Shumë konkurse hapen, ndërsa më pas anulohen me arsyetimin se kandidatët nuk janë mjaftueshëm të mirë
Vazhdon anulimi i konkurseve ku kryesisht duhet të zgjidhen anëtarë apo drejtorë nga radhët e VLEN-it. Në Kuvend u anuluan konkurset për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të cilin e zgjedh Kuvendi me mbështetje të shumicës parlamentare. Sipas kryetarit të komisionit […]
Vazhdon anulimi i konkurseve ku kryesisht duhet të zgjidhen anëtarë apo drejtorë nga radhët e VLEN-it. Në Kuvend u anuluan konkurset për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të cilin e zgjedh Kuvendi me mbështetje të shumicës parlamentare.
Sipas kryetarit të komisionit për zgjedhje dhe emërime, Gjorgjija Sajkoski, konkursi për anëtarin anti-diskriminim anulohet pasi komisioni ka vlerësuar se kandidatët nuk janë “mjaftueshëm” të mirë. Ndërkohë konkursin për anëtar të Këshillit Gjyqësor, kryetari i Kuvendit e ka publikuar më 7 prill por për arsye teknike nuk është publikuar në faqen e internetit dhe komisioni vendosi ta anulojë konkursin. Në konkursin e parë, shumica parlamentare vendosi të mbështesë kandidatin Sejfulla Osmani por më pas ndryshuan mendje pasi kandidati kishte fshehur faktin se ka qenë i shkarkuar në periudhën kur ka qenë gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gostivar. Nga VLEN për Alsat thonë se konkurset e anuluara nuk duhet parë si dobësi por si reflektim i përpjekjes që proceset të mos përfundojnë me zgjedhje të kontestuara dhe kandidatë që nuk plotësojnë standardet profesionale thonë nga VLEN.
“Është më e dëmshme të bëhen emërime të nxituara sesa të rikthehet procesi për të siguruar përzgjedhje të qëndrueshme dhe kredibile. VLEN nuk funksionon me logjikën partiake në këto procese, por me parimin që institucionet duhet të udhëhiqen nga njerëz kompetentë, me integritet dhe të pranueshëm edhe në plan profesional dhe publik. Prandaj, çdo proces që nuk i plotëson këto kritere është më mirë të rihapet sesa të imponohet një zgjidhje e dobët – VLEN.
Në fund të shkurtit gjithashtu ishte anuluar edhe konkursi për drejtor në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike. Pikërisht kjo pozitë u shndërrua në mollë sherri brenda ASH-së në VLEN. Për drejtor në AKE, dje u publikua konkurs i ri. Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, gjithashtu ka mbetur pa zv.drejtor shqiptar ndërsa ditë më parë u mbyll edhe konkursi për drejtor dhe zv.drejtor në Radio Televizionin e Maqedonisë. Zv.drejtori duhet të jetë shqiptar të cilin e zgjedh këshilli programor ndërsa në garë janë disa kandidatë. /Alsat.mk