Byroja për Prokurime thotë se NTP Shkup për naftë zgjodhi ofertë të papranueshme si më të favorshme, Qyteti akuzon për politizim

Procedura e prokurimit publik të Eurodiesel-it, e publikuar nga autoriteti kontraktor NTP, i është nënshtruar kontrollit administrativ në Byronë e Prokurimit Publik sipas ligjit. Gjegjësisht, të gjitha procedurat për prokurimin publik të mallrave dhe shërbimeve me vlerë mbi 500.000 euro i nënshtrohen kontrollit administrativ në pajtim me nenin 172 paragrafi 3 të Ligjit për Prokurim […]

Nëntor 21, 2024 - 13:00
 0  6
Byroja për Prokurime thotë se NTP Shkup për naftë zgjodhi ofertë të papranueshme si më të favorshme, Qyteti akuzon për politizim
Komunikacion, vetura, analiza ekonomike, trafik, autobus, NQP NTP

Procedura e prokurimit publik të Eurodiesel-it, e publikuar nga autoriteti kontraktor NTP, i është nënshtruar kontrollit administrativ në Byronë e Prokurimit Publik sipas ligjit. Gjegjësisht, të gjitha procedurat për prokurimin publik të mallrave dhe shërbimeve me vlerë mbi 500.000 euro i nënshtrohen kontrollit administrativ në pajtim me nenin 172 paragrafi 3 të Ligjit për Prokurim Publik, pavarësisht se cili autoritet kontraktues i zbaton ato. Për sa i përket procedurës specifike, kontrolli administrativ ka konstatuar se autoriteti kontraktor i NTP-së ka zgjedhur ofertë të papranueshme si më të favorshmen, thonë nga Byroja, transmeton Portalb.mk.

“Kjo ofertë, e cila ka qenë e vetmja ofertë e dorëzuar në procedurë, nuk plotëson kushtin që vetë NTP-ja ka deklaruar në pikën 1.4.8 të dokumentacionit të tenderit. Kjo në fakt thuhet në raportin e procedurës së kryer nga komisioni për prokurim publik në NTP”, thonë nga BPP.

Kontrolli administrativ, duke pasur parasysh këtë, thonë nga BPP, ka dhënë udhëzime të qarta që NTP duhet të ndërmarrë në procesverbalin e kontrollit administrativ të kryer. Gjegjësisht, duke qenë se NTP ka bërë përzgjedhjen e një oferte të papranueshme, dhe nuk ka pasur oferta të tjera në procedurë, ka udhëzuar komisionin e prokurimit publik që të zbatojë vendimin për përzgjedhjen dhe të marrë vendim për anulimin e procedurës.

“Udhëzimet e tilla janë në pajtim me nenin 177 paragrafi 3 të ligjit. Vërejmë se NTP-ja as që ka shfrytëzuar mundësinë për të kontestuar udhëzimet e Byrosë nëpërmjet mekanizmave që i disponon në ligj, për arsyen e thjeshtë se bëhet fjalë për një gjendje faktike të vërtetuar saktë nga Byroja dhe për rezultat të procedurës që nuk mund të jetë ndryshe dhe të jetë në përputhje me ligjin”, thonë nga BPP.

Sipas Byrosë, mendimet e shprehura në njoftimin e sotëm të Qytetit të Shkupit, “me të cilat tentohet të mbulohet fokusi nga procedura e keqe e zhvilluar me shpifje si “kuadri i shefit të VMRO-së në Byronë e Prokurimeve Publike”, i hedhim poshtë tërësisht si të papërshtatshme dhe joprofesionale”.

“Byroja e Prokurimeve Publike vepron në mënyrë profesionale, pa marrë parasysh përplasjet ditore politike, dhe në vend të politizimit, Qyteti i Shkupit duhet të reagojë me shpejtësi dhe t’i shfrytëzojë mundësitë ligjore që ka për të plotësuar nevojat urgjente të derivateve deri në përfundim të procedurës së rregullt. Për çdo problem ka një zgjidhje, por qyteti duhet të ketë vullnet dhe njohuri për ta gjetur atë, në vend që të fajësojë të tjerët për problemet që krijon”, thonë nga BPP.

Ndërkohë që institucionet akuzojnë njëra-tjetrën, kryeqyteti i vendit, për të dytën ditë me radhë është pa transport publik. Autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin që prej pasdites së djeshme pasi nuk kishin ku të mbusheshin me naftë. Punonjësit thonë se “Pucko Petrol” nuk u sjell derivatet sepse NTP Shkup ka borxh ndaj kompanisë.

Vetëm 25 nga 33 autobusët me gaz të MAN-it, të cilët janë blerë në mandatin e kryetarit të komunës Petre Shilegov, qarkullojnë. Ata mbushen me metan në pikat e karburantit të Makpetrol.

Këshilli i Qytetit të Shkupit për sot në ora 18:00 do të mbajë seancë urgjente për shkak të situatës me transportin publik të qytetit. Seancën e thirri kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski.

Sindikatat e NTP “Shkupi” dje kanë njoftuar se në kryeqytet qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa pjesa tjetër janë të parkuar në depot e autobusëve në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së derivateve. Shkak për mungesën e naftës për autobusët është një borxh i papaguar ndaj furnitorit “Pucko Petrol”.

Qyteti i Shkupit ia kalon përgjegjësinë për krizën VMRO-DPMNE-së në pushtet, duke theksuar se “është një skenar i menduar për kolapsin e ndërmarrjes”.

VMRO-DPMNE ka shumicën në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Nesër në orën 13:30 është paralajmëruar protestë para zyrës së Arsovskës nga banorët e Shuto Orizarit, të cilët prej kohësh nuk kanë transport publik dhe mbi 25.000 banorë janë shkëputur plotësisht nga qyteti.

Zyra e kryetares Danela Arsovska dje njoftoi se VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski janë fajtorë për faktin se Shkupi është pa transport publik.

Prej se Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është në kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë.

Danela Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.