Shpenzimi i parave të Qeverisë së RMV-së për projektet infrastrukturore të komunave po shkon ngadalë
Pesë komunat që morën më së shumti para nga thirrja e parë e Qeverisë, nga shuma e përgjithshme prej rreth 18 milionë eurove që ishte e ndarë për ato pas gati gjysmë viti nga aplikimi kanë tërhequr vetëm 5,3 përqind. “360 Gradë” përgatiti një mini-bazë me të dhëna lidhur me atë se sa kontrata janë […]


Pesë komunat që morën më së shumti para nga thirrja e parë e Qeverisë, nga shuma e përgjithshme prej rreth 18 milionë eurove që ishte e ndarë për ato pas gati gjysmë viti nga aplikimi kanë tërhequr vetëm 5,3 përqind. “360 Gradë” përgatiti një mini-bazë me të dhëna lidhur me atë se sa kontrata janë nënshkruar, sa kushtojnë, cila komunë sa para ka marrë dhe për cilin projekt, përcjell Portalb.mk.
Pothuajse një muaj më parë Qeveria publikoi një thirrje të re për komunat për mbështetje për projektet infrastrukturore lokale nga buxheti i shtetit. Nga pushteti ekzekutiv thonë se për këtë program kanë ndarë 250 milionë euro.
“Me realizimin e këtyre projekteve presim përmirësime të dukshme në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, tha Zllatko Perinski, ministër i vetëqeverisjes lokale.
E përderisa publikon thirrje për ndarjen e 250 milionë eurove të reja, Qeveria ende nuk ka publikuar një pasqyrë të saktë se si po shpenzohen paratë nga thirrja e parë. Atëkohë u bë e ditur se bëhet fjalë për 100 milionë euro, ndërsa thirrja u publikua në shtator të vitit 2024.
Për këtë arsye ne i mblodhëm të gjitha informacionet në dispozicion nga ministritë përkatëse dhe krijuam mini-bazën e parë të të dhënave. Në të janë përfshirë informacione se sa kontrata janë nënshkruar, sa kushtojnë, sa para ka marrë secila komunë dhe për cilin projekt.
Komunat nënshkruan kontrata me ministrinë e transportit, kulturës, sportit, arsimit, mjedisit jetësor, politikës sociale, demografisë dhe rinisë. Janë miratuar gjithsej 288 projekte në 78 komuna. Vlera e përgjithshme e projekteve është rreth 75 milionë euro, e jo njëqind milionë, siç kanë njoftuar nga Qeveria.
Pas rregullimit të të dhënave arritëm në përfundimin se komuna që ka marrë shumën më të madhe të parave është Kumanova – gati 4 milionë euro për realizimin e 3 projekteve. E dyta është Manastiri me rreth 3 milionë e 750 mijë euro për 16 projekte. Pothuajse të njëjtën shumë e ka marrë edhe Tetova, por për tre projekte. Pastaj vjen komuna e Aerodromit me 3,4 milionë për 9 projekte. Top 5 listën e mbyll komuna e Gazi Babës me 3 milionë euro për 4 projekte.
Sfida më e madhe ishte të kontrollohej se sa nga 75 milionët e ndarë në të vërtetë janë shpenzuar. Kështu, në vend që të fillonim një mision të pamundur në formë të llogaridhënies për secilën nga 288 kontratat në veçanti, ne vendosëm të arrijmë në një përfundim përmes një shembulli.
Kumanova ndërton infrastrukturë në zonën industriale të Reçicës
Në zonën industriale të Kumanovës-Reçicë po realizohet më i madhi nga tre projektet e Komunës së Kumanovës. Bëhet fjalë për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore si rrjet i ujësjellësit dhe kanalizimit dhe një pjesë e rrugëve të brendshme me ndriçim. Kjo do të kushtojë 3 milionë e 425 mijë euro.
