Selimaj i reagon VV-së në Gjakovë: Deklaratat dhe akuzat e pabaza
Avokati i kompanisë “Plaza Mall & Towers L.L.C”, ka reaguar ndaj degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë në lidhje me deklaratave se Komuna e Gjakovës ka dhënë parcelën komunale kësaj kompanie e që sipas tyre është në kundërshtim me kontratën që është nënshkruar. Meshari Selimaj si i autorizuar i kësaj kompanie ka hedhur poshtë pretendimet


Avokati i kompanisë “Plaza Mall & Towers L.L.C”, ka reaguar ndaj degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë në lidhje me deklaratave se Komuna e Gjakovës ka dhënë parcelën komunale kësaj kompanie e që sipas tyre është në kundërshtim me kontratën që është nënshkruar.
Meshari Selimaj si i autorizuar i kësaj kompanie ka hedhur poshtë pretendimet e tyre duke thënë se janë tendencioze dhe po bëhet për poena politikë.
Reagimi i plotë:
Si i autorizuar i Kompanisë Plaza Mall & Towers L.L.C, paraqes këtë
REAGIM ndaj deklaratave të pavërteta dhe tendencioze të bëra në vazhdimësi nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Gjakovë
Datë: 02.11.2025
Kompania Plaza Mall & Towers L.L.C, si një nga investitorët më kredibil dhe transformues në komunën e Gjakovës, në mënyrë krejtësisht tendencioze është bërë cak i akuzave dhe sulmeve politike nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, të cilat po vazhdojnë edhe këto ditë përgjatë kohës ku pritet të mbahet edhe balotazhi në komunen e Gjakoves, lidhur me marrjen në shfrytëzim të pronës komunale në të cilën është duke u ndërtuar Hoteli, Qendra Tregtare dhe Parkingu Nëntokësor.
Përkundër vullnetit që investitori Plaza Mall & Towers L.L.C të mos përfshihet në diskursin politik, është e arsyeshme dhe e domosdoshme që për hir të së vërtetës me anë të këtij reagimi, qytetarët e Gjakovës dhe opinioni i gjerë publik të njoftohen drejtë dhe në mënyrë të saktë duke mos lejuar kështu që dezinformatat, shpifjet dhe manipulimet të mbizotërojnë mbi ligjshmërinë e vendimeve të organeve shtetërore.
Deklaratat dhe akuzat e pabaza që kanë qarkulluar publikisht gjatë fushatës zgjedhore të cilat po vazhdojnë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve (balotazhit) përmes mediave dhe platformave tjera sociale janë tërësisht të pavërteta, të motivuara politikisht dhe kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të kompanisë dhe pengimin e projekteve zhvillimore që sjellin përfitime të jashtëzakonshme për qytetin dhe gjithë qytetarët e Gjakovës, sepse me këtë projekt serioz do të punësohen mbi 700 punëtorë, do të ketë rritje ekonomike e cila do të ndikoj në rritjen e mirëqenies për familjet gjakovare, do të tërheqë vizitorë dhe turist nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, si dhe do të shmang humbjet ekonomike të qytetit duke mbajtur paranë brenda komunitetit dhe duke siguruar kështu zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Me ketë rast, dëshirojmë të theksojmë qartë se çdo hap i ndërmarrë nga kompania Plaza Mall & Towers L.L.C me ketë projekt është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjet dhe me procedurat përkatëse të institucioneve komunale dhe atyre qendrore, të cilat vërtetojnë ligjshmërinë e projektit, që nga kontrata për dhënie në shfrytëzim e tokës, leja e ndërtimit, konfirmimi i ligjshmërisë nga radha e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), dhe gjitha dokumentet tjera të cilat e vërtetojnë së gjithçka lidhur më këtë projekt është në përputhje me ligjet në fuqi.
Duke i pasur parasysh këto fakte ligjore, Plaza Mall & Towers L.L.C, i bën thirrje subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje – dega në Gjakovë, që të distancohen publikisht nga përhapja e deklaratave të pavërteta, të cilat bartin në vete edhe përgjegjësi ligjore.
Është e paprecedent dhe hera e parë që një subjekt politik del kundër një investitori strategjik i cili ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit të Gjakovës, përmes investimeve të qëndrueshme dhe krijimit të vendeve të reja të punës, ku do të hapen mbi 700 vende të reja pune, ndërtimi i 20 mijë m2 qendër tregtare, 16 mijë m2 parkingje nga të cilat mbi 9 mijë m2 do të jenë në shfrytëzim nga Komuna e Gjakovës, një hotel me 7 mijë m2, dhe apartamente në sipërfaqe prej 8 mijë m2.
Një kompleks rekreativ me kosto mbi 20 milionë euro që nuk ka qenë më parë në qytetin e Gjakovës do të përfshijë edhe sjelljen e brendeve të njohura botërore të cilat nuk operojnë deri më tani në qytetin e Gjakovës.
