Shkupi, qytet në “ngjitje”, sot zuri vendin e tretë në botë për nga ndotja e ajrit

Shkupi e nisi ditën me indeks ndotjeje 170, i cili në platformën IQ-Air e vendosi në vendin e tretë në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Sipas platformës, aktualisht, ajri në kryeqytet është i shënuar në kategorinë “i pashëndetshëm”. Ndotësi kryesor i listuar janë grimcat PM 2.5 me përqendrim 83 mikrogramë për metër […]

Nëntor 26, 2024 - 13:00
 0  6
Shkupi, qytet në “ngjitje”, sot zuri vendin e tretë në botë për nga ndotja e ajrit
Ajri i ndotur në Shkup, foto nga Portalb.mk

Shkupi e nisi ditën me indeks ndotjeje 170, i cili në platformën IQ-Air e vendosi në vendin e tretë në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Sipas platformës, aktualisht, ajri në kryeqytet është i shënuar në kategorinë “i pashëndetshëm”. Ndotësi kryesor i listuar janë grimcat PM 2.5 me përqendrim 83 mikrogramë për metër kub, ndërsa grimcat PM 10 kanë një përqendrim prej 83.9 mikrogramë për metër kub, transmeton Portalb.mk.

Sipas udhëzimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për cilësinë e ajrit, përqendrimi i PM 2.5 në kryeqytet është aktualisht 15.9 herë më i lartë se vlera vjetore.

Foto printscreen IQ Air
Foto printscreen IQ Air
Foto printscreen IQ Air
Foto printscreen IQ Air

Ndotja më e madhe mëngjesin e sotëm është regjistruar në pikën matëse në Lisiçe, pasuar nga Kisela Voda dhe Karposh 2.

Qyteti më i ndotur në botë për momentin është Sarajeva në Bosnje dhe Hercegovinë, ku indeksi i ndotjes është 246. Pasohet nga Lahore (Pakistan).

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, dje tha se ndotja e madhe e ajrit është nga ngrohja e shtëpive, por edhe nga transporti urban.

Sipas Mexhitit, problemi me ndotjen e ajrit nuk është nga sot, por për zgjidhjen e tij thotë se duhet të fokusohen tek shkaqet dhe jo tek pasojat.

“Së pari, natyra ka bërë që Shkupi dhe qytetet e tjera të jenë në krye të ndotjes këto ditë. Së dyti, kjo nuk është nga sot, pra është më e gjatë. Është mirë që po ngushtohet periudha kur kemi ajër të ndotur. Së treti, më shumë më shqetësojnë shkaqet se sa pasojat”, tha Mexhiti.

Përveç transportit urban, Mexhiti si shkaktar kryesor të ndotjes së ajrit e vuri në dukje ngrohjen e banesave.

Ai thotë se një faktor kryesor i ndotjes që vjen nga banesat. Por sipas Mexhitit nuk është faji i tyre.

Ndryshe, qytetet në Maqedoninë e Veriut gjatë gjithë këtij muaji janë gjetur në krye të  listave famëkeqe të matjes së cilësisë së ajrit në botë për nga ndotja e ajrit.

Hulumtimi i fundit i UNDP-së për përcaktimin e burimeve të ndotjes së ajrit, si dhe as Raporti i Komisionit Evropian për progresin e reformave të vendit në vitin 2024, më në fund bënë që politikanët dhe institucionet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin masa urgjente.

Kontrollet inspektuese të industrisë dhe kantiereve të ndërtimit, regjim i veçantë qarkullimi për mjetet e rënda të mallrave, reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare të administratës dhe lirimi nga detyrimet e punës të grupeve të ndjeshme dhe grave shtatzëna, janë pjesë e masave afatshkurtra që qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë përfshirë në Planin e ri të veprimit për uljen e ndotjes së ajrit. Për këto masa është miratuar urdhri që të zbatohet në rastet kur ndotja do të kalojë kufijtë e alarmit.