Ngjarjet më të rëndësishme që shënuan vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut: Udhëheqësi e re, lista të zeza, korrupsion, ngecje në eurointegrime

Lista e Zezë Amerikane, rikthimi i fuqishëm në pushtet i VMRO-së nga humbja drastike e LSDM-së, shkuarja e BDI-së në opozitë, kolapsi i Qytetit të Shkupit, presidentja e parë grua, ngecja në procesin eurointegrues, tensionet ndëretnike, dështimi në luftën kundër korrupsionit, kryeministri i parë shqiptar, gjyqësori joefektiv. Këto janë disa nga ngjarjet më të mëdha […]

dhjetor 31, 2024 - 14:00
 0  4
Ngjarjet më të rëndësishme që shënuan vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut: Udhëheqësi e re, lista të zeza, korrupsion, ngecje në eurointegrime
Ngjarjet e vitit 2024. Foto ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lista e Zezë Amerikane, rikthimi i fuqishëm në pushtet i VMRO-së nga humbja drastike e LSDM-së, shkuarja e BDI-së në opozitë, kolapsi i Qytetit të Shkupit, presidentja e parë grua, ngecja në procesin eurointegrues, tensionet ndëretnike, dështimi në luftën kundër korrupsionit, kryeministri i parë shqiptar, gjyqësori joefektiv. Këto janë disa nga ngjarjet më të mëdha që shënuan vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut. Le t’i kujtojmë nga pak të gjitha në përmbledhjen vjetore të Portalb.mk.

Vitin e nisëm me bujën që bëri zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar, Talat Xhaferi i cili ushtroi detyrën përkohësisht deri sa të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Ky moment simbolik për shqiptarët mbeti me aq, sa për të thënë se kanë pasur kryeministër shqiptarët, sepse roli i tij teknik nuk i shtoi ndonjë peshë të madhe, siç dhe u promovua dhe u premtua nga BDI-ja. 

Edhe në 2024 mbetëm pa i filluar negociatat me BE-në, madje u ndamë nga pakoja me Shqipërinë, ata ecën përpara kurse ne mbetëm në vend. Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen, por ata që duhet t’i bëjnë ‘i kanë hypur breshkës’ dhe njejtë sikurse paraardhësit e tyre gjejnë mënyra të çuditshme por efektive të zvarrisin procesin, me gjasë deri sa të mos mbetet i ri dhe e re në këtë shtet. 

Zgjedhjet e dyfishta do të mbahen mend si një moment kulminant i këtij viti me rikthimin e fuqishëm të VMRO-DPMNE-së në pushtet, humbjen drastike të LSDM-së dhe shkuarjen në opozitë të BDI-së pas dy dekadave në pushtet. 

Gordana Siljanovska Davkova u bë presidentja e parë grua, ky moment padyshim se do të mbetet gjatë në historinë e vendit si një hap drejt barazisë gjinore, pavarësisht se çfarë qëndrime dhe veprime bën ajo. Moment tjetër historik ishte edhe zgjedhja e ish-ministres së Mbrojtjes të RMV-së Radmilla Shekerinskës si zëvendës-sekretare e përgjithshme e NATO-s.

VMRO-DPMNE-ja shënoi fitore të madhe në zgjedhje kështu duke formuar Qeverinë në krye me Hristijan Mickoskin dhe me partner shqiptar koalicionin VLEN (Aleanca për Shqiptarët – Taravari, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike) dhe Lëvizjen Znam. BDI-së nuk i pëlqeu aspak që mbeti jashtë ekzekutivit ndërsa janë ankuar shumë herë se qeveria nuk ka përfaqësues legjitim shqiptar, sepse ata kanë marrë më shumë vota, madje përmendën shumë herë destabilizimin. Rezultatet e zgjedhjeve bënë që të dorëhiqet kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, ku më pas në krye të socialdemokratëve erdhi Venko Filipçe. 

Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së filluan të dalin në sipërfaqe lidhjet me Hungarinë, vendit që i dha azil politik ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Kryeministri Mickoski arriti marrëveshje me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbanin për marrjen e kredisë prej 500 milionë eurove. Madje, Orban i cili kritikohet për raporte të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ishte edhe për vizitë zyrtare në RMV. Për të mos mbaruar me kaq, Qeveria dhe kompania hungareze e TIK-ut ‘4iG’ nënshkruan memorandum për mirëkuptim. 

