Shqiptari i dëgjueshëm është shqiptar i mirë – të tjerët etiketohen si radikalë që prishin raportet ndëretnike
Editorial Flaka Në Maqedoninë e Veriut, shqiptari që ngre zërin ndaj padrejtësive, në vend se të shihet si qytetar aktiv dhe i ndërgjegjshëm, shpesh etiketohet si “ekstremist”, “radikalist” apo si The post Shqiptari i dëgjueshëm është shqiptar i mirë – të tjerët etiketohen si radikalë që prishin raportet ndëretnike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Editorial Flaka
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptari që ngre zërin ndaj padrejtësive, në vend se të shihet si qytetar aktiv dhe i ndërgjegjshëm, shpesh etiketohet si “ekstremist”, “radikalist” apo si pengues i “raporteve ndëretnike”. Ky diskurs, i ndërtuar ndër vite nga qarqe politike e mediatike maqedonase, është bërë një armë e rrezikshme për të heshtur zërin e pakënaqësisë, duke kriminalizuar vetë kërkesën për barazi.
Pyetja është e thjeshtë: a duhet shqiptarët të heshtin ndaj margjinalizimit, vetëm që të fitojnë simpatinë e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski? Nëse përgjigjja është po, atëherë kemi pranuar që barazia qytetare është një privilegj që jepet sipas qejfit të liderit të VMRO-DPMNE, e jo një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Por realiteti është i hidhur. Shqiptarëve u kërkohet të bëjnë “kompromis” edhe për çështjet më elementare – përdorimin e gjuhës, përfaqësimin në institucione, ndarjen e buxhetit publik. Çdo reagim i tyre ndaj diskriminimit përkthehet menjëherë në rrezik për “kohezionin ndëretnik”. Ndërkohë, kur maqedonasit ngritin zërin për padrejtësi politike apo sociale, perceptohen si demokratë që mbrojnë interesin publik.
Ky standard i dyfishtë është në thelb të krizës së besimit mes komuniteteve. Ai nuk është thjesht një problem i narrativës politike të Mickoskit apo të VMRO-së. Është një kulturë shtetërore që i trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, të cilët duhet të dëshmojnë vazhdimisht lojalitet, ndërkohë që të tjerët marrin privilegjin e mosndëshkimit edhe kur dëmtojnë rendin e përbashkët.
Përgjigjja e shqiptarëve nuk mund të jetë heshtja. Sepse heshtja, në këtë kontekst, nuk prodhon as stabilitet, as respekt, por vetëm një normalizim të margjinalizimit. Nëse një kryeministër e sheh barazinë si kërcënim dhe jo si vlerë, atëherë është ai që duhet të reflektojë mbi konceptin e demokracisë, jo komuniteti që kërkon të drejtat e veta.
Maqedonia e Veriut nuk do të bëhet kurrë shtet modern dhe funksional, për sa kohë që zëri i shqiptarëve interpretohet si problem, e jo si kontribut. Barazia nuk është lëshim politik që i bëhet një partie apo një komuniteti – është themeli i një shoqërie të drejtë.
Në këtë kuptim, heshtja përballë padrejtësive nuk është rrugë drejt integrimit evropian, por rrugë drejt nënshtrimit dhe humbjes së dinjitetit. Dhe një popull që hesht përballë diskriminimit, rrezikon të humbasë jo vetëm të drejtat, por edhe vetë zërin e tij në historinë e përbashkët.
The post Shqiptari i dëgjueshëm është shqiptar i mirë – të tjerët etiketohen si radikalë që prishin raportet ndëretnike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
