Shkupјаnët sot do të marshojnë për ajër të pastër
Sot nga ora 16:00 Green Humane City (GHC) organizon marsh protestues për ajër të pastër, me pikënisje nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e që do kalojë para Kuvendit dhe do të përfundojë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. Nga kjo organizatë thonë se protesta po organizohet për shkak të numrit […]
Sot nga ora 16:00 Green Humane City (GHC) organizon marsh protestues për ajër të pastër, me pikënisje nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e që do kalojë para Kuvendit dhe do të përfundojë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Nga kjo organizatë thonë se protesta po organizohet për shkak të numrit të madh të vdekjeve që janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes së ajrit. Çdo vit nga 3.828 deri në 5.000 persona në Maqedoni humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e ekspozimit ndaj grimcave të dëmshme PM 2.5, shifra këto që përbëjnë 17,7% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve në vendin tonë.
“Posaçërisht shqetësues është fakti që një në nëntë fëmijë të vdekur nën një vjet e humb jetën si pasojë e ndotjes së ajrit”, thonë nga GHC.
Nga institucionet kompetente ekologjistët kërkojnë trajtim të menjëhershëm dhe sistematik të ndotjes së ajrit përmes zbatimit të masave efikase që do ta mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe do ta ulin në mënyrë drastike ndotjen e ajrit.
Ata propozojnë disa masa afatshkurtra dhe afatmesme, duke përfshirë këtu edhe parashikimin e inversioneve të temperaturës në lugina për ta menaxhuar më mirë ndotjen e ajrit, një regjistër transparent për lejet e integruara ku do të shënohen personat juridikë dhe vendndodhjet e tyre që janë të detyruar të kenë një leje e integruar B për punë, por gjatë kontrollit është konstatuar se nuk e kanë, pastaj reduktimin e infrastrukturës së komunikacionit rrugor për makina dhe ndalimin e importit të automjeteve të vjetra, të gjitha këto në favor të përforcimit të infrastrukturës për biçikleta.
Një nga kërkesat e ekologjistëve është edhe plani për regjimin e qarkullimit të automjeteve në komunikacion, i cili do të aktivizohet sapo të tejkalohen vlerat kufitare të substancave ndotëse dhe nëse kjo zgjat më shumë se 24 orë.
Sa i përket masave afatmesme, GHC e thekson instalimin e një rrjeti të dendur stacionesh matëse që do të ofrojnë të dhëna publike në kohë reale për shkallën e ndotjes rreth këtyre objekteve, ndërtimin e një rrjeti gjithëpërfshirës për biçikleta, instalimin e sistemeve fotovoltaike në objektet dhe institucionet publike nën juridiksionin e qeverisë, qyteteve dhe komunave, subvencione për amvisëritë për blerjen e fotovoltaikëve dhe fasada me efikasitet energjetik, si dhe një sistem për marrjen me qira të biçikleta.
Kujtojmë se sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.