Gjyqësori solli ca vendime, por besimi i qytetarëve në drejtësinë e këtij vendi thuaj se nuk ekziston.

Ja për shembull: lënda ‘Talir’ ku ish-kryeministri Nikolla Gruevski është i dënuar u kthye në rigjykim. Gjykata Supreme refuzoi ankesën për rastin ‘Alfa’ ku me këtë u pamundësua rigjykimi për Agim Islamin. U vjetërsua lënda ‘I fuqishmi’ ku i akuzuar ishte Antonio Milloshoski. Sasho Mijallkov mori lirim me kusht që të lirohet nga burgu katër muaj më herët. U shfuqizua aktgjykimi ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Muhamed Zeqirit për keqpërdorim të pozitës dhe lënda u kthye në rigjykim në shkallën e parë. Ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit i skadoi dënimi me burg për rastin ‘Tanku’ për blerjen e Mercedesit luksoz. Edhe rasti ‘Besa Trans’ u kthye nga e para sepse Gjykata e Apelit i pranoi ankesat e të akuzuarve. 

Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi grafën etnike nga certifikatat e gjendjes civile, tani më nuk figuron etnia në këtë dokument. Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi edhe instrumentin ‘Balancues’ i cili rregulloi përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. U tha se do të sillet ligj i veçantë që do të rregullojë këtë pjesë, por këto në 2024 mbetën vetëm fjalë. Kushtetuesja nuk solli vendim për Ligjin e gjuhëve, kjo pritet të bëhet në 2025. 

Lista e Zezë Amerikane ishte e ‘nxehtë’ këtë vit. Fillimisht u futën ish prokurorja speciale Katica Janeva dhe kryetari i Komunës së Karposhit Stevço Jakimovski. Ndërkaq diku pak ditë para se të përfundojë viti SHBA-të njoftuan se kësaj listee cila lidhet me personat e korruptuar i bashkohen edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti. 

E pak ditë pas futjes në Listën e Zezë, u paraqitën kallëzime penale për Grubin së bashku me ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë personave tjerë për rastin ‘Lotaria’ me të cilin ata dyshohen për keqpërdorime. 

Gjykata Penale u caktoi paraburgim Grubit dhe Bajramit, por të dy kanë lëshuar vendin, madje MPB-ja lëshoi edhe fletarreste ndërkombëtare. MPB lëshoi fletarrest ndërkombëtar edhe për ish-drejtorin e ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), Vasko Kovaçevski, i cili është një nga të dyshuarit në rastin “Aditiv”.

E që të mos ikë edhe një person tjetër i Listës së Zezë, Gjykata ia mori pasaportën kryetarit të Strugës Ramis Merkos. 

Komisioni Evropian edhe në raportin e Progresit për vitin 2024 përsëriti vërejtjet e njëjta, korrupsioni mbetet i përhapur në vend dhe se ndryshimet kushtetuese duhen bërë. KE-ja na plasi në fytyrë të gjitha ngecjet edhe për këtë vit. 

Që nuk kemi vullnet të ndjekim të korruptuarit, u dëshmua edhe njëherë kur Qeveria e tërhoqi ligjin i cili duhet t’i ndiqte personat e përfshirë në Listën e Zezë Amerikane. 

Ndonëse menduam se i përkisnin të kaluarës, ishim gabim. Tensionet entike u rikthyen fuqishëm në 2024 si në shoqëri po ashtu edhe në politikë, sepse si shoqëri jemi mësuar të ushqehemi nga patriotizmi, ndërkaq shumë nuk kanë as bukë të hanë. Fillimisht kishim protestat për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe në Çashkë, pastaj tensionet ndëretnike rreth rastit të kishës në Vrapçisht. Këto kulmuan me djegien e flamurit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me rastin e 28 Nëntorit. 

Qyteti i Shkupit shkaktoi kolaps të transportit publik, autobusët ndaluan së funksionuari madje kjo gjatë vitit ndodhi disa herë. E gjithë kjo për fajin dhe paaftësinë e atyre që vetë qytetarët me dorën e tyre i sollën në karriget e pushtetit.

