Shkupi është ende qyteti më i ndotur në Evropë

Shkupi edhe këtë mëngjes është qyteti më i ndotur në Evropë, sipas të dhënave aktuale të platformës “IQ Air”, transmeton Portalb.mk. Me Indeksin e Cilësisë së Ajrit prej 169, ajri në Shkup vlerësohet si i pashëndetshëm. Vlera e grimcave PM 2.5 është 80.5 mikrogramë për metër kub. Përveç që është qyteti më i ndotur në […]

Jan 6, 2025 - 14:00
 0  4
Shkupi është ende qyteti më i ndotur në Evropë
Ajri i ndotur, banesa, ndërtimtari, urbanizëm, leje, urbanistik, cair, analiza ekonomike

Shkupi edhe këtë mëngjes është qyteti më i ndotur në Evropë, sipas të dhënave aktuale të platformës “IQ Air”, transmeton Portalb.mk.

Me Indeksin e Cilësisë së Ajrit prej 169, ajri në Shkup vlerësohet si i pashëndetshëm. Vlera e grimcave PM 2.5 është 80.5 mikrogramë për metër kub.

Përveç që është qyteti më i ndotur në Evropë, Shkupi sot në mëngjes renditet edhe në vendin e shtatë për nga ndotja në botë.

Përpara saj janë qytetet Lahor (Pakistan), Delhi (Indi), Hanoi (Vietnam), Katmandu (Nepal), Çongqing (Kinë) dhe Dhaka (Bangladesh).

Foto: Printscreen nga www.iqair.com (6 janar 2025 në ora 10:08)
Foto: Printscreen nga www.iqair.com (6 janar 2025 në ora 10:08)

Qyteti tjetër evropian me ndotjen më të madhe të ajrit sot është Prishtina (Kosovë), ku cilësia e ajrit gjithashtu vlerësohet si e pashëndetshme, me indeks të ndotjes prej 158. Prishtina renditet e 13-ta për nga ndotja në botë.

Shkupi këtë sezon dimëror shpesh dominon në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë, sipas “IQ Air”.

Në dhjetor, në kryeqytet u mbajtën dy protesta kundër ndotjes së ajrit. Qytetarët kërkuan qasje urgjente, sistematike ndaj ndotjes së ajrit, përmes zbatimit të masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve.

Sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.

Sipas raportit të vitit 2023 të Institutit për Shëndet Publik të RMV-së, pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.