Rrëmujë në rrugët e Kumanovës, kaos në trafik edhe këtë dimër
Ashtu si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve për festat e fundvitit në Kumanovë rritet edhe kaosi në trafik. Qytetarët janë të lodhur nga pritjet e gjata në timon dhe rrugët e bllokuara. Autoritetet lokale nuk ofrojnë ende zgjidhje edhe pse thonë se i kanë ndëmrarrë masat e duhura për të parandaluar parkimin vend e […]
Ashtu si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve për festat e fundvitit në Kumanovë rritet edhe kaosi në trafik. Qytetarët janë të lodhur nga pritjet e gjata në timon dhe rrugët e bllokuara. Autoritetet lokale nuk ofrojnë ende zgjidhje edhe pse thonë se i kanë ndëmrarrë masat e duhura për të parandaluar parkimin vend e pa vend, shkruan Portalb.mk.
Trafiku i rënduar shkakton revoltë te qytetarët të cilët thonë se mërgimtarët përveç gëzimit që sjellin kur vijnë, ata sjellin edhe kaosin në komunikacion.
“Në sezonin e pushimeve gjatë fund vitit të dalësh pa pritje të gjata në kolonë është luks nënë qytetin tonë. Përveç kolonës, gjatë kësaj periudhe disa nga mërgimtarët për dallim nga vendet prej ku vijnë dhe në Maqedoni thuajse i shkelin të gjitha rregullat e mundshme në komunikacion, përshirë edhe ato bazë”, tha një qytetare.
“Gati çdo ditë kam probleme me parkingun jo vetëm në mëngjes por edhe në mbrëmje sepse shumica e njerëzve dalin vetëm me vetura, dhe kaosi në trafik shpesh po sjell vonesa edhe në punë”, tha një qytetar.
“Kjo gjë ndodh çdo sezon të pushimit jo vetëm në fund vit, për këtë çrregullim duhet të merren masa serioze nga organet kompetente, sepse çdo i dyti që jeton në Kumanovë ankohet për të njëjtin problem”, tha një qytetar tjetër.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme Kumanovë theksuan se nga fillimi i vitit deri më tani janë lëshuar gjithsej 1100 urdhër pagesat për shkelje të rregullave të trafikut për parkim të gabuar.
“Sidomos gjatë periudhës të festave të fund vitit kur ka një rritje të frekuencës së automjeteve, punonjësit e policisë janë vendosur në terren dhe në përputhje me kompetencat e tyre ligjore marrin masat e duhura nëse ndodh bllokim i trafikut. Kontrollet aksionale të forcuara kryhen çdo ditë, sidomos në fushën e komunikacionit dhe sanksionohen mjetet apo këmbësorët që nuk respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit”, thanë nga SPB Kumanovë.
SPB Kumanovë apeloi deri te qytetarët që të kenë sjellje të përgjegjshme dhe të kujdesshme në trafik.
Nga ana tjetër, nga Komuna e Kumanovës theksuan se çdo ditë marrin masa për të parandaluar parkimet e gabuara në zonat me qarkullim të dendur.
“Përkatësisht “Ndërmarrja Publike Parking” Kumanovë në koordinim me SPB Kumanovë janë çdo ditë në terren ku të gjitha parkimet e konstatuara si të gabuara sanksionohen me gjoba dhe largim të automjeteve me ndihmën nga shërbimi policor”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Ata theksuan se kanë në plan që në periudhën e ardhshme të realizojnë zonën B për parkim me qëllim që të lehtësohet trafiku në pjesën më të madhe të qytetit.
Ndryshe, problemi me kaosin në trafik del në sipërfaqe edhe gjatë zezonit veror, sidomos në muajin korrik.