Kultura pati disa momente jo të këndshme. Humbëm poeten Lindita Ahmeti, ndërsa Salla Universale në Shkup u përfshi nga një zjarr të madh. Mësuam edhe se gjatë ndërtimit të Teatrit të Tetovës janë vjedhur me të madhe, mbi 832 milionë denarë, prandaj ajo godinë ka mbetur ashtu siç e shihni, e gjorë dhe e vetmuar.

U shënuan dy momente delikate me Kosovën. Tentimi për përkeqësim të marrëdhënieve me Kosovën. Fillimisht u raportua për një plan atentati ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Shkup, që më pas u tha se nuk ishte e vërtetë. Ndërsa kulmi u arrit me pengimin e presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit , ku u tentua t’i merret telefoni, ku më pas shpërtheu rrjeti për këtë rast. Por që dy vendet kanë raporte të mira u ritheksua në seancën e përbashkët qeveritare në Prishtinë .

Pak ditë para përfundimit të vitit u dëmtua Ambasada e RMV-së në Kiev nga sulmet ruse në Ukrainë. Kishte dhe vërshime nga reshjet që gjithnjë i gjejnë komunat e papërgatitura.

Për redaksinë tonë ky vit shënoi një moment krenarie, sepse sipas anketës së IRI-t u zgjodhëm si portali më i besueshëm në RMV për tu informuar mbi zhvillimet politike në vend. Edhe njëherë dëshmuam profesionalizmin tonë. 

Redaksia e Portalb-it ju uron një Vit të Ri sa më të mbarë, me shumë shëndet dhe suksese! 

Më poshtë kemi bërë radhitje kronologjike të të gjitha ndodhive më të rëndësishme gjatë vitit 2024 në Maqedoninë e Veriut. 

Janar 

4 janar  Sulm në M-NAV, Bekim Neziri së bashku me dy persona tjerë sulmuan fizikisht të punësuarit 
8 janar  Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Ismet Gurrin ish-funksionarin e BDI-së nën dyshim për shoqërim kriminal dhe mashtrim tatimor për vjedhjen e 840 mijë eurove. 
12 janar  U nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e tunelit të përbashkët RMV-Kosovë në drejtimin rrugor Tetovë-Prizren 
22 janar  Punëtorët e NQP-së në protestë pasi nuk kishin marrë pagat, autobusët ndaluan që funksionuari, qyteti në kaos 
22 janar  RMV-ja, Serbia dhe Shqipëria nënshkruan Protokollet për qasje të lirë në tregun e punës 
23 janar  Protesta kundër hapjes së paraleles shqipe në Çashkë 
25 janar  U shpall aktgjykimi për aksidentin e Llaskarcës, shoferi u dënua me 14 vite burg kurse pronari me 4 vite
26 janar  Lënda ‘Talir2’ ku i dënuar është ish kryeministri Nikolla Gruevski u kthye në rigjykim 
28 janar  Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i RMV-së në qeverinë teknike, asnjë shqiptar më parë nuk e ka pasur këtë post
Talat Xhaferi në Parlamentin e RMV-së, foto nga Teuta Buçi, Portalb.mk
Talat Xhaferi në Parlamentin e RMV-së, foto nga Teuta Buçi, Portalb.mk

