ASh Sela kërkoi dorëheqje të Toshkovskit, Durmishit dhe funksionarëve tjerë

Aleanca për Shqiptarët (Ziadin Sela) ka kërkuar dorëheqje të zyrtarëve qeveritarë pas tragjedisë së zjarrit në diskotekën në Koçan, transmeton Portalb.mk.  Nga kjo parti thonë se pas 9 muajve dështimesh të qeverisë dhe më shumë se një vit paaftësi nga ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, qytetarët nuk mund të durojnë më.   “Kaosi institucional dhe […]

Mars 17, 2025 - 00:00
 0  4
ASh Sela kërkoi dorëheqje të Toshkovskit, Durmishit dhe funksionarëve tjerë
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Aleanca për Shqiptarët (Ziadin Sela) ka kërkuar dorëheqje të zyrtarëve qeveritarë pas tragjedisë së zjarrit në diskotekën në Koçan, transmeton Portalb.mk

Nga kjo parti thonë se pas 9 muajve dështimesh të qeverisë dhe më shumë se një vit paaftësi nga ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, qytetarët nuk mund të durojnë më.  

“Kaosi institucional dhe mosveprimi nuk mund të justifikohen më. Ministri i Punëve të Brendshme Toshkovski, Ministri i Ekonomisë Durmishi, kryetari i Komunës Papazov, drejtori i Inspektoratit të Tregut, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe të gjithë përgjegjësit për këtë situatë, duhet të japin llogari për keqmenaxhimin dhe dështimet e tyre të rënda”, thonë nga ASh. 

Ata shtuan se përgjegjësit e drejtpërdrejtë, përfshirë pronarët dhe falsifikatorët, duhet të mbajnë përgjegjësi penale. 

“Por nuk mund të harrojmë as ata që heshtën dhe nuk vepruan në kohë – edhe ata janë fajtorë dhe nuk mund të shpëtojnë nga llogaridhënia. Ky është kulmi i dështimit. Dorëheqje tani”, përfunduan nga ASh. 

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur. Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 25 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar, është kërkuar paraburgim për disa prej tyre. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.

LEXO MË SHUMË NË:

Tragjedi në Koçan: 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj