Sot fillon fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale – përfundon me hapjen e vendvotimeve të dielën
Sot, më 3 nëntor nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, e cila do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit më 9 nëntor në orën 07:00. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka deklaruar se fushata do të zgjasë gjashtë ditë


Sot, më 3 nëntor nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, e cila do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit më 9 nëntor në orën 07:00.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka deklaruar se fushata do të zgjasë gjashtë ditë dhe përfundon me hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.
“Gjatë periudhës prej 3 deri më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të miratuar në vitin 2023, fushata përfundon në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit. Njësoj si në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore,” ka sqaruar Elezi.
Ai ka rikujtuar se ligji parasheh ndalesa të qarta për subjektet politike dhe mbështetësit e tyre gjatë fushatës.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ndalon çdo formë pengese ndaj kundërshtarëve politikë, si dhe çdo akt dhune apo kërcënimi. Fushata duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje dhe pa frikësime,” ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së.
Gjatë kësaj periudhe, KQZ do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme, të cilët do të përcjellin nga afër aktivitetet e subjekteve politike, reklamat dhe materialet promovuese. Raportet e tyre do të përdoren për krahasim me të dhënat financiare të deklaruara nga subjektet pas përfundimit të fushatës.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Gara e balotazhit dhe fushata zgjedhore po zhvillohet në një situatë të ndjeshme politike, pas dështimit të formimit të Qeverisë së re ku mund të kemi edhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, e të cilat do të mund të mbahen në muajin dhjetor. /Telegrafi/