Shkurt 

2 shkurt  Qeveria e tërhoqi ligjin që duhet të ndjekë personat e përfshirë në Listën e Zezë Amerikane 
4 shkurt  Filloi përçarja e partisë ‘Aleanca për Shqiptarët’ në dy grupe, të Arben Taravarit dhe Ziadin Selës 
5 shkurt  Në oborrin e shtëpisë së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët u gjet plumb i pashkrepur
6 shkurt  Antikorrupsioni hapi lëndë kundër Drin Ahmetit, nipit të kreut të BDI-së Ali Ahmetit lidhur me përvetësimin prej 5 milionë denarësh që dy kompanitë e tij kanë përvetësuar nga Fondi i Inovacionit 
7 shkurt  U raportua për plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Shkup, Ministria Brendshme e mohoi
12 shkurt Ish-prokurorja speciale publike Katica Janeva e cila u dënua me 7 vjet burg për keqpërdorim të detyrës, është punësuar në zyrë avokatore të djalit të saj dhe del nga burgu për të shkuar në punë 
13 shkurt  5 vjet pas aksidentit të autobusit ‘Durmo Turs’ në Llaskarcë, 6 persona u dënuan me burg pas gjykimit maratonik
14 shkurt  Gjykata Supreme e refuzoi ankesën për rastin ‘Alfa’, me këtë u pamundësua rigjykimi për Agim Islamin
22 shkurt  U vjetërsua lënda ‘I fuqishmi’ ku i akuzuar ishte Antonio Milloshoski 
28 shkurt Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi grafën etnike nga certifikatat e gjendjes civile 
Certifikatë e lindjes, foto arkiv nga Portalb.mk, Suad Bajrami
Certifikatë e lindjes, foto arkiv nga Portalb.mk, Suad Bajrami

Mars 

4 mars  Fletarrest ndërkombëtar për Sheval Muaremmin dhe 7 persona të tjerë
7 mars  U shpall aktgjykimi për rastin ‘Besa Trans’, pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg kurse kompania me 800 mijë denarë dëmshpërblim 
8 mars  Qeveria ndërpreu marrëveshjen për fabrikën e veturave elektrike në Tetovë 
9 mars  U mbajt Forumi i Parë Studentor në RMV 
12 mars  Senati i SHBA-ve propozoi rezolutë për mbështetjen e hyrjes së RMV-së në BE 
12 mars  Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e Sasho Mijallkovit rreth lirimit me kusht dhe lëndën e ktheu në Gjykatën Penale 
14 mars  Kuvendi nuk i miratoi ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit me të cilin këto objekte duhej të vendoseshin jo më pak se 500 metra larg shkollave
18 mars  Katica Janeva dhe Stevço Jakimovski u futën në Listën e Zezë Amerikane
27 mars  RMV-ja shënoi 4 vjetorin e anëtarësimit në NATO
Avokati Asmir Alispahiq, Bekim Haxhiu, pronar i "Besa Trans" dhe Hajredin Muça, përfaqësues juridik i "Besa Trans", foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Avokati Asmir Alispahiq, Bekim Haxhiu, pronar i “Besa Trans” dhe Hajredin Muça, përfaqësues juridik i “Besa Trans”, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Prill 

1 prill  Sasho Mijallkov mori lirim me kusht që të lirohet nga burgu katër muaj më herët 
1 prill  Dy persona mbetën të plagosur me armë në sulmin ku në shënjestër ishte kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi 
9 prill  U dogj Salla Universale në Shkup
9 prill  Ndërroi jetë poetja Lindita Ahmeti
24 prill  U mbajt rrethi i parë i zgjedhjeve të shtata presidenciale, në garë ishin shtatë kandidatë, në rrethin e dytë shkuan Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski 
Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova
Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova

Maj 

1 maj  Në Ditën Ndërkombëtare të Punës Sindikatat përmes protestave kërkuan zgjidhje të problemeve 
8 maj  U mbajt rrethi i dytë i zgjedhjeve të shtata presidenciale, Gordana Siljanovska Davkova u zgjodh gruaja e parë presidente
8 maj  U mbajtën zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare, VMRO-DPMNE shënoi fitore bindëse ndaj LSDM-së, Fronti Evropian doli në epërsi ndaj VLEN-it 
12 maj  Presidentja Gordana Siljanovska Davkova gjatë betimit të saj si presidente e anashkaloi emrin zyrtar ‘Maqedonia e Veriut’ dhe tha vetëm Maqedonia, kjo shkaktoi reagime të ashpra nga Greqia dhe jo vetëm 
12 maj  Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën jetën 14 persona 
14 maj  Portalb.mk u zgjodh portali më i besueshëm për tu informuar mbi zhvillimet politike në RMV sipas anketës së IRI-t 
22 maj  Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LSDM-së
22 maj  U rivotua në shtatë vendvotime, VLEN mori një deputet më shumë kurse Fronti Evropian e humbi një, votimi u bë pas ankesave të partive për parregullësi 
28 maj  Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të RMV-së
28 maj  Për herë të parë në vend u regjistrua epidemi e HIV-it te një grup i caktuar i popullatës 
31 maj  Prokuroria Publike dërëzoi aktakuzë kundër katër personave për rastin e vrasjes së Vanja Gjorçevskës 
Procesi i votimit nga vendvotimi numër 2101 nga Komuna Zhelinës. Foto nga Fisnik Xhelili/ Portalb.mk
Procesi i votimit nga vendvotimi numër 2101 nga Komuna Zhelinës. Foto nga Fisnik Xhelili/ Portalb.mk

Qershor 

4 qershor  Darko Kostadinovski u zgjodh kryetar i Gjykatës Kushtetuese
8 qershor  Kuvendi votoi ndryshimet në ligjin për riorganizimin e Qeverisë me çka nga 16 ministri u bënë 20, votuan edhe deputetët e opozitës nga Fronti Evropian 
22 qershor  U zgjodh Qeveria e re me kryeministër Hristijan Mickoskin, në pushtet: VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM 
25 qershor  Gjashtë të akuzuarit në rastin ‘Zinxhiri’ e pranuan fajin, në buxhet u kthyen gati një milion euro
26 qershor  Filloi rigjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës
30 qershor  Venko Filipçe u zgjodh kryetar i LSDM-së 
Hristijan Mickoski. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk
Hristijan Mickoski. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Korrik 

5 korrik  Nota mesatare në maturën shtetërore për këtë vit ishte 3.25, më e ulët se dy vitet e kaluara
9 korrik  Gjykata Penale shqiptoi pesë dënime me burg dhe një me kusht për gjashtë të akuzuarit në rastin ‘Zinxhiri’ për evazion fiskal dhe pastrim parash 
10 korrik  Antikorrupsioni hapi lëndë për presidenten Gordana Siljanovska Davkova rreth emërimit të zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë për Inteligjencë 
10 korrik  Katica Janeva e humbi të drejtën e punës jashtë ‘Idrizovës’, u konstatua se nuk i ka respektuar kushtet 
11 korrik  Hristijan Mickoski arriti marrëveshje me Viktor Orbanin për marrjen e kredisë prej 500 milionë eurove nga Hungaria 
22 korrik  Policia ngriti padi ndaj nipërve të Ali Ahmetit dhe disa zyrtarëve tjerë për përfitime të kundërligjshme në Zajaz 
26 korrik  Deputetët e BDI-së morën kërcënime në adresat elektronike 
27 korrik  Kallëzim penal kundër ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi për ‘pengim të drejtësisë’ 
Mickoski - Orban, foto nga VMRO-DPMNE
Mickoski – Orban, foto nga VMRO-DPMNE

Gusht 

2 gusht  Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit, u tentua t’i merret telefoni
5 gusht  Artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe mbetën në rrugë, u mbaruan kontratat e punës 
12 gusht  U ngrit aktakuzë kundër Lupço Palevskit – Palço për vrasjet mizore dhe rrëmbimet e Vanja Gjirçevska dhe Pançe Zhezhovskit 
13 gusht  U shënua 23 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit
14 gusht Ixhet Memeti pranoi se ka marrë ryshfet dhe është pajtuar me Prokurorinë, një vit dënim me kusht dhe dorëheqje nga Këshilli i Prokurorëve 
25 gusht  Pas shtatë viteve në arrati, i dyshuari Dejan Davidovski për ‘27 Prillin’ u arrestua në pikën kufitare Deve Bair 
27 gusht  U prezantua Agjenda e Reformave 2024/27 
Ljupço Palevski Palço në gjykatë. Foto Portalb.mk
Ljupço Palevski Palço në gjykatë. Foto Portalb.mk

Shtator 

2 shtator  Qeveria e RMV-së dhe kompania hungareze e TIK-ut ‘4iG’ nënshkruan memorandum për mirëkuptim
6 shtator  Mihail Rokas mori detyrën e ambasadorit të BE-së në RMV 
10 shtator  Tensione ndëretnike rreth rastit të kishës në fshatin Galllatë në Komunën e Vrapçishtit
17 shtator  Kuvendi i RMV-së miratoi ligjin për kredinë prej 500 milionë eurosh nga Hungaria 
20 shtator  Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e Gjykatës Penale të Shkupit ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqirit për keqpërdorim të pozitës dhe e ktheu lëndën në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë 
24 shtator  Qeveria solli vendim që të ndalohet bixhozi online për disa kompai në RMV 
Muhamed Zekiri. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Muhamed Zekiri. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Tetor 