“Me ndërtimin e kësaj infrastrukture hapen mundësi për shitjen e tokës së pandërtuar shtetërore investitorëve potencial interesimi i të cilëve është shumë i madh, e me këtë edhe zhvillimi i ekonomisë në qytetin tonë dhe në mbarë vendin në përgjithësi”, thotë Maksim Dimitrievski – kryetar i Komunës së Kumanovës.
Kryetari i komunës është i mendimit se ky është një projekt kapital. Për të është ndarë rreth 85 përqind e shumës së përgjithshme për tre projektet e komunës. Por. ai thotë se projektet e tjera më të vogla nuk janë më pak të rëndësishme.
“Në bisedat e mia edhe me kryeministrin, ministren e financave, ministrin e transportit dhe lidhjeve dhe ministrat e tjerë të Qeverisë, tashmë jemi në bisedime për thirrjet e radhës në vitin 2026, thirrje që janë shumë të rëndësishme për ne komunat, të fokusohen në këtë drejtim, që këto probleme elementare komunale të zgjidhen deri në një masë të caktuar, si dhe të realizohen projekte strategjike si shembulli i Komunës së Kumanovës”, shtoi Dimitevski.
Kumanova ka shpallur tender për të tre, gjegjësisht për 100% të projekteve të saj. Një prokurim publik është ende në vijim e sipër, që do të thotë se ka nënshkruar kontrata për 66,7% të projekteve. Për të dy projektet kanë filluar punimet në terren, por komuna nuk ka shpenzuar asnjë denar nga buxheti i shtetit.
Aerodromi do të bëhet me një shesh tërësisht të rinovuar
Renovimi i sheshit prapa qendrës tregtare Kapitol është një nga projektet e Komunës së Aerodromit në Shkup. Do të kushtojë rreth 740 mijë euro. Kjo është rreth 20 përqind e shumës së përgjithshme prej 3 milionë e 420 mijë eurove të ndara për nëntë projektet e komunës.
“Përfshin një bazë krejtësisht të re, hidroizolim të ri, pajisje të reja urbane, gjelbërim të ri. Realizimin e këtij projekti e kemi filluar para disa javësh. Sipas kontratës afati për përfundimin e punimeve është katër muaj. Sipas dinamikës pres që operatori ekonomik të përfundojë në kohë”, tha Dejan Miteski – U.D. Kryetar i Komunës së Aerodromit.
Kryetari është i mendimit se mjetet për projekte të tilla janë të mirëseardhura nëse merren parasysh buxhetet e komunave dhe mundësinë e realizimit të investimeve kapitale
“Edhe pse nuk duket ashtu, këto janë projekte të vërteta kapitale për të cilat kanë nevojë qytetarët. Ky projekt që po e realizojmë për momentin kushton 45 milionë denarë, mjete që komuna e ka pasur të vështirë t’i sigurojë nga buxheti i saj”, thotë Miteski.
Nga nëntë projekte në Aerodrom për të gjitha është bërë prokurim publik. Mirëpo, kontrata me kontraktorët janë nënshkruar për gjashtë projekte, ndërsa për të tjerat procedura është në vijim e sipër. Në terren është duke u punuar për dy projekte. Ata deri më tani kanë arritur të shpenzojnë 398 mijë euro ose rreth 11,6% të parave që u janë ndarë nga buxheti.
Për Top 5 komunat e tjera ne mblodhëm të dhëna mbi bazë të fondeve të miratuara, pa i vizituar ato. Komuna e Manastirit ka publikuar shpallje për prokurim publik për të 16 projektet. Ajo ka lidhur kontrata për 13, ose 81,2% të projekteve. Por, në terren po punohet për tre. Sa i përket tërheqjes së mjeteve, deri më tani ata kanë tërhequr dhe shpenzuar 160 mijë euro, që është rreth 4,3% e parave të ndara për këtë komunë.
Tetova ka publikuar shpallje dhe ka lidhur kontrata për të tre projektet. Por, kjo komunë as nuk ka filluar me punimet në terren e as nuk ka tërhequr para për ndonjë nga projektet.
Edhe komuna e Gazi Babës ka tenderë për të katër projektet, ndërsa tre e kanë kaluar edhe fazën e nënshkrimit të kontratave, kështu që për momentin po punohet në terren. Kjo komunë ka tërhequr gjithsej rreth 385 mijë euro, që është rreth 12,6% e sasisë së përgjithshme të mjeteve.
Ose nëse i marrim të dhënat nga komunat tek të cilat duhet të përfundojë sasia më e madhe e parave, nga gjithsej 35 projekte, për 35 janë shpallur prokurime publike. Për 27 janë nënshkruar kontrata dhe për 10 projekte kanë filluar punimet në terren. Nga gjithsej 17,9 milionë euro mjete të planifikuara për këto komuna janë tërhequr vetëm 943 mijë euro.
Nëse këto komuna janë pikë referimi edhe për komunat e tjera, kjo do të thotë se gjysmë viti pas thirrjes së parë, autoritetet lokale kanë arritur të shpenzojnë vetëm rreth 5,3 përqind të buxhetit që pushteti ekzekutiv i ka rezervuar për to.
Projektet realizohen në vit zgjedhor
Pra, shpenzimi i parave për momentin nuk po bëhet shpejt, kështu që mund të pritet një rritje e ritmit në muajt e ardhshëm. Ndërsa deri në fund të këtij viti duhet të ketë edhe zgjedhje lokale. Kështu që iu drejtuam me pyetje të dy kryetarëve të komunave – a do të ndikojnë punimet në terren në vendimin e qytetarëve për atë se për kë do të votojnë?
“Unë jam kryetar komune plot shtatë vjet. Zgjedhjet nuk fitohen një vit para përfundimit të mandatit. Qytetarët tashmë e kanë formuar mendimin e tyre për kryetarët e tyre apo kandidatët e mundshëm” dhe “Unë gjatë mandatit tim ende nuk kam prerë shirit e as nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë, përveç se në rastet kur realisht do të lëshojmë në përdorim një projekt kapital”, thotë Maksim Dimitrievski – Kryetar i Komunës së Kumanovës.
“Duke marrë parasysh se të gjitha komunat kanë kushte të barabarta, pavarësisht nëse kryetarët e komunave vijnë nga pushteti apo opozita, nuk besoj se këto projekte do të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin e qytetarëve se për kë do të votojnë në këto zgjedhje, por do të ndikojnë drejtpërdrejt në kënaqësinë e qytetarëve me projektet që do të realizohen. Pa dallim nëse kryetari është nga VMRO-DPMNE, nga LSDM, nga BDI apo nga ndonjë parti tjetër politike”, thotë Dejan Mitevski – Kryetar i Komunës së Aerodromit.
Lista ka edhe fund
Por Top lista tregon se komunat që kanë marrë më shumë para në thirrjen e parë kanë kryetarë që vijnë nga partitë që e përbëjnë pushtetin qendror. Përgjigjen për këtë e kërkuam dhe e gjetëm tek shifrat.
Nëse parave u shtohet edhe numri i banorëve në një komunë, bëhet e qartë se formula të cilën e ka përdorur Qeveria ka qenë që të ndajë nga rreth 2.700 denarë për banor në pothuajse të gjitha komunat.
Themi pothuajse në të gjitha, sepse në disa prej tyre kjo mesatare është dukshëm më e ulët. Në Komunën Qendër janë ndarë 2.050 denarë për banor. Në Mavrovë dhe Rostushë 1.511 denarë për banor. Në Kërçovë 1.404 denarë, ndërsa në Strumicë, Saraj dhe Qytetin e Shkupit si njësi e vetëqeverisjes lokale janë ndarë zero denarë për banor, sepse këtyre komunave nuk u janë miratuar projektet. Rastësi apo jo, të gjitha komunat që gjenden në fund të listës drejtohen nga kuadro të opozitës LSDM, BDI, si dhe në rastin e Qytetit të Shkupit nga e pavarura Danella Arsovska.
Ne iu drejtuam BDI-së dhe LSDM-së me pyetje– a kanë ndonjë vërejtje sa i përket shpërndarjes së mjeteve? Por, përgjigje nuk morëm.