Rrugët në lagjen ‘Orta Bunar’ në Kumanovë plot gropa dhe dëmtime, komuna nuk e ka në plan t’i rregullojë

Rrugët “Karl Marks” dhe “Lube Gaçev” të cilat janë shumë të frekuentuara dhe që gjenden në lagjen e njohur si “Orta Bunar” në Kumanovë janë plot gropa dhe asfalt të dëmtuar. Banorët ankohen se mbi një dekadë nuk është bërë asnjë investim në këto rrugë, kurse Komuna e Kumanovës arsyetohet se nuk ka para për […]

Jan 10, 2025 - 13:00
 0  4
Rrugët në lagjen ‘Orta Bunar’ në Kumanovë plot gropa dhe dëmtime, komuna nuk e ka në plan t’i rregullojë
Në hyrje të rrugës "Lube Gaçev" Kumanovë, asfalt i dëmtuar. Foto nga Portalb.mk

Rrugët “Karl Marks” dhe “Lube Gaçev” të cilat janë shumë të frekuentuara dhe që gjenden në lagjen e njohur si “Orta Bunar” në Kumanovë janë plot gropa dhe asfalt të dëmtuar. Banorët ankohen se mbi një dekadë nuk është bërë asnjë investim në këto rrugë, kurse Komuna e Kumanovës arsyetohet se nuk ka para për rikonstruimin e tyre, shkruan Portalb.mk.

Këto rrugë pavarësisht se janë ndër rrugët më të frekuentuarat dhe që lidhen me rrugë të tjera kryesore të qytetit, për autoritetet ngelen të “pa dukshme”.

Qytetarët ankohen se asfalti i dëmtuar dhe gropat e mëdha e bëjnë lëvizjen e automjeteve të vështirë pasi gropat vetëm janë riparuar pjesë-pjesë kohë pas kohe.

Nazim Elezi nga Kumanova thotë se kjo rrugë është zemra e qytetit dhe është mjerim që kurrë nuk janë marrë masa për ta rregulluar, sipas tij gropat mbushen kohë pas kohe dhe kur bie shi ato rikthehen në gjendjen e njëjtë.

“Presim nga Komuna e Kumanovës që të marrin iniciativën për të shtruar me asfalt të ri sepse ka 15 vite që në këtë rrugë nuk është investuar, dhe duhet që edhe këshilltarët e komunës të jenë vigjilent sepse kjo rrugë lidhet me rrugët kryesore të qytetit që është shkolla fillore “Bajram Shabani”, rruga deri te tregu i gjelbër, dhe për në qendër. Kërkojmë nga komuna që kjo rrugë të rregullohet sepse është e nevojshme edhe për ne qytetarët dhe nuk është aspak e hijshme që këtë rrugë ta lënë në harresë”, tha Elezi.

Nga ana tjetër Nazife Jahiu theksoi se çdoherë kur kalon në këtë rrugë has në pengesa.

“Unë çdo herë që kalojë në këtë rrugë kam pengesa sidomos kur është koha me shi dhe për shkak të gropave shoferët revoltohen dhe uji bie te ne këmbësorët. Kërkoj që nga autoritetet të merren masa dhe të bëjnë rikonstruktimin e rrugës për shkak se kjo rrugë është një ndër rrugët më të lëvizshme në qytet”, tha Jahiu.

Bashkim Elezi banor në lagjen ‘Orta Bunar’ tregoi se riparimi i rrugës është bërë vetëm duke i mbuluar gropat sa për sy e faqe.

“Ka 15 vite që nuk është asfaltuar kjo rrugë dhe ka raste kur për shkak të gropave automjetet kanë plasje të gomave shkaku i ujit që mblidhet dhe gropat nuk janë të riparuara siç duhet kështu që kërkojmë nga kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski që të bëjë investim në lagjet e vjetra të Kumanovës. Në shumicën e rasteve kur është koha me reshje të shiut gjithë kemi pengesa sepse uji kthehet mbrapa në shtëpitë tona, sepse ka raste kur kemi probleme edhe me kanalizimet. Kërkojmë që të bëhet rikonstruktimin i rrugës sepse asnjëherë nuk janë interesuar në këtë lagje të investojnë, siç shihet kjo rrugë ka mbetur jetim”, tha Elezi.

Komuna e Kumanovës nuk ka ndonjë plan konkret për rikonstruimin e këtyre rrugëve. Ata për Portalb.mk treguan se për shkak të mungesës së burimeve financiare këto rrugë kanë mbetur pa u rikonstruuar.

“Për shkak të mungesës së burimeve financiare, rrugët nuk janë rikonstruktuar. Komuna fillimisht do të planifikojë dhe do të përgatisë dokumentacionin teknik dhe pas marrjes së miratimit për rikonstruksion dhe sigurimin e burimeve financiare, në përputhje me programin vjetor, do të fillojë realizimin”, thanë nga Komuna e Kumanovës.

Pyetëm nëse këto procedura do të bëhen gjatë këtij viti, por nga Komuna e Kumanovës deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën.

Ndryshe, këto nuk janë të vetmet rrugë në këtë gjendje në Kumanovë, një ndër rrugët që është e dëmtuar është edhe rruga te “Zona Industriale”, madje qytetarët kanë bërë edhe peticion ku kanë kërkuar nga komuna që ta rregullojë rrugën.