1 tetor  U rritën pensionet për 2.500 denarë, kësaj rrites i paraprinë shumë protesta të pensionistëve 
4 tetor  Ish-kryeministrit Nikolla Gruevski i skadoi dënimi me burg për rastin ‘Tanku’ për blerjen e Mercedesit luksoz 
9 tetor  Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi ‘Balancuesin, instrumentin i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetëror
13 tetor  Vdiq ish-ministri i Parë i Skocisë në Ohër, ku po merrte pjesë në Forumin e Dytë për Diplomaci Kulturore 
23 tetor  Komisioni Evropian e miratoi agjendën e reformave për Maqedoninë e Veriut 
26 tetor  Dhanë dorëheqje anëtarët e Komisionit për Falje 
30 tetor  U publikua Raporti i Progresit nga Komisioni Evripian: Korrupsioni mbetet shumë i përhapur, ndryshimet kushtetuese duhen bërë
Gjykata Kushtetuese, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk
Gjykata Kushtetuese, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk

Nëntor 

5 nëntor  U mbajt edicioni i 20-të i konferencës ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” nga Fondacioni Metamorfozis 
18 nëntor  U mbajt mbledhja e përbashkët midis Qeverisë së RMV-së dhe Kosovës në Prishtinë 
19 nëntor  Ish-ministrja e Mbrojtjes e RMV-së Radmilla Shekerinska u zgjodh zëvendës-sekretare e përgjithshme e NATO-s 
23 nëntor  Tre vjetori i tragjedisë së autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 persona nga RMV-ja
28 nëntor  Incidente me djegiet flamurit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut 
Foto sceenshot nga grisja e flamurit të RMV-së dhe djegia e flamurit shqiptar në rrjetet sociale
Foto sceenshot nga grisja e flamurit të RMV-së dhe djegia e flamurit shqiptar në rrjetet sociale

Dhjetor 

2 dhjetor  Dha dorëheqje kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva 
4 dhjetor  Dhjetëra nxënës përfunduan në spital pas sfidës virale të TikTok-ut ‘Superman
9 dhjetor  Artan Grubi dhe Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion
10 dhjetor  Aksion i madh policor me dhjetëra të arrestuar, në mesin e të dyshuarve edhe ish-drejtorët e EMV-së Vasko Kovaçevski dhe Ardian Muça
11 dhjetor  Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim për Ligjin e gjuhëve, vendosi të caktojë seancë përgatitore në mars 2025
12 dhjetor  Rasti ‘Besa Trans’ u kthye nga e para, Apeli i pranoi ankesat e të akuzuarve
17 dhjetor  Kallëzime penale për ish kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë personave tjerë për rastin ‘Lotaria’ 
17 dhjetor  Gjykata Themelore Penale caktoi masën e paraburgimit për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin, të dy janë arratisur jashtë shtetit 
18 dhjetor  MPB-ja publikoi fletarreste ndërkombëtare për Artan Grubin dhe Përparim Bajrami
18 dhjetor  Pesë persona kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme mbi 832 milionë denarë gjatë ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës
20 dhjetor Nga sulmet ruse në Ukarinë u dëmtua ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kiev
23 dhjetor MEPSO e ndërpreu kontratën me kontraktuesin e projektit interkonektorit ndërmjet RMV-së dhe Shqipërisë
28 dhjetor Gjykata ia mori pasaportën kryetarit të Komunës së Strugës Ramis Merkos 
 30 dhjetor MPB lëshoi fletarrest ndërkombëtar për ish-drejtorin e EMV-së Vasko Kovaçevski
Enver Bexheti dhe Artan Grubi. Foto ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prapavija: 3dmitry/Canva)
Enver Bexheti dhe Artan Grubi. Foto ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prapavija: 3dmitry/Canva)

Lexo ngjarjet e viteve paraprake: