Shpenzimet e kryetarëve të Pollogut: Mbi 47 mijë euro për rrugë dhe udhëtime zyrtare në vetëm tre vjet, kush sa harxhoi? (Infografik)
Kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut nga viti 2022 deri më 2024 kanë shpenzuar gjithsej 2,946,717 denarë, apo mbi 47 mijë euro për harxhime rrugore (benzinë, pikë-pagesa rrugore) dhe udhëtime zyrtare. Portalb.mk i siguroi të dhënat e detajuara nga të nëntë komunat (Tetovë, Gostivar, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë, Vrapçisht, Bërvenicë, Jegunovcë dhe Mavrovë&Rostushë) përmes Ligjit për qasje […]


Kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut nga viti 2022 deri më 2024 kanë shpenzuar gjithsej 2,946,717 denarë, apo mbi 47 mijë euro për harxhime rrugore (benzinë, pikë-pagesa rrugore) dhe udhëtime zyrtare. Portalb.mk i siguroi të dhënat e detajuara nga të nëntë komunat (Tetovë, Gostivar, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë, Vrapçisht, Bërvenicë, Jegunovcë dhe Mavrovë&Rostushë) përmes Ligjit për qasje të lirë në informata publike. Më së shumti ka harxhuar kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ndërsa më pak ka harxhuar kryetari i Komunës së Vrapçishtit Isen Shabani.
Kush, sa dhe për çfarë harxhoi, të dhënat e detajuara i gjeni më poshtë.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ka harxhuar më së shumti, për tre vite ai ka shpenzuar 888,058 denarë për harxhime rrugore dhe udhëtime zyrtare.
Sektori për çështje financiare në Komunën e Tetovës për Portalb-in informoi se Kasami ka harxhuar si vijon: Në vitin 2022 – 24,600 denarë, në 2023 – 363,458 denarë dhe në 2024 – 500,000 denarë.
Pas Kasamit, më së shumti ka harxhuar kryetari i Komunës së Tearcës Nuhi Neziri. Për tre vjet ai ka shpenzuar 488,888 denarë.
Në vitin 2022 kryetari i Komunës së Tearcës ka 216,650 denarë për udhëtime zyrtare, në vitin 2023 – 205,570 denarë dhe në 2024 – 66,668 denarë.
I treti në listë që ka harxhuar më shumë është kryetari i Bogovinës, Besnik Emshiu. Ai në total ka shpenzuar 359,000 denarë.
Në vitin 2022 kryetari i Komunës së Bogovinës për benzinë ka shpenzuar 110,000 denarë dhe për pikë pagesa rrugore 2500 denarë. Në vitin 2023 për benzinë ka harxhuar 125,000 denarë ndërsa për pikë pagesa rrugore 3500 denarë. Në vitin 2023 ai ka harxhuar 115,000 denarë për benzinë dhe për pigë-pagesa rrugore (M-Tag) 3000 denarë.
Në këto tre vite, siç informuan nga Komuna e Bogovinës ai nuk ka pasur udhëtime zyrtare jashtë shtetit.
I katërti në listë është kryetari i Komunës së Jegunovcës, Dimitar Kostadinoski. Ai gjithsej ka shpenzuar 310,982 denarë.
Në vitin 2022 nga ana e kryetarit të komunës së Jegunovcit për benzinë janë shpenzuar 85,000 denarë, për udhëtime në vend 14,196 denarë, për udhëtime jashtë vendit 9,176 denarë dhe për pikë-pagesa rrugore 6120 denarë.
Në vitin 2023 për benzinë ai ka harxhuar 100,000 denarë ndërsa për pikë-pagesa rrugore 7160 denarë.
Në vitin 2024 për benzinë ka harxhuar 80,000 denarë ndërsa për pikë-pagesa rrugore 9,330 denarë.
Kryetari i Komunës Mavrovë&Rostushë, Medat Kurtovski ka harxhuar 285,103 denarë.
Në vitin 2022 për udhëtime zyrtare ai ka shpenzuar 82,300 denarë për udhëtime zyrtare brenda vendit, për pikë-pagesa rrugore 4,050 denarë, për udhëtim zyrtar në Turqi 11,781 denarë dhe për udhëtim zyrtar në Itali 15,253 denarë.
Në vitin 2023 për udhëtime zyrtare në vend ka shpenzuar 100,800 denarë, për pikë pagesa rrugore 3,790 denarë dhe për udhëtim zyrtar në Turqi 12,669 denarë.
Në vitin 2024 për udhëtime zyrtare në vend ka shpenzuar 46,200 denarë dhe për pikë-pagesa rrugore 8,260 denarë.
Pas tij vijnë dy kryetarët e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe Valbon Limani. Ata kanë harxhuar 252,078 denarë. Ndryshimi i kryetarit të kësaj komune erdhi pasi Taravari u emërua ministër i Shëndetësisë.
“Për vitin 2022 për udhëtim brenda vendit janë shpenzuar 2,837 denarë, kurse jashtë vendit 31,480 denarë. Për vitin 2023 për udhëtim brenda vendit janë shpenzuar 2,410 denarë, kurse jashtë vendit 79,511 denarë. Për vitin 2024 janë shpenzuar 2,540 denarë për udhëtim, për akomodim 44,610 denarë dhe 88,690 denar për udhëtim jashtë vendit”, thonë nga Komuna e Gostivarit.
Më pas vjen kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski i cili ka shpenzuar 212,087 denarë.
Harxhimet e kryetarit të Komunës së Bërvenicës ju referohen harxhimeve për udhëtime jashtë vendit.
I parafundit në listë është kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu i cili ka harxhuar 120,521 denarë.
“Nga kryetari i Komunës së Zhelinës për rrugë (benzinë, pikë-pagesa rrugore dhe udhëtime tjera zyrtare) janë shpenzuar: Për vitin 2022 – 99,911 denarë; 2023 – 0 denarë; 2024 – 20,610 denarë)”, informuan nga Komuna e Zhelinës.
Ndërkaq më pak mjete nga të gjithë ka shpenzuar kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.
“Kryetari i komunës për vitet 2022, 2023 dhe 2024 nuk ka shpenzuar më shumë se 10.000,00 denarë për benzinë në muaj, ndërsa pikë-pagesat rrugore dhe udhëtimet tjera zyrtare i ka paguar vetë”, thanë nga Komuna e Vrapçishtit.
Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka të hapur asnjë rast për keqpërdorim të mjeteve publike për harxhime rrugore dhe udhëtime zyrtare nga kryetarët e komunave të Pollogut në këto tre vite.