SHGM: Dënojmë fushatën e njollosjes së mediave të pavarura dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në RMV

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) dënojnë ashpër fushatën e vazhdueshme të njollosjes, e cila është e drejtuar kundër mediave të pavarura dhe kritike. Spas tyre, kjo fushatë, e përforcuar edhe më tej në rrjetet sociale, dhe ka për qëllim diskreditimin e mediave dhe gazetarëve […]

shkurt 12, 2025 - 21:00
 0  3
SHGM: Dënojmë fushatën e njollosjes së mediave të pavarura dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në RMV
Media, mediume, kamera, gazetare, televizion

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) dënojnë ashpër fushatën e vazhdueshme të njollosjes, e cila është e drejtuar kundër mediave të pavarura dhe kritike. Spas tyre, kjo fushatë, e përforcuar edhe më tej në rrjetet sociale, dhe ka për qëllim diskreditimin e mediave dhe gazetarëve që zbulojnë korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe çështje të tjera me interes publik, shkruan Portalb.mk.

“Narrativi i rremë se këto media kanë marrë fonde nga USAID për të minuar demokracinë është një përpjekje për të delegjitimuar punën e tyre, ndonëse raportimet e tyre kanë çuar në reforma ligjore, hetime penale dhe sanksione ndaj përgjegjësve për abuzime të ndryshme. Fushatat e tilla të njollosjes synojnë vetëm të heshtin gazetarinë e pavarur dhe kritike dhe të dëmtojnë besimin e qytetarëve te mediat.

Fushata e njollosjes është intensifikuar sidomos në rrjetet sociale, ku nxit urrejtje ndaj gazetarëve, duke përfshirë sulme mizogjine dhe kërcënime ndaj gazetareve. Kjo retorikë jo vetëm që rrezikon sigurinë e individëve, por krijon një klimë frike, duke dekurajuar drejtpërdrejt gazetarinë e lirë dhe profesionale”, thuhet në reagimin e SHGM-së dhe SPGPM-së.

Standardet ligjore ndërkombëtare, shkruan më tutje bë reagim, përfshirë ato të Këshillit të Evropës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përcaktojnë qartë se sulmet ndaj gazetarëve janë një kërcënim për demokracinë dhe lirinë e medias.

“Kujtojmë se me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, gazetarët në Maqedoninë e Veriut kanë statusin e personave zyrtarë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale”.

SHGM dhe SPGPM u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të sigurojnë mbrojtje për gazetarët nga ngacmimet dhe kërcënimet dhe i ftojnë qytetarët të refuzojnë dezinformatat dhe të mbështesin punën e pavarur mediatike, e cila është thelbësore për demokracinë dhe llogaridhënien e institucioneve dhe politikanëve.