Skandal diplomatik: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?” – reagime të ashpra nga VLEN

Përplasje të shumta ka shkaktuar një komunikim në një grup Uatsap, ku pretendohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?” Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një […]

Prill 25, 2026 - 16:00
Skandal diplomatik: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?” – reagime të ashpra nga VLEN

Përplasje të shumta ka shkaktuar një komunikim në një grup Uatsap, ku pretendohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?” Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama. Zyrtari i VLEN-it, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi e ka cilësuar si zhgënjyes dhe të papranueshëm fjalorin e Hoxhës. Sipas tij zhgënjyese është edhe heshtja e ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani.

“Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kod etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar. Zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut, tha Besar Durmishi, VLEN.

Ndërkohë nënkryetari i BDI-së, ish ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani thotë se çështja nuk është fjala e djeshme, por kontradiktatat e përditshme mes asaj që pretendohet dhe bëhet.

“Nuk e di nëse është thënë, dhe pse përfaqësuesit në qeveri janë quajtur ashtu. Etiketat janë më pak të rëndësishme se pyetja që dëgjoj shpesh nga aktorë ndërkombëtarë për këta në qeveri: Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur shqiptarët janë 100 % pro-evropianë, ndërsa ata mbështesin politika që e bllokojnë rrugën drejt BE-së? Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur krijojnë ambient që gjuha shqipe të trajtohet si dytësore? Çështja nuk është fjala e djeshme. Çështja është kontradikta e përditshme mes asaj që pretendohet dhe asaj që bëhet, tha Bujar Osmani, BDI.

Përplasjet kanë vazhduar edhe në Shqipëri. Partia Demokratike atje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha. Kreu i PD-së, Sali Berisha sot sërish tha se deklarata e Hoxhës është antishqiptare dhe e turpshme. Ndërkohë Ministria e Jashtme e Shqipërisë mesazhet e publikuara i ka cilësuar si të pavërteta. Sipas diplomacisë shqiptare është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. /Alsat.mk