RMV, plan veprimi me masa kundër ajrit të ndotur: Kontrolle në industri dhe më pak automjete në trafik

Kontrollet inspektuese të industrisë dhe kantiereve të ndërtimit, regjim i veçantë qarkullimi për mjetet e rënda të mallrave, reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare të administratës dhe lirimi nga detyrimet e punës të grupeve të ndjeshme dhe grave shtatzëna, janë pjesë e masave afatshkurtra që qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë përfshirë në Planin e […]

Nëntor 21, 2024 - 13:00
 0  5
RMV, plan veprimi me masa kundër ajrit të ndotur: Kontrolle në industri dhe më pak automjete në trafik
Ndotja e ajrit, Foto: Portalb.mk

Kontrollet inspektuese të industrisë dhe kantiereve të ndërtimit, regjim i veçantë qarkullimi për mjetet e rënda të mallrave, reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare të administratës dhe lirimi nga detyrimet e punës të grupeve të ndjeshme dhe grave shtatzëna, janë pjesë e masave afatshkurtra që qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë përfshirë në Planin e ri të veprimit për uljen e ndotjes së ajrit. Për këto masa është miratuar urdhri që të zbatohet në rastet kur ndotja do të kalojë kufijtë e alarmit, transmeton Portalb.mk.

Ministria u bën thirrje të gjitha institucioneve, personave juridikë dhe qytetarëve që të respektojnë dhe zbatojnë masat, pasi theksojnë se kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit në vend.

Në planin e veprimit janë përfshirë dhjetë masa, ndër të cilat janë forcimi i kontrolleve të automjeteve që do të kryhen nga policia rrugore për përcaktimin e korrektësisë teknike të automjeteve dhe emetimit të gazrave, si dhe futja e një regjimi special për qarkullimin e mjeteve të rënda të mallrave që do të devijohen në rrugë anashkaluese për të reduktuar trafikun në zonat urbane.

Një nga masat është ndalimi i shpërndarjes së mallrave dhe transportit të makinerive të ndërtimit si ekskavatorë, buldozerë dhe pirunë në periudhën nga ora 7:30 deri në orën 18:00 për të reduktuar mbingarkesat e trafikut dhe emetimet në orët më të frekuentuara, ndërsa institucionet shtetërore dhe lokale do të duhet të reduktojnë edhe përdorimin e automjeteve zyrtare me 50 përind. Gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, personat me sëmundje malinje, astmë kronike, infarkt të mëparshëm të miokardit ose goditje në tru do të jenë të lirë nga detyrat e punës, pavarësisht moshës, me rekomandim të mjekut amë. Një nga masat parashikon riorganizimin e orarit të punës dhe sigurimin e maskave mbrojtëse për personat që punojnë jashtë. Aktivitetet e punës duhet të kryhen ndërmjet orës 11:00 dhe 17:00, dhe përveç kësaj, punëdhënësve u kërkohet të sigurojnë maska ​​​​mbrojtëse të tipit KN95 ose të paktën FFP2 për punëtorët e tyre.

Shërbimet e inspektimit do të kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme në instalimet me leje mjedisore të integruara A dhe B dhe do të bëjnë matje kontrolli të emetimeve në ajër, ndërsa objektet industriale do të ngarkohen me reduktimin e prodhimit. Masa e fundit parasheh kontrolle të jashtëzakonshme në kantieret, të cilat do të kryhen nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm dhe inspektoratet kompetente komunale.

Ndryshe, gjatë stinës së dimrit në Maqedoninë e Veriut, ajri bëhet shumë i ndotur. Kjo është e për shkak të përdorimit më të madh të automjeteve, mënyrës së ngrohjes dhe faktorëve të tjerë.

Kujtojmë se statistikat botërore tregojnë se në vendin tonë të paktën 100 mijë persona vuajnë nga kjo sëmundje. Arsyeja më e shpeshtë është pirja e duhanit dhe Maqedonia është ndër vendet lider në Evropë për nga numri i duhanpirësve, me 45% të popullsisë së rritur

Në vitin 2021 mbi 5.480 foshnja në 23 vende dhe territore në tërë Evropën dhe Azinë Qendrore kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit. Në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare, informoi Zyra e UNICEF-it në Shkup me rastin e Ditës ndërkombëtare të ajrit të pastër.