të licencuara, 13 nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike dhe po përgatiten vendime për heqjen e licencës dhe ndalimin e funksionimit të tyre, transmeton Portalb.mk. Në periudhën e kaluar kanë funksionuar edhe pesë me […]

Mars 21, 2025 - 17:00
 0  5
RMV, Inspektorati ka mbyllur 13 diskoteka për mosplotësimin e kushteve minimale, edhe pse kishin licencë
Inspektorati Shtetëror i Tregut, Foto: IShP

Në diskoteka dhe kabare janë kryer gjithsej 82 kontrolle me procesverbal. Siç njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, nga 23 objekte të licencuara, 13 nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike dhe po përgatiten vendime për heqjen e licencës dhe ndalimin e funksionimit të tyre, transmeton Portalb.mk.

Në periudhën e kaluar kanë funksionuar edhe pesë me licenca të skaduara.

“Nga 41 të tjerat, 30 prej tyre kishin parregullsi në bazë të ligjit për aktivitetet hotelierike. Janë lëshuar 28 vendime për kundërvajtje dhe dy mbyllje për tejkalim të orarit të punës, që nënkupton edhe gjobë”, tha Miteva.

Inspektimet janë në terren. Një hetim më i gjerë është duke u zhvilluar, ku janë përfshirë institucione të shumta, Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inspektorati i Punës. Gjithashtu po hetohet nëse ka dokumentacion teknik për të gjitha ato objekte në të gjithë vendin.

Kontrollet e intensifikuara vijnë pas tragjedisë në Koçan.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.