Sali Berisha mban fjalën në çeljen e fushatës së PD-së: Edi Rama sonte e ke të vështirë natën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë fjalën në sheshin Nënë Tereza, ku po mbahet hapja e fushatës elektoorale për zgjedhjet e 11 Majit, Para demokratëve, Berisha u shpreh i bindur për fitore dhe triumf në këto zgjedhje. Kryedemokrati ironizoi kryeministrin, duke thënë se Rama do ta ketë të vështirë natën sonte. Pjesë nga […]

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë fjalën në sheshin Nënë Tereza, ku po mbahet hapja e fushatës elektoorale për zgjedhjet e 11 Majit,
Para demokratëve, Berisha u shpreh i bindur për fitore dhe triumf në këto zgjedhje.
Kryedemokrati ironizoi kryeministrin, duke thënë se Rama do ta ketë të vështirë natën sonte.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Ne mblidhemi sonte me një betim solemn para Shqipërisë për ta nxjerrë atë nga kthetrat e këtij regjimi
Të dashur demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, qytetare dhe qytetarë të Tiranës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju burrave dhe grave fisnikë, njerëz të mrekullueshëm që e keni bërë sot këtë shesh më të bukurin e Shqipërisë, më të bukurin në Europë.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta kandidatëve të Aleancës së Shqipërisë Madhështore, të rinjtë, të reja, burra dhe gra, krenaria jonë, krenari për kombin.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta zotit Chris LaCivita, kryetari i Komitetit të Partisë Republikane, bashkëarkitektit të rikthimit më të madh, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, rikthimit të presidentit Donald Trump.
Në jetën time kam mbajtur shumë fjalime, por sonte jam më i emocionuar se asnjëherë kur ju shoh ju, njerëz të lirë, burra dhe gra fisnikë, që i keni dhënë sot këtij sheshi energjinë dhe entuziazmin e fitores sonë.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj.
Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të.
E dashurisë për familjen.
E atdhetarisë tuaj.
E idealeve të lirisë.
Miq, imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë.
Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin.
E shumë e presin.
Edi Rama, sonte e ke të vështirë natën.
Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore.
Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri.
Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë.
Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste.
Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë.
Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare.
Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur.
Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju.
Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë.
Ja ku jemi sot, të ngritur si Feniksi nga hiri në zenit për të shkuar drejt fitores.
Miqtë e mi, ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë.
Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi.
Